Kurti mund ta shkarkojë Mimoza Kusarin nga pozita e shefes së GP të VV-së, pasi të dëshmohet nëse përgjimet ishin të vërteta

Kurti mund ta shkarkojë Mimoza Kusarin nga pozita e shefes së GP të VV-së, pasi të dëshmohet nëse përgjimet ishin të vërteta
Kurti mund ta shkarkojë Mimoza Kusarin nga pozita e shefes së GP të VV-së, pasi të dëshmohet nëse përgjimet ishin të vërteta

Gani Qarri

  • 11 October 2024 - 07:28

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Publikimi i të ashtuquajturave "përgjime telefonike", përderisa nuk është dëshmuar edhe zyrtarisht autenticiteti i tyre nga organet përkatëse, është një akt subversiv, do ta quaja, i cili nuk e di, në çfarë ligjesh dhe autorizimesh, bazohet, ndaj dhe është çështje problematike të komentohet, ad-hoc pa e ditur saktësisht të vërtetën e ngjarjes, me të cilën partitë e inkriminuara dhe persona e kuazi media, që akuzohen nga pala tjetër, si filiala të sponsorizuara nga Radojçiqi, pikërisht kur na ndajnë vetëm edhe pak muaj, nga zgjedhjet e reja, përpiqen të krijojnë senzacione mediatike, për të vjelur sado pak vota, me fërkime të fabrikuara politike.

 

-Në fakt Vehbi Kajtazi njihet për plasimin e të pavërtetave edhe më herët, ai vetëm pak kohë më parë, gënjeu publikisht edhe me rastin e udhëtimit të Presidentes Dr. Vjosa Osmani me ekipin e saj në Paris, duke shpifur se kinse ajo paska paguar bileta të kategorisë "Biznis klass" gjë që nuk ishte e vërtet dhe zëdhënësi i Presidentes, e demantoi po ashtu në mënyrë publike "nostradamusin" kosovar, V.Kajtazi, me dokument zyrtar, duke postuar edhe kopjet e biletave "Ekonomi klass" për çka falltori Kajtazi, i cili po e zëvendëson me shumë sukses Hyzri Peçanin, do duhej të merrej në pyetje nga prokuroria, për arsyen e plasimit të shpifjeve, në opinion dhe media!

Por as kjo nuk ndodhi, përkundrazi, prokuroria nxitoi ta kriminalizonte, një person privat, i cili gjoja, paska kërcënuar Kajtazin, gjë që vërtet habit shumë, kur dihet se në Kosovë, është kërcënuar edhe vet prokurori Elez Blakaj, madje ai është detyruar edhe të ikë me gjithë familje nga Kosova dhe të kërkojë strehim në Amerikë, por nuk na ka rënë të dëgjojmë, se është marrë në pyetje, arrestuar as dënuar askush, madje edhe numri i veteranëve të rrejshëm, thuhet se jo vetëm që nuk është zvogëluar, por dhe vazhdon të rritet, në këmbim të parave dhe votave për partitë e inkriminuara.

Shto kësaj faktin tjetër të dhembshëm, që në Kosovë edhe pas lufte, janë vrarë qindra e ndoshta edhe mijëra njerëz, disa edhe për mospajtime e kundërshti politike, por sot e mbi 25 vite, asnjë autor i këtyre krimeve të përgjakshme nuk është zbuluar dhe asnjë doras nuk është duke vuajtur dënimin me burg, me aktakuzë të dokumentuar, qoftë edhe për ndonjërën, nga gjithë ato vrasje, të cilat janë kryer nga dora e njeriut dhe jo se ata në ditët me mot të keq, i goditi rrufeja.

Prandaj edhe pas të ashtuquajturit "skandal" të përgjimeve telefonike mes Mimoza Kusari-Lilës dhe kryekriminelit Millan Radoiçiq, Albin Kurti mund të distancohet nga aleatja e tij në koalicon apo edhe ta shkarkojë atë nga pozita e Shefes së grupit parlamentar të VV-së, pasi të dëshmohet zyrtarisht, autenticiteti, nëse përgjimet ishin biseda të vërteta, apo konstruksione të kurdisura, me pjesë të nxjerra nga kontestet, e që në fakt, ligjërisht, aktet e autorëve të konstrukteve të pa mbuluara agjenturore, janë të dënueshme dhe duhet të vendosen para drejtësisë.

Pra, e para është se, fillimisht dhe para se të veprohet nga Kurti, paraprakisht duhet të vërtetohet në mënyrë zyrtare, nga organet përkatëse ligjore të shtetit të Kosovës, se përgjimi mes Radoiçiqit dhe Kusari-Lilës, nuk ishte një obstruksion agjenturor, në shërbim të partive të inkriminuara, për ta ndihmuar parafushatën e tyre, në prag të zgjedhjeve të reja, por përpjekje e shefes së GP të Lëvizjes Vetëvendosje, për koordinim me shefin faktik të Listës Serbe.

Dhe e dyta është se, edhe nëse në javën e dytë të qershorit të vitit 2022, Mimoza Kusari-Lila, në përpjekje për t’i siguronte votat për kalimin në kuvend të Projektligjit për Pagën Minimale, paska zhvilluar bisedë të llojit, siç u paraqit në mediat e opozitës, a kishte diskutimi e saj, përmbajtje që rrezikonte sigurinë e vendit, pozitën e partive tjera të cilat vet, kanë bashkëpunuar ngushtë me Radojçiqin, e kanë pritur atë në zyra të qeverisë dhe shtetit të Kosovës, si dhe kanë qenë edhe në koalicion me partinë e Radojçiqit, Listën serbe.

Mos vallë biseda e saj, kërcënonte shtetin e Kosovës, derisa thuhet se shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje po koordinohej për pagat minimale me Listën Serbe dhe jo për ndryshimin e statusit të shtetit, jetësimin e "zajednicës" së miratuar edhe në kuvend, nga PDK,LDK, AAK, Nisma etj, apo edhe faljen e veriut të vendit tonë Serbisë hegjemoniste dhe ndarjen e Kosovës, përmes të ashtuquajturit "Ndryshim i kufijve" siç proklamonte botërisht Thaçi & Co deri në Austri, qysh me 2018, në Forumin Evropian me 25 gusht të vitit 2018 në Alpbach të Austrisë i cili edhe në intervistën e dhënë televizionit francez, “France 24” vazhdonte ta ndërkombëtarizojë aventurën, për korrigjim kufijsh me Serbinë. Madje është shprehur optimist se deri në pranverën e ardhshme do të arrihet marrëveshje me Serbinë, që do të përfshijë edhe atë që vet e quante korrigjim kufijsh, e të tjerët po e cilësojnë shkëmbim territoresh.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".