Skandali i 'kryezotit' të hetohet nga Prokuroria Speciale!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Mbyllja para kohe e thirrjes publike ndaj qytetarëve për aplikim për subvencionim për pajisjet efiçiente për ngrohje nga ana e kryeministrit, përveçse paraqet shkelje ligjore është edhe fyerje ndaj qytetarëve të cilët nuk trajtohen në mënyrë të barabartë nga shteti i tyre, në këtë rast nga ‘Qeveria e Kosovës’!
Skandal që ka mjaft argumente të hetohet nga Prokuroria Speciale
Vendimi i “kryezotit” Albin Kurti që të mbyllet para kohe thirrja publike ndaj qytetarëve, ka ngjallë shumë dyshime tek këta të fundit për abuzim me listën e përfituesve, siç ka ndodhur paraprakisht me të gjitha konkurset dhe tenderët, pa ju dhënë mundësi konkurrimi të gjithë të interesuarve!
Mbyllja 6 ditë para kohe e thirrjes publike, të cilën mund ta quajmë ‘Konkurs Publik’ për subvencionimin e efiçiencës së energjisë, i mbështetur edhe nga Bashkimi Evropian, është dashur të zbatohet në përpikëri nga Ministria e Ekonomisë, përfshirë afatet kohore, të cilat janë esenciale për qytetarët e vendit, kur dihet se jo të gjithë qytetarët kanë qasje në rrjetet sociale dhe përcjelljen e trukeve të qeverisë.
Privimi 6 ditë para kohe i qytetarëve nga e drejta për aplikim është shkelje e rëndë ligjore, me të cilën duhet të merret Prokuroria Speciale, pasi kjo ngre dyshime të bazuara që përfituesit e subvencionimit për pajisjet efiçiente për ngrohje janë militantët dhe anëtarësia partisë në pushtet e jo edhe qytetarët me bindje dhe përkatësi tjetër partiake.
Mbyllja 6 ditë para kohe e një konkurrimi të hapur publik, është e njëjtë sikur ta mbyllësh një proces zgjedhor 6 orë para kohe!
Që i bie, nuk ka rëndësi kush kandidoi fituesit i përcaktojmë ne, të tjerët le t’i bien kavallit e të ëndërrojnë për vitin tjetër!
Ky mentalitet qeverisës të kujton kohën e sistemit të kaluar monist, në kohën kur hapeshin konkurset për vende të punës, njerëzit (e pushtetit) ishin duke punuar. Pra, konkursi hapej sa për sy e faqe, për të mbuluar abuzimet me konkursin. Ngjashëm ka bërë edhe kryeministri apo siç e quajta në fillim “kryezoti” i shtetit të kapur, i cili nuk përfill rregulla dhe ligje në këtë vend.
Arsyetimet absurde të Qeverisë, “se Komisionet për vlerësimin e aplikacioneve kanë filluar punën e tyre të procesit të verifikimit të aplikacioneve dhe dokumentacionit të nevojshëm” pa u mbyllur aplikimi, e vërteton konstatimin tim për shkelje ligjore të Ministrisë së Ekonomisë me urdhrat e kryeministrit Albin Kurti.
Ndërsa paralajmërimi se “të gjithë ata që kanë aplikuar do të njoftohen për ecurinë e procesit përmes mjeteve të informimit dhe rrjeteve sociale të Ministrisë së Ekonomisë” e tregon papërgjegjësinë dhe mungesën e transparencës, e cila përkthehet në abuzim dhe mashtrim të qytetarëve, dhe përfitime personale në këmbim të dhënies së subvencioneve. E cila gjë, e bënë përgjegjëse ‘Qeverinë e Kosovës’ për shkelje të rënda ligjore, për korrupsion dhe krim të organizuar të udhëhequr nga “njeriu me duar të pastra” në sytë e qytetarëve! Drejtësia vonon, por nuk harron!
(Kosova Sot Online)