Stabiliteti në gadishullin e Ballkanit varet nga dy faktorë, nga vetë popujt e Ballkanit dhe nga Evropa
Nijazi Halili
Shkruan: Nijazi Halili
Në librin e shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare, “Ballkani i Jugut”, theksohet se: “... është e qartë për gjithkënd se stabiliteti në gadishullin e Ballkanit varet nga dy faktorë kryesorë: e para nga vetë popujt e Ballkanit dhe e dyta nga Evropa...”
Pra, me fjalë të tjera mund të themi se kur fati i diçkaje varet nga dy palë, mirëkuptimi ose moskuptimi i tyre, kthehet në faktor bazë për zgjidhjen ose jo të problemeve.
Popujt e Ballkanit kanë nostalgji për Evropën, por njëkohësisht ndjejnë edhe nervozizëm për fajet e tyre e që s’duan ti pranojnë, si dhe zemërim për harresën e gjatë të Kontinentit plakë, Evropës, e cila për një kohë të gjatë i është shmangur përgjegjësisë së saj në rajon.
Nga se u tha më sipër, arrijmë në përfundimin se Evropa e lodhur me Ballkanin ka bërë dhe bën përpjekje për ta integruar e përfshirë atë në organizmat e saj. Po kështu, edhe popujt e Ballkanit përpiqen të rivendosin marrëdhëniet e vjetra që i lidhin ata me kulturën, zakonet, doket, marrëdhënie të cilat kanë rrënjë të thella në vendet ku jetojnë, por që janë shkatërruar nga luftërat e vazhdueshme e të pafundme në rajon.
Vetë pozicioni gjeografik dhe ekonomik nga njëra anë, si dhe lidhjet e shumta me popuj e vende të ndryshme të Evropës dhe botës nga ana tjetër, e bëjnë rajonin e Ballkanit që të mos i shmanget prirjeve politike e gjeopolitike që përfshijnë Evropën dhe mbarë botën.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".