Problemi kryesor në Shqipëri dhe Kosovë që prodhon probleme është politika shqiptare

Problemi kryesor në Shqipëri dhe Kosovë që prodhon probleme është politika shqiptare
Problemi kryesor në Shqipëri dhe Kosovë që prodhon probleme është politika shqiptare

Skender Kapiti

  • 04 December 2024 - 22:13

Shkruan: ANALISTI-Skender Kapiti

Sot në Shqipëri, por edhe në Kosovë, politika është burimi i shumë problemeve dhe kryeproblemi që prodhon vështirësi të shumta. Shqiptarët kanë shumë halle e probleme, sa që është e vështirë të dihet nga ku të fillohet për t’i numëruar dhe renditur ato. Por problemi më i madh dhe kryesor në Shqipëri dhe Kosovë është ai që jo vetëm që nuk zgjidh problemet, por përkundrazi i prodhon ato, dhe ky është politika shqiptare.

-Pra, kryeproblemi i shqiptarëve është politika. Disa mund të thonë se nuk i intereson politika dhe se nuk merremi me të, por ata dhe të tjerët që deklarohen ashtu, janë po ata që ankohen për pensionet, papunësinë, arsimin, shëndetësinë, pasigurinë e jetës, largimin nga atdheu; ankohen për eksodin, bujqësinë, bashkitë, kryebashkiakët, gjyqtarët, prokurorët, drejtorët, administratën, hipotekën, pronën, çmimet, etj.

A nuk është politika ajo që propagandon, premton shumë dhe gjithçka? A nuk janë politika, qeverisja dhe drejtësia politike përgjegjëse për këto, të cilët paguhen dhe mbahen nga paratë publike të taksapaguesve shqiptarë? Madje, edhe kur politika shqiptare pretendon se ka zgjidhur ose bërë ndonjë gjë pozitive, vetëm sa janë shtuar hallet dhe problematikat e shqiptarëve e qytetarëve, dhe politika e ka përkeqësuar situatën. Do të mjaftonin dy reformat më kryesore, ato të pronës dhe të drejtësisë, që ka realizuar politika shqiptare në këtë tranzicion, për të vërtetuar se çfarë katrahurash, konflikti dhe padrejtësish janë krijuar nga politika e tranzicionit.

Reformat dhe zhvillimet politike, keq-qeverisjet dhe drejtësia politike shqiptare në këto vite tranzicioni kanë gjeneruar krime të ndryshme, korrupsion, trafik droge, hajdutëri, papunësi, varfëri, tradhti publike, mashtrime, moszhvillim dhe eksod. Ndërkohë, publiku vetëm sa ankohet dhe ankohet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".