Për ruajtjen e raporteve të mira me BE, Vuçiq përgatitë një plan të arrestimit “teatral” për Milan Radojçiqin

Për ruajtjen e raporteve të mira me BE, Vuçiq përgatitë një plan të arrestimit “teatral” për Milan Radojçiqin
Për ruajtjen e raporteve të mira me BE, Vuçiq përgatitë një plan të arrestimit “teatral” për Milan Radojçiqin

Gani Qarri 1

  • 31 July 2024 - 07:46

 

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Duket që kushtëzimi i Vuçiqit për ta bërë një “teatër” me arrestimin e Radojçiqit vjen nga një shtet mik i Serbisë si Franca. Madje Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq e ka deklaruar se arrestimi i Milan Radoiçiq është një nga kushtet e vendosura për vizitën e presidentit francez Emmanuel Macron në Beograd në muajt në vijim. Andaj teoretikisht mund të jetë e pritshme që Aleksandër Viçiqi ta përdorë si mjet relaksimi të raporteve të acaruara me BE-në, duke arrestuar formalisht Millan Radojçiqin, me qëllimin për të improvizuar një gjykim farsë, vetëm sa për sy e faqe, pasi që së fundi ka një presion ndërkombëtar që përgjegjësit për sulmin në Banjë të Zveçanit, të sillen në bankën e të akuzuarve, gjoja për tu vënë, para përgjegjësisë nga drejtësia.

-Në Fakt Rada Trajkoviq ka deklaruar në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve, Beta se presidenti serb Aleksandër Vuçiq do të duhet ta arrestojë Radoiçiqin muajin e ardhshëm, kur, siç është paralajmëruar, pritet ardhja e presidentit francez, në Serbi, ndërsa, pas Macronit, arrestimin e krye terroristit Milan Radoiçiq mundë ta kërkojnë edhe lider të tjerë evropian.

Ajo kujtoi se në prill, gjatë vizitës së Vuçiqit në Francë, Macron kishte deklaruar se është e rëndësishme që pjesëmarrësit e sulmit në Banjë të Zveçanit të arrestohen dhe sipas saj tani “Vuçiq është nën presion nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të bashkëpunëtorit të tij të ngushtë, krye terroristit Milan Radoiçiq. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar që procesi gjyqësor të zhvillohet në Beograd, që do të thotë se nuk ka presion për ekstradimin e Radoiçiqit dhe anëtarëve të grupit të tij në Prishtinë, prandaj Vuçiq ka premtuar se do ta gjykojë Radoçiqin dhe pritet që ai të arrestohet para ardhjes së presidentit francez Emmanuel Macron”, ka deklaruar Trajkoviq. Sipas deputetes Trajkoviç arrestimi është një nga kushtet për vizitën e Macron-it në Serbi, gjë që nuk diskutohet publikisht, por sipas saj, arrestimi i ish-nënkryetarit të Listës Serbe do të jetë “prova më e vështirë” që Vuçiq duhet ta kalojë për tu dëshmuar sadopak bashkëpunues me evropianët dhe amerikanët. Akt, që mundë të jetë edhe me rrezik për karrierën e ardhshme politike të Aleksandër Vuqiqit, ngase për Vuçiqin ishte shumë më e lehtë ta pranonte shfrytëzimin e litiumit nga Gjermania, sesa të heqë dorë nga njerëzit që i zbatuan urdhrat e tij, të cilët janë nga një mjedis vërtetë kriminal. Arrestimi i Radoiçiqit do të jetë një rrezik i madh për Vuçiqin”, tha ajo, ndërsa e pyetur se çfarë nënkuptonte me “rrezik të lartë”, Trajkoviq tha se Vuçiq kishte frikë nga informacionet që të huajt do t’ia jepnin gjyqësorit serb. “Nëse gjyqësori serb fillon të merret me Banjskën dhe Radoiçiqin, kjo do të hapte mundësinë që shërbime të ndryshme të huaja të dërgojnë të dhëna të ndryshme të inteligjencës, si në disa procese të tjera të grupeve të organizuara kriminale serbe. Në rast se ndodhë kjo, Vuçiq nuk mund ta shpëtojë më Radoiçiqin nga përgjegjësia”, tha Rada Trajkoviq, prandaj ajo beson se Vuçiq do ta bëjë një “marrëveshje” me Radoiçiqin, pasi që është shumë e mundur që Vuçiq planifikon t’i mbrojë minierat dhe hapjen e minierave të litiumit me Radoiçiqin, Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tyre kriminal, por përfaqësuesi i ri i SHBA-së për çështjet evropiane, Alexander Kasanoff, me siguri do të insistojë në përgjegjësinë dhe ndjekjen penale të çështjes sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit. Përndryshe sipas propagandës së Rada Trajkoviqit, e cila duhet të merret me rezervë nga shqiptarët, ngase mund të jetë dhënë me qëllime politike, sulmi në Banjë të Zveçanit i ka "frikësuar" edhe serbët lokal në veri dhe disa familje serbe janë shpërngulur nga Kosova pas atij sulmi.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".