Lexoni edhe:
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, politikën shqiptare e gjen në një gjendje mëse mjerane
Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa
Vendimi i Kryeministrit Kurti në fund të mandatit politik dhe atë në fushatë zgjedhore, për themelimin e një fabrike për prodhimin e municionit dhe laboratorëve për fluturake pa pilot, përveqse pa asnjë efekt pozitiv, mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me shtetet e tjera, në veçanti me NATO-n si garantuesin e lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë. Përtej kësaj, shtetet e rajonit, e veçmas Serbia mund ta përdorë si alibi të rritjes së fuqisë ushtarake të saj për kërcënimin e terësisë territoriale të Kosovës!
-Me gjuhën populiste për konsum elektoral, Albin Kurti po e ushqen Serbinë për të ndërmarrë veprime luftënxitëse në Veri dhe përshkallëzim të tensioneve rajonale në përgjithësi.
Edhe sikur të ishte i realizueshëm brenda mandatit politik të Albin Kurtit ndërtimi i ‘Fabrikës së Municionit dhe Laboratori për Fluturake pa Pilot’, nuk e nënkupton rritjen e autonomisë ushtarake të Kosovës shkaku i projekteve të NATO-s për fuqizimin e Forcës Ushtarake të Kosovës (FAK) dhe kufizimeve të hapësirës ajrore të Kosovës.
Siq dihet NATO-ja i ka përgjegjësitë e veta ekskluzive për të ruajtur sigurinë dhe pacenueshmërinë e hapësirës ajrore të Kosovës nga çfarëdo rreziku që mund të vijë nga jashtë!
Në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të vitit 1999, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i misionit të KFOR-it, përkatësisht NATO-s, është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës.
Hapësira e ulët ajrore e Kosovës nën nivelin e fluturimit 205- deri në 6205 metra menaxhohet nga Agjencia i Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës, ndërsa hapësira e lartë ajrore mbi nivelin e fluturimit 205, përkatësisht mbi nivelin 6205 metra lartësi, nga 3 prilli i vitit 2014 dhe është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it, i cili ofron shërbimet teknike të kontrollit të trafikut mbi këtë lartësi ajrore.
Marrëveshja mes NATO-s dhe HungaroControl për menaxhimin e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës është vazhduar pa afat, por ajo mund të ndërpritet në çdo kohë, kur të krijohen kushtet politike apo kur të realizohen përgatitjet apo gatishmëria për marrjen e këtyre përgjegjësive nga autoritetet vendore që nuk ka të bëjë vetëm me përgatitjet teknike apo kadrovike, por edhe me disa kushte të natyrës politike.
Andaj deklarimet e Albin Kurtit në fund të mandatit politik janë propagandë puro elektorale e cila, përveqse nuk i shërben ngritjes së pavarësisë ushtarake të Kosovës, e dëmton atë në lëkundjen e mëtutjeshme të raporteve me aleatët strategjik, gjegjësisht NATO-n dhe SHBA-të si mbrojtësit faktik të integritetit territorial të vendit tonë dhe garantuesit kryesor të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Iniciativa e ‘Qeverisë Kurti’ për themelimin e ‘Komisionin Ndërministror’ për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laborator mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Kosovë, është vetëm një ‘balon në ajër’ i cili do t’i i frustron akoma më tepër marrëdhënjet e tendosura me aleatët strategjik të Kosovës.
Pas dështimeve me “Fondin Sovran” dhe me “Fondin e Sigurisë”, përpjekjet e Qeverisë Kurti për të përfituar nga mbështetja popullore në fushatë elektorale me kinse “rritjen e fuqisë ushtarake dhe investimet në mbrojtje” pa marrëveshje me partnerët ndërkombëtar është pak më tepër se ‘lujtje bixhoz’ me aleatët ushtarak, përkatësisht me NATO-n!
Ky përveqse një hap i gabuar, është një avanturë e rrezikshme e Albin Kurtit e cila bie ndesh me interesat e NATO-s, në veçanti, me interesat e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Nuk ka si të jetë ndryshe, kur interesat dhe vetë ekzistenca e shtetit tonë është e lidhur ngusht dhe e varur drejtpërdrejt nga interesat e SHBA-ve në Ballkan.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".