Urat nuk i ndajnë, por i bashkojnë njerëzit

Urat nuk i ndajnë, por i bashkojnë njerëzit
Urat nuk i ndajnë, por i bashkojnë njerëzit

Fadil Maloku

  • 12 August 2024 - 16:09

Shkruan: Sociologu-Fadil Maloku

Është e ditur kah moti që urat si konstruksione fizike nuk simbolizojnë thjesht vetëm struktura të zakonshme prej guri, betoni ose hekuri që përshkojnë një lumë. Ato janë edhe një lloj shpirti e arti metafizik që mëtojnë të lidhin brigjet dhe të shërbejnë si alter ego e jetës, e tolerancës, e bashkëjetesës, e nëse doni edhe miqësisë midis popujve, shteteve e kombeve të ndryshme. -Secila urë, me këto cilësi e destinacione, ka një simbolikë, po edhe një porosi të caktuar.

 

E përbashkëta e gjithave porosive të urave, është dhe mbetet se; ato lidhin brigje me botëkuptime, sisteme, ideologji e bindje të larmishme sociale, politike, ekonomike, fetare e kulturore. 2. Në fakt, të hapësh një urë do të thotë të zgjasësh dorën e miqësisë dhe të bashkëjetesës me të tjerët. Të zbusësh paragjykimet dhe të mënjanosh armiqësitë e akumuluara, të minimizosh barriera e të fshish kufijtë etnik, fetar, social e politik. Madje, edhe të zbusësh si mosmarrëveshjet ashtu edhe armiqësitë e frustrimet midis popujve e shteteve. Urat fundi i fundi përveç lidhjes së brigjeve frymëzojnë (në shumicën e kontesteve ndërshtetërore, si është rasti ynë me Serbinë) të krijojnë atmosferë edhe të një lloj "kimie"interesante sociale mes njerëzve. 3. Andaj, mos hapja e urës në Mitrovicë, padyshim që në mënyrë (in)direkte e ri dëshmon qoftë edhe figurativisht shtrirjen e sovranitetit të Serbisë, mbi 25% të gjeografisë së Kosovës.

Pajtimi me këtë konstatim, përveç që rrjedhimisht nënkupton një raport antidemokratik, nënkupton edhe një pranim anti civilizues. Ngase, mbyllja është kundër lirisë së lëvizjes e qarkullimit të lirë të njerëzve e mallrave dhe kundër parimeve fondamentale të shtet ndërtimit. Cilësi kjo që sot i identifikon pjesën dërmuese të sistemit vlerorë të botës perëndimore, cilësi që edhe i identifikon shtetet e sotme perëndimore.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".