‘KOSOVA SOT’ ishte, është dhe do të mbetet gjithmonë vetëm zë i popullit

‘KOSOVA SOT’ ishte, është dhe do të mbetet gjithmonë vetëm zë i popullit

A.P

  • 12 September 2024 - 07:27

Shkruan: Armend Preteni

Që nga numri i saj i parë më 12.09 1998, e deri më sot, kur gazeta “Kosova Sot”, po shënon jubileun e njëzetë e gjashtë, ka qenë arenë dhe oazë e pashterrur, për të gjithë qytetarë, artistë e politikanë në mbarë trojet shqiptare, pa harruar dhe diasporën.

 

-Kontributi i gazetës “Kosova Sot” gjatë këtyre dekadave të ekzistimit të saj ka qenë mjaft i rëndësishëm, në të gjitha sferat, posaçërisht në përkrahjen dhe hapësirën që u ka kushtuar njerëzve të artit dhe kulturës, trajtimin e fenomeneve të ndryshme, si dhe shqetësimeve të komunitetit artistik.

Odiseja e gazetës “Kosova Sot" nga viti 1998

Në fund të viteve 90', pas suspendimit të autonomisë dhe fillimit të rezistencës së popullit të Kosovës, ndaj okupimit kriminal të Serbisë, filluan përgatitjet për botimin e gazetës së pavarur "Kosova Sot", nga familja Kadriu, numri i parë i të cilës zyrtarisht u publikua më 12 shtator të vitit 1998.

Si lidere e informimit në Kosovë, me etikën e pavarur editoriale "Kosova Sot" u bë halë në sy e pushtetit brutal të Sllobodan Millosheviqit.

Përrjedhojë më 18 mars të vitit 1999 regjimi serb e ndaloi botimin e gazetës më të madhe atëbotë "Kosova Sot" duke u konfiskuar në të gjitha pikat e shitjes në tërë Kosovën.

Megjithatë lufta okupuese e regjimit të Millosheviqit kundër gazetës "Kosova Sot" nuk u ndal me kaq...

Më 24 mars 1999, në ditën e parë të bombardimeve të NATO-s, hakmarrja e regjimit të Milosheviqit vjen me zjarrvënien, djegien dhe shkatërrimin e mbi 3000 metrave katrore të hapësirave të shtypshkronjës se gazetës "Kosova Sot" me pajisjet më të avancuara në rajon, ku përveç gazetës shtypeshin edhe materialet shkollore në gjuhën shqipe. Ku dëmi i përllogaritur kalonte shifrën e mbi 5 milionë eurove.

Pavarësisht tentimit të regjimit kriminal serb për ndalimin e fjalës së lirë, vizioni i themeluesve të gazetës ishte i pathyeshëm, metaforikisht feniks.

Pikërisht në vitin 1999, gjatë kohës së bombardimeve, për informimin e drejt të qytetarëve dhe opinionit publik, bordi u riorganizua me një redaksi në Shkup respektivisht në Tiranë, duke vijuar me botimin dhe e shpërndarjen e gazetës për kosovarët në Maqedoni dhe në Shqipëri.

Pas përfundimit të luftës gazeta e pavarur "Kosova Sot" rifilloj misionin e saj fisnik me seli në Prishtinë në informim të lexuesit besnik, duke qenë dëshmitare e të gjitha rrjedhave të procesit të shtetndërtimit të demokracisë se re si lidere absolute dhe gazeta më tirazhin më të shitur në Republikën e Kosovës.


Edhe sot, 26 vite pas, gazeta "Kosova Sot", tashmë në versionin e medies elektronike vazhdon betejën për informim të drejt në interesin publik dhe të avancimit të demokracisë duke luftuar pa kompromis grupet e interesit dhe politikën e inkriminuar të mafio-oligarkëve që vazhdojnë ta sfidojnë zhvillimin e shtetit ligjor duke vrarë pamëshirë shpresën e qytetarëve kosovarë.

Si e tillë,  ‘KOSOVA SOT’ ishte, është dhe do të mbetet gjithmonë vetëm zë i popullit

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".