Çfarë lideri fetar na duhet?

Çfarë lideri fetar na duhet?
  • 26 September 2024 - 10:06

Shkruan: Ilir Topi

A i duhet myslimanëve të Maqedonisë së Veriut një lider fetar injorant, që kultivon raporte injoruese ndaj atyreve që nuk mendojnë si ai, që e ruan pushtetin me frikësime, që kult e ka intrigën, që edukatë shpirtërore e ka servilizmin dhe që natë e ditë është i shantazhueshëm

 

Çka e shtynë një person të paditur, frikacak dhe të pandershëm që të arrijë të drejtojë një komunitet fetar, të jetë lider fetar, për shembull, i myslimanëve të Maqedonisë së Veriut.

Cilat do të ishin pasojat mbi institucionin fetar dhe mbi besimtarët në përgjithësi nëse do të drejtoheshin nga një lider i tillë! Kush mund të jetë një person me të tilla pretendime përveçse ai që është me arsimim të cunguar, përveçse ai që nuk e ka pasur prioritet ngritjen arsimore e intelektuale porse ngritjen në detyrë e në karrierë duke shpresuar në ndihmën e shërbimeve (të pushtetit) te të cilët është dorëzuar që në ndërtim të personalitetit të vet. Këta synime mund t’i ketë vetëm ai person që fërkohet me pushtetin dhe me shërbimet e sigurimit të pushtetit, i cili ia kamuflon paditurinë duke e ngritur dhe shtyer në detyra të caktuara. Një lider fetar që nuk është i arsimuar mirë nuk mund ta ketë të zhvilluar aftësinë për të kuptuar thelbin e besimit që përfaqëson. Kjo mungesë njohurie e bën atë të ndjehet i pasigurt dhe i frikësuar.

Lideri fetar që është i frikësuar dhe i pasigurtë ngulfatet nga ideja e sfidave ndaj autoritetit të tij. Kjo e shtyn atë të manipulojë besimtarët për të ruajtur kontrollin dhe për të parandaluar çdo lloj opozite. Kjo, në rrafshin e jashtëm, ndërsa në rrafshin e brendshëm, në atë organizativ, lideri që e ka gogol të kaluarën e vet, gjithnjë mundohet ta ngrisë në kult kontrollin dhe manipulimin. Kontrollin e ushtron duke e ndaluar dhe dëmtuar diskutimet e hapura, duke e parë çdo kritikë si një kërcënim ndaj autoritetit të vet. Manipulimin e ushtron duke ofruar vetëm informacion që e mbështet autoritetin e tij, duke i shpërfillur ose shtrembëruar mësimet që mund ta sfidojnë. Në opinion hedh “informacione” dhe fotografi për ta bindur opinionin se sa shumë e duan besimtarët e vendit. Ky fakt nuk flet për asgjë tjetër përveçse për frikën e tij nga konstatimet e paluhatshme se atë nuk e do asnjë mysliman i vendit!

Këto strategji e mbajnë liderin e pandershëm të fortë në pozitat e tij, por gjithashtu krijojnë një klimë frike dhe mosbesimi që mund të dëmtojë thelbësisht komunitetin fetar. Kjo tregon se frika nga humbja e pushtetit, përveçse është një ndjenjë personale e liderit, ka pasoja të mëdha për ata që e ndjekin.

Një lider i tillë i pandershëm merret eksluzivisht me zhvillimin e “strategjisë së frikës”. Jo vetëm që frikësohet për kolltukun e uzurpuar pa meritë por, për ta ruajtur pozicionin e vet nis e i frikëson edhe të tjerët. Kundërshtarët e vet i përjashton nga puna, ata që mendojnë ndryshe nga ai anatemohen, në ndihmë i thërret mekanizmat e ndryshëm të pushtetit (me të cilët ndanë interesa të përbashkëta ndonëse shumë të dyshimta). Pra, me këtë stil prej diktatori në fakt ai e shtreson frikën mbi trurin e bashkëpunëtorëve të vetë të cilëve ua bën të qartë se kjo do t’i gjejë të gjithë ata që do ta kundërshtojnë. Pra, lideri fetar i pandershëm e ka ves demonizimin e kundërshtarëve. Të gjithë ata që e sfidojnë mund të shpallen si kërcënim ose si figura negative, duke i bërë ata të duken si të rrezikshëm për besimin. Lideri i pistë fetar institucionin e korruptuar që e drejton e njëson me besimin dhe, të gjithë ata që dëshirojnë tjetër institucion nga ajo që e servirë ai, shpallen jobesimtarë, demonizohen. Në të tilla raste në institucionin fetar nisë e kultivohet varësia! Një lider frikacak mund të krijojë një ambient ku besimtarët ndihen të varur prej tij për udhëzim dhe shpëtim, duke e bërë të vështirë për ta të mendojnë për vete ose të kërkojnë udhëheqës të tjerë.

Së këndejmi, një lider fetar injorant, i paditur, intrigant e servil gjithmonë i injoron ose i sulmon ata që e kritikojnë, në vend që të përballojë argumentet dhe të reflektojë mbi çdo kritikë të arsyeshme. Gjithësesi, këtë injorim të kritikës ai e fuqizon duke e kërkuar ndihmën e pakursyeshme nga bashkëpunëtorët e vet. Në këtë rast, ai gjithnjë thotë se, askush nuk mund t’i bëjë asgjë, sepse, thotë ai “i kam numrat”, duke qenë i sigurtë në përkrahjen e verbër të bashkëpunëtorëve të vetë që janë fatkeqësisht edhe më katastrofë se vetë ai. Me këtë ai e siguron disfatën e çdo kritike! Ky është një prej synimeve të tij!

Lideri i pandershëm pandershmërinë e vet e shpreh edhe mbi buxhetin e përbashkët. Ai e do imazhin e vet sa më të mirë. Ai punon për një imazh të tillë, porse, pagesën e bën nga buxheti i përbashkët e jo nga xhepi i vet. Pra, ai edhe i dëmton besimtarët edhe i shfrytëzon ata që në sy të tyre të duket sa më i bukur. Në këtë aktivitet nuk i zë besë askujt, porse përpjekjen për imazh të mirë e ka vetanake. Pra, ai vuan që të duket si lider i përkryer në sytë e besimtarëve. Në këtë drejtim, kuazi-lideri fetar vazhdimisht i nënvizon dështimet si arritje personale dhe suksese për të mbajtur besimin e bashkëpunëtorëve në autoritetin e tij.

Fare në fund, lideri i pandershëm, gjithmonë e ka frikë humbjen e pushtetit, prandaj ai shmangë çdo lloj transparence, duke mos lejuar që vendimet e tij të shqyrtohen nga të tjerët.

Myslimanët e vendit tonë, nuk mbajnë mend se kur kanë lexuar konkluza e vendime të miratuara nëpër mbledhje të Rijasetit që kur këtë organ dhunshëm e drejton Shaqir Fetai, që kur u instalua në krye të BFI-së nga struktura të dyshimta antifetare e antikombëtare. Kujt i duhet ky profil “lideri” përveçse atyreve që e instaluan për interesa të veta meskine?!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".