Bashkëveprimi me faktorin ndërkombëtar pa e cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial e kushtetues të shtetit

Bashkëveprimi me faktorin ndërkombëtar pa e cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial e kushtetues të shtetit
Bashkëveprimi me faktorin ndërkombëtar pa e cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial e kushtetues të shtetit

Gani Qarri

  • 16 August 2024 - 07:53

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Ndërhyrja e paprecedent dhe alarmante, ndërkombëtare kundër planit të Qeverisë për lirimin e Urës mbi lumin Ibër për qarkullim të lirë, është edhe një tjetër tendencë e frikshme për segregacion të hapur kundër shqiptarëve, akt i pengimit të lëvizej së lirë dhe shkelje publike, e të drejtave të njeriut, që mundë ta dëmtojë shumë rëndë gjithë investimin e dy viteve të fundit të Qeverisë së Kosovës, për shtensionim të situatës dhe integrimin e minoritetit serb!

-Pengesa brutale, e paparë e BE-së dhe ndërkombëtarëve ndaj hapjes së Urës mbi lumin Ibër, me qëllimin ndjellakeq për imponimin e konfliktit të ngrirë, krijimin e mjegullës dhe një mjedisi të pa qartë, si dhe situatës së tensionuar, edhe kur ajo nuk është e tillë, në vendin ku, të paktën pas 25 vitesh anarkie kriminale, do duhej të kishim qytetar të integruar në jetën politike dhe institucionale, e jo ndarje për interesat e shtetit serb, i cili pa reshtur zhvillon fushatë kriminale kundër Kosovës, do ta shtyjë popullin e Kosovës, që përfundimisht ta ndryshojë mendimin e mirë që kishte deri më tani për ndërkombëtarët, ti shoh ata me dyshim, e ndoshta edhe të krijojnë urrejtje, veçanërisht ndaj Lajçakut, Eskobarit e Borellit, por edhe ndaj opozitës së inkriminuar, e cila çuditërisht edhe në këto momente vendimtare, vazhdon të veprojë kundër interesave të Kosovës, duke mbetur shërbëtore besnike e Vuçiqit dhe në të njëjtën linjë me Serbinë fashiste.

E gjithë kjo po ndodhë për uljen e rejtingut të Qeverisë, me shpresën se në zgjedhjet e ardhshme të cilat tanimë nuk janë larg, Kryeministri Kurti dhe partia e tij të mos e marrin numrin maksimal të votave nga qytetarët e Kosovës, gjë që besoj se ndërkombëtarëve, ndërhyrja kaq brutale në çështjet tona të brendshme, do tu kthehet në BUMERANG dhe populli i Kosovës do ta votojë edhe më shumë Kryeministrin dhe partinë e tij, në mënyrë që Kosova të udhëhiqet edhe në mandatin vijues nga duar të sigurta dhe njerëz të pa korruptuar, që garantojnë se nuk do të bëhen pazare si në kohën e partive të inkriminuara, në kurriz të Kosovës dhe nuk do të shiten as falen tokat tona, siç vepruan PDK,LDK,AAK duke i falur FYROM-it mbi 2500 hektar dhe Malit të Zi 8300 hektar tjerë tokë të vlershme autoktone të Kosovës!

Vet fakti që Qeveria e Kosovës, argumenton me fakte se lirimi i urës për qarkullim të plotë të njerëzve dhe automjeteve në të dyja anët e qytetit është në interes të të gjithëve dhe nuk është drejtuar kundër askujt, por me gjithë këtë, çuditërisht faktorët e dyshimtë ndërkombëtar, pikërisht tani, kur jemi vetëm edhe 6 muaj, para zgjedhjeve të reja, insistojnë me këmbëngulje ta detyrojnë Kosovën, që megjithëse kjo është, tërësisht çështje e brendshme e cila ka të bëjë me sovranitetin e vendit tonë, të futet në diskutime me Serbinë, dëshmon se sa e rëndësishme është të votohet përsëri Albin Kurti për kryeministër të ardhshëm të Kosovës edhe në mandatin vijues, për t`ua treguar vendin ndërkombëtarëve pro serb dhe vet Serbisë!

Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi duke folur për zhvillimet e fundit lidhur me çështjen e hapjes së Urës së Ibrit ka shpjeguar në hollësi për mbarë opinionin, se tema e hapjes së Urës së Ibrit, ishte prekur edhe gjatë takimeve me ndërmjetësuesit në dialog, por Kosova nuk ishte njoftuar për skenarin me të cilin ata pabesisht, paskan dëshiruar ta ndërlikonin çështjen e hapjes së Urës, kaq shumë.

Madje siç shprehet z.Bislimi, emisari i BE-së për dialog, Miroslav Laçjak më 19 qershor në vizitën e tij të fundit në Kosovë, lidhur me hapjen e Urës mbi lumin Ibër, kishte thënë se nëse Kosova s’preferon që kjo të diskutohet në Bruksel atëherë, le të bëhen bisedime të brendshme me serbët lokalë, gjë që edhe ka ndodhë vetëm para pak ditësh. Ndërsa siç sqaron Bislimi, një partner i QUINT-it kishte shtuar kërkesën që të ketë inspektime teknike, të cilat edhe janë kryer ashtu siç kërkohej, por megjithëse ne kemi përmbushur të dy rekomandimet, pas realizimit të këtyre dy kërkesave shtesë, çuditërisht BE, tani po kërcënon me masa ndaj Kosovës?! BE-ja, pra, tani po e kërcënon Kosovën në rast se ajo zbaton marrëveshjen e ndërmjetësuar nga vet BE-ja me rekomandimet shtesë! Megjithatë ne besojmë fuqishëm se BE-ja promovon më shumë liri të lëvizjes dhe më pak kufij apo mure ndërmjet etnive të ndryshme”, ka shkruar Bislimi në platformën x, duke vazhduar ta theksojë fort qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, se Ura duhet të lirohet për lëvizje të lirë, pasi që edhe raporti ka dalë pozitiv. Zëvendëskryeministri ka shtuar se hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë nuk është vendim i njëanshëm i Qeverisë së Kosovës dhe as çështje e mbetur pezull apo e pazgjidhur e procesit të dialogut, por është kërkesa kryesore e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë e ndërmjetësuar nga vet BE-ja në vitet 2015 dhe 2016.

“Për më tepër, plani implementues i BE-së i datës 5 gusht 2016, e konsideron hapjen e urës si “Simbol të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve të Kosovës, shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera”! Raporti i vitit 2020 për Vendin, nga ana e Komisionit Evropian për Kosovën, nxjerr konkluzionin si në vijim: “Punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar dhe ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”!!! Ky është formulimi i BE-së dhe marrëveshja është arritur mes Kosovës e Serbisë.”, ka shkruar Bislimi.

Prandaj pengesa brutale e BE-së dhe ndërkombëtarëve ndaj hapjes së Urës mbi lumin Ibër, me qëllimin ndjellakeq për imponimin e konfliktit të ngrirë, krijimit të mjegullës dhe mbajtjen e situatës së tensionuar, edhe kur ajo nuk është e tillë, në vendin ku, të paktën pas 25 vitesh anarkie kriminale, do duhej të kishim qytetar të integruar plotësisht në jetën politike dhe institucionale, e jo ndarje për interesat e shtetit serb, i cili po zhvillon fushatë të pa ndashme kriminale kundër shtetit tonë, do ta shtyjë popullin e Kosovës, që përfundimisht ta ndryshojë mendimin e mirë që, deri më tani, kishte për ndërkombëtarët, ti shoh ata me dyshim, e ndoshta edhe të krijojnë urrejtje, veçanërisht ndaj emisarëve proserb Lajçakut, Eskobarit e Borellit, por edhe ndaj opozitës së inkriminuar, e cila edhe në këto momente vendimtare për Kosovën, vazhdon të mbetet në shërbim të Vuçiqit dhe në të njëjtën linjë shkatërrimtare me Serbinë fashiste.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".