Vendimi i Kurtit për themelimin e fabrikës së municionit, hap i rëndësishëm dhe strategjik

Vendimi i Kurtit për themelimin e fabrikës së municionit, hap i rëndësishëm dhe strategjik
Vendimi i Kurtit për themelimin e fabrikës së municionit, hap i rëndësishëm dhe strategjik

Gani Qarri

  • 30 November 2024 - 07:38

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Me Koordinimin me SHBA-të dhe vendet tjera të NATO-së, vendimi i Kryeministrit Kurti për themelimin e fabrikës për prodhimin e municionit dhe laboratorëve për fluturake pa pilot, përveçse përjashton çfarëdo lloj implikimesh politike, ky hap i rëndësishëm, në këto momente të krizës globalenë dhe gjendjeje të paparashikueshme strategjiko-politike, do të ndikojë pozitivisht edhe te aleatët dhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtar, të cilët veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë dhe fitores së Trumpit, në të gjitha anët e globit, kërkojnë investime dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të çdo vendi, përfshirë vet shtetet anëtare të NATO-së, ku edhe Kosova pretendon të inkuadrohet, sa më parë që të jetë e mundur, si garancia më e mirë, për siguri të qëndrueshme.

-Madje nëse kjo fabrikë dhe laboratori për fluturake pa pilot realizohen, përveç forcimit të mbrojtjes, nënkupton edhe rritjen e pavarësisë ushtarake të Kosovës, si dhe ngritë besueshmërinë në marrëdhëniet e Kosovës me shtetet partnere, veçanërisht te SHBA dhe vendet mike që kërkojnë forcimin dhe aftësimin e ushtrisë, si dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të çdo shteti, për përballimin me sukses të kërcënimeve nga jashtë dhe ballafaqimit të suksesshëm me gjendje të rrezikshme, nëse ndodhë të vije deri te përshkallëzimi i tensioneve rajonale, apo edhe më gjerë.

Në gjendjen aktuale, kur lufta në Ukrainë, kërcënon me zgjerim të luftimeve edhe në vendet tjera, rritja e fuqisë ushtarake dhe investimet në mbrojtje, përveçse janë kthyer në apel të përditësuar të NATO-së, po dëshmohen edhe si nevojë urgjente e vendit, për të forcuar shtetndërtimin, rritur legjitimitetin dhe ngritur gatishmërinë ushtarake për mbrojtjen e pavarësisë, garantimin e lirisë së qytetarëve dhe ruajtjes së paprekshmërisë territoriale të shtetit të Kosovës nga sulmet e mundshme të armiqve të jashtëm, si Serbia hegjemoniste, e cila përveçse shpreh në vijimësi, pretendime territoriale, ajo edhe pret momentin e parë të mundshëm, për ta sulmuar Kosovën dhe gllabëruar pjesët më jetike të tokave tona autoktone.

Kështu që, duke pasur të gjitha këto parasysh, pikërisht në datën kur shënohet Dita e Forcës së Sigurisë kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka nënshkruar vendimin e rëndësishëm, për themelimin e Komisionit Ndërministror me qëllim të vlerësimit, nisjes së procedurave dhe negociatave për hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe krijimin e laboratorit për dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Kosovë, akt i cili duhet përshëndetur nga të gjithë ata që ia duan të mirën Ushtrisë tonë të re, garantueses më të sigurt dhe besnike, të mbrojtjes së shtetit të Kosovës.

“Këtë ditë të rëndësishme për ushtrinë tonë po e shënojmë me një vendim të rëndësishëm që porsa e nënshkrova para se të vij në mbledhje dhe me një hap të domosdoshëm, besojmë, për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të saj, do të themelojmë Komisionin Ndërministror me qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe laboratorit për dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Republikën e Kosovës.

Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë si kjo e jona, e cila për ta siguruar operacionalitetin e plotë dhe garantuar qëndrueshmërinë tërësore, ka nevojë imediate për hapat tonë të parë, si ky që hodhëm për ngritjen e industrisë ushtarake” sepse për Qeverinë mbrojtja ka qenë ndër prioritetet tona kryesore, të cilën e kemi dëshmuar në vazhdimësi si me numrin e ushtarëve që është dyfishuar, si me buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes që është trefishuar si me trajnimet jashtë vendit të oficerëve dhe ushtarakëve tonë që është katërfishuar, bashkë me investimet në armatim që janë shumëfishuar”, u shpreh kryeministri Kurti!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".