Megjithëse Radojçiq pranoi organizimin e aktit terrorist në Banjskë, ai vazhdon të jetojë i lirë në Serbi

Megjithëse Radojçiq pranoi organizimin e aktit terrorist në Banjskë, ai vazhdon të jetojë i lirë në Serbi
Megjithëse Radojçiq pranoi organizimin e aktit terrorist në Banjskë, ai vazhdon të jetojë i lirë në Serbi

Gani Qarri

  • 26 September 2024 - 07:04

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Siç dihet publikisht, një vit më parë në fshatin Banjë të Zveçanit, një grup i armatosur terrorist serb, në krye me kryekriminelin Millan Radojçiq, të armatosur deri në dhëmbë, u futën nga Serbia dhe kryen agresion të armatosur publik, kundër shtetit të Kosovës, me ç ‘rast u vra në pritë, polici, tani hero i Kosovës, Afrim Bunjaku, por nga ajo ditë e deri më sot, megjithëse Radojçiq pranoi organizimin e aktit të agresionit të armatosur dhe pjesëmarrjen në këtë sulm terrorist, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese ndaj tij, as ndaj Serbisë hegjemoniste, madje ai vazhdon edhe sot, të jetojë i lirë në Serbi.

 

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian, veçanërisht, në dy vitet e fundit, ka mbajtur qëndrim tejet kontrovers, skajshmërisht inferior e të mjegulluar dhe mjaft konfuz, sidomos sa i takon çështjes së Kosovës, madje zyrtarë nga Bashkimit Europian përtej deklaratave nuk kanë ndërmarrë asgjë konkrete, që ta detyrojnë Serbinë për dorëzimin në Kosovë dhe vendosjen para drejtësisë, të përgjegjësve të sulmit terrorist serb në njëvjetorin e agresionit të armatosur në Banjë të Zveçanit, ku u vra edhe polici tani hero i Kosovës, Rreshteri Afrim Bunjaku!

Shto kësaj faktin tjetër, se përkundër deklaratave kundërthënëse të Mirosllav Lajçakut në Bruksel dhe në Prishtinë, u pa qartë se as që ka ndodhur fare tërheqja e letrës që ish kryeministrja Bërnabiq, dhjetorin e vitit të kaluar i kishte dërguar Bashkimit Evropian se Serbia është tërhequr nga Marrëveshja e Ohrit për normalizimin e raporteve me Kosovën, dhe nuk do ti zbatojë aktet e saj, e megjithatë nuk u ndërmor asgjë kundër veprimeve të tilla të Serbisë, sado të rrezikshme dhe konfliktuoze qofshin ato.

BE, sa i takon qëndrimit ndaj Republikës së Kosovës, nuk e ka trajtuar vendin tonë asnjëherë në mënyrë të barabartë me Serbinë hegjemoniste, përkundër lidhjeve të saj të pa shkëputura me Rusinë, forcimit të marrëdhënieve me Kinën dhe shkaktimit të problemeve dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme në çështjet e brendshme të shtetit të Kosovës, përmes bandave kriminale serbe, përfshi edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023, për të cilin deri më tani, nuk është ndërmarrë asnjë veprim, jo vetëm nga Serbia, por as nga vet BE.

Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, ka kaluar më shumë se një vit prej kur, jo Serbia, por është Kosova ajo e cila tash e mese një vit, u nënshtrohet edhe masave të padrejta ndëshkuese, të cilat përveçse u vendosën pa asnjë votim, qoftë edhe vetëm formal në Këshillin e Evropës dhe faktit se Përfaqësuesi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borell më 19 qershor, u dërgoi vendeve anëtare të BE-së rekomandimin për heqjen e masave, ato vazhdojnë të mbeten akoma në fuqi dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë hap konkret nga Brukseli për largimin e këtyre masave, ani pse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga BE, për largimin e tyre.

E duket se pikërisht e njëjta lojë meskine po luhet nga BE edhe për aktin terrorist serb në Banjë të Zveçanit, dhe megjithëse zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, në njëvjetorin e sulmit terrorist serb në Banjë të Zveçanit, sikur bënë thirrje për “ndjekje të shpejtë” të përgjegjësve të këtij akti të agresionit dhe kinse-"konstatoi" se blloku rikonfirmon përkushtimin për drejtësi, njëjtë si mos heqja e masave ndëshkuese edhe dënimi dhe ndërmarrja e ndonjë veprimi konkret ndaj akterëve të sulmit terrorist serb, u pa qartë edhe njëherë më tepër, se nuk do të ndodhë para zgjedhjeve të reja në Kosovë.

Kjo sikur dëshmon se duke pasur për qëllim definitiv, dëmtimin e kryeministrit Kurti, njëjtë sikur nuk u dha ende asnjë afat apo datë e caktuar, se kur mund të hiqen masat ndëshkuese, ngjashëm po veprohet edhe për rastin terrorist të kriminelëve serb në Banjë të Zveçanit, që duket se do të shtyhen deri pas 9 shkurtit 2025, pra pasi të dihet definitivisht partia fituese e zgjedhjeve dhe të eliminohen të gjitha dilemat, se kush do të jetë për 4 vitet e ardhshme në krye të Qeverisë së Kosovës, kur edhe mbajta e masave ndëshkuese ndaj vendit tonë, nuk do të kishte më asnjë kuptim dhe nuk mund të shtyhet më tej, pa ndonjë arsye tjetër eventuale, “shumë” të fort, si dhe verdikti i Gjykatës së Kosovës për agresionin terrorist serb në Banjë të Zveçanit, do të konkretizohet më detalisht dhe qartë!

Prandaj edhe zëdhënësi Stano u shpreh formalisht se kjo ditë është vetëm një rikujtim për nevojën për të mbajtur sigurinë dhe Kosova e Serbia të normalizojnë marrëdhëniet, andaj në fakt BE edhe një vit pas sulmit terrorist serb, në Banjë, vetëm sa bëri, sikur përsëriti thirrjen për ndjekjen e shpejtë të atyre që janë përgjegjës, por nuk e rikonfirmoi me asnjë masë apo hap konkret përkushtimin e saj për drejtësi dhe llogaridhënie, në mënyrë që përveç një rikujtim të nevojës për të ruajtur sigurinë, të jap shembull edhe vet BE, me hapa konkret, për të avancuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë!

Edhe kur edhe ndodhi sulmi terrorist i kriminelëve serb, vitin e kaluar, në Banjë të Zveçanit, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, në njoftimin e shpërndarë nga Stano, deklaronte se BE e dënon me termat më të ashpër “sulmin e tmerrshëm terrorist serb, kundër policëve të Kosovës në Banjë në veri të Kosovës dhe se “Autorët përgjegjës duhet të përballen, sa më parë me drejtësinë”, por që nuk ndodhi kurrë, madje kjo nuk u kërkua më as nga vet BE, përkundër deklaratave të një viti më parë të z.Borrell, të dhëna në emër të BE-së.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".