Banda terroriste, me në krye Radojçiqin sot e kësaj dite shëtisin të lirë

Banda terroriste, me në krye Radojçiqin sot e kësaj dite shëtisin të lirë
Banda terroriste, me në krye Radojçiqin sot e kësaj dite shëtisin të lirë

Adil Fetahu

  • 26 September 2024 - 07:08

Shkruan: ANALISTI-Adil Fetahu

Pas sulmit terrorist të forcave militare e paramilitare serbe, me tërë arsenalin e armatimit ushtarak (përveç aviacionit), që njerëzit e pushtetit të Serbisë kryen më 24 shtator 2023, jo vetëm kundër policisë së Kosovës, por kundër integritetit territorial të shtetit të Kosovës, banda terroriste, me në krye Radojçiqin, njeriun më të afërt të kryetarit të Serbisë, sot e kësaj dite shëtisin të lirë dhe në Serbi çmohen si heronj.

 

-Sulmin terrorist e ‘gjykuan me terma të ashpra’, por me maje gjuhe, zyrtarët e lartë të BE, ndër të cilët Borelli si shef i diplomacisë dhe sigurimit të jashtëm të BE, zëdhënësi Peter Stano e të tjerë. Ata patën deklaruar se terroristët duhet të përgjigjen para drejtësisë, por kurrë nuk thanë se Serbia duhet t’ia dorëzojë drejtësisë së Kosovës fajtorët. Madje, as nuk bënë kurrnjë veprim presioni ndaj Serbisë, që t’i arrestojë, apo madje edhe t’i gjykojë vetë.

Duket se atë grup terroristësh e ka marrë në mbrojtje vet kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

E faktorët në Bruksel e Vashington e përkëdhelin Vuçiqin, sikur të ishte njeriu më paqësor. Vuçiqi nga ana tjetër, hipokrizinë e tij, po luan politikë jo dyfytyrëshe, por shumëftyrëshe, të ruajtjes së ‘’baraspeshës’’ në marrëdhënieve me Brukselin, Washingtonin, Moskën, Pekinin, Ankaranë e Teheranin. Prej të gjithëve po nxjerr përfitime politike, strategjike, materiale e finnanciare dhe përkrahje për të qëndruar në pushtet. Këtë përkrahje po i japin faktorët e jashtëm, secili për interesa të veta: dikush për investimet ose shitjen e mallrave, gazit, armatimit, dikush për të shfrytëzuar litiumin që është lëndë e rëndësishme për industrinë automobilistike të Evropës.

Brukseli e Washingtoni ushqejnë iluzione se me përkrahjen e Vuçiqit, do ta shkëpusin Serbinë nga orbita e Moskës, por kot e kanë, sepse Serbia këmbë e krye është e lidhur dhe është satelite e Moskës.

Derisa Qeveria e Kosovës bënë përpjekje për të vu rend dhe sundim të ligjit për të gjithë qytetarët dhe në tërë vendin, BE dhe Washingtoni i vejnë sanksione Kosovës dhe e izolojnë, gjoja për veprime të njëanshme.

Nga ana tjetër, Serbia që nuk i përfillë marrëveshjet e arritura në dialogun me Kosovën, që nxitë tranzira dhe kërcënon integritetin territorial dhe sigurinë në rajon, duke grumbulluar forca dhe armatime ushtarake në kufi, e duke sulmuar policinë dhe territorin e Kosovës, siç ndodhi sulmi terrorit në Banjskë, - jo se nuk sanksionohet, por shpërblehet me mjete financiare nga fonde të ndryshme të BE. Këto ditë kryetarja e Komisionit të BE, Ursulla von der Lajen i tha Vuçiqit se nga fondet e BE-së Serbia do të merr 1 miliardë e 580 milion euro, nga të cilat 300 do të jenë grante (falas), ndërsa të tjerat në formë kredie me kushte tejet të volitshme.

Kemi parasysh se njeriu kryesor në Bruksel këto vitet e fundit ishte (Boreli), nga shteti i cili çdoherë e potencon se nuk do ta njeh Kosovën. Fatmirësisht atij po i skadon mandati më 1 dhjetor, e të shpresojmë se personi që do ta zëvendësojë, do të jetë më objektiv në raportet midis Kosovës e Serbisë.

Sa i përket sulmit terrorist në Banjskë, aty ka hile edhe KFOR-i, sepse po të donte KFOR-i, të mos e pengonte policinë e Kosovës, terroristët do të rrethoheshin e kapeshin si lepujt brenda oborrit të Manastirit. E KFOR-i si forcë e ka në mandatin e vet sigurimin e paqes, integritetit dhe kufijve të Kosovës.

Kështu si po vejnë punët me përkëdheljen e Vuçiqit nga faktorët ndërkombëtarë, terroristët e Banjskës do shëtisin të lirë nepër Serbi dhe nuk do të përgjigjen as para drejtësisë së Kosovës, as asaj të Serbisë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".