Partizanë të shkëmbimit të territoreve, janë shumësia e eksponentëve të PAN-it

Partizanë të shkëmbimit të territoreve, janë shumësia e eksponentëve të PAN-it
Partizanë të shkëmbimit të territoreve, janë shumësia e eksponentëve të PAN-it

Idriz Zeqiraj

  • 07 January 2025 - 07:26

Pikat kryesore të javës me analistin Idriz Zeqiraj

A mund të jetë shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë një zgjidhje e qëndrueshme, apo është një opsion i rrezikshëm që mund të shkaktojë tensione të mëtejshme në rajon.

Idriz Zeqiraj: Nga Ballkani e deri në Kinën e largët, në të gjitha shtetet jetojnë pakica kombëtare, minoritete. Po të fillohet t`u jipet territore minoriteteve, me qëllim të bashkimit me shtetet amë, do të bëhej katrahurë e lemërishme, me mundësi reale, për luftra të përhershme në mes të shteteve fqinj.

 

Retrospektivë:

Serbia pushtuese e zullumqare e shqiptarëve, nuk u pajtua me humbjen meritore të Kosovës. Ajo kërkoi ndihmën e aleatës të saj tradicionale, Francës, e cila angazhoi Shërbimin Informativ të saj, DGSE, respektivisht, dhendërrin e Beogradit, Arnaud Danjean, për rekrutimin e agjentëve potencial të Kosovës. Pierre Siramy, kryeshef i DGSE, në televizionin vendor Canal +, deklaron: "Hashim Thaçi është agjent i yni, është agjent i Francës. E rekrutoi oficeri i Shërbimit tonë, Arnaud Danjean, në Zyrih dhe Gjenevë". Shërbimet Informative të shteteve mike bashkëpunojnë. UDB-a jugosllave dhe DGSE franceze përzgjodhën "gjahun", pikërisht, Hashim Thaçin, madje, jo rastësisht. Siramy e sqaron këtë: "Gjithçka çfarë duhet të dijë agjenti, është se ekziston një dosje për të, me kaq mjafton".

Binomit UDB-DGSE, iu bashkua edhe SHISH i Tiranës social-komuniste, pra, u kompletua trinomi agjenturor, për sabotimin e luftës në Kosovë, gjithnjë, në shërbim të Serbisë. Rrugëtimin drejt lirisë të popullit të Kosovës, të prirë nga intelektuali -par exelance-, Ibrahim Rugova, nuk mund ta stoponin. Por, interesimi, qëllimi ishte për ta marrë pushtetin e pritshëm, të pas luftës në Kosovë, një garniturë ekstreme majtiste-staliniste, nën kontrollin e social-komunistëve të Tiranës, e pranueshme edhe nga Beogradi dhe Moska.

Brenda e LPK-së, në Mërgatë, agjenti i trefishtë, Hashim Thaçi, me disa shokë, të dominuar nga klani i Drenicës dhe disa horrakë të Dukagjinit, të instruktuar nga Sigurimsat e Enver Hoxhës, i bënë puç Kryesisë së vjetër të Lëvizjes Popullore të Kosovës, LPK, duke i akuzuar për tradhti, përfshirë dajë e nip, kryetarin Fazli Veliun e Ali Ahmetin; sekretarin Emrush Xhemajlin, Ibrahim e Muhamet Kelmendin, me shokë. Tirana zyrtare, e interesuar për ruajtjen e statusquosë, në Kosovë, kushtëzoi mbështetjen për ekipin e ri të LPK-së, tashmë, të kryesuar nga gazetari i "Zërit të Popullit", shokun tim të studimeve në Universitetin e Tiranës, njeri i letrave, me epërsi intelektuale ndaj bashkëpartiakëve; mori në dorëzim fletushkën "Zëri i Kosovës", Fondin "Vendlindja thërret", të gjitha shantazhueshëm dhe përdhunshëm!

Garda e re e LPK-së kopjoi nga A deri në ZH metodën fashizoide të Enver Hoxhës, gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke vrarë kundërshtarët politikë, madje edhe brenda llojit, prapa shpinës, me qëllim të marrjes së pushtetit, me çdo çmim, pa u "lagur" fare në luftë me pushtuesin. "Gardistët e kuq" formuan skuadriljet ekzekutuese: SHIK, "Shqiponjat e Zeza", BIA. Viktima e parë ishte zëdhënësi i UÇK-së, Ali Ukaj, gazetar, i cili u vra në Tiranë, më 1997. I akuzuari i parë ishte Hashim Thaçi, i cili u burgos. Por, siç pohon, publikisht, miku i Ha tij, Xhavit Haliti: "I telefonova nga Zvicra një gjenerali të Sigurimit (SHISH-it), Hashimi u lirua dhe çështja u mbyll! Kjo është tej fashizëm.

Mbledhjen në Osllo, për unifikimin e faktorit ushtarak, e dështoi LPK-ja me të ashtuquajturin "SHP të UÇK-së", pasi nuk e pranoi për Ministër të Mbrojtjes (të Luftës), Kolonel Ahmet Krasniqin, të zgjedhur nga grupimi i madh i oficerëve të karrierës, ngaqë donin ta zgjidhnin dike nga LPK-ja. Dhe, në një natë shtatori, 1998, Tirana zyrtare dhe vegla e saj, LPK-ja e ekzekutuan, zyrtarisht e cubërisht, Ministrin e Luftës, në vlugun e luftës në Kosovë. Kjo ishte sabotim i pastër i luftës, tradhti e hapur e këtyre dy krijesave monstrume dhe thellësisht kundra-kombëtare. Dhe vazhduan me ekzekutimin e ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; kudrove, veprimtarëve, aktivistëve të LDK-së; gazetarëve korresponent të luftës; si dhe të kundërshtarëve të tjerë politikë, përfshi edhe brenda llojit, kuadro të hershëm të LPK-së, Behajdin Hallaçi, Ismet Jashari-Kumanova me shokë.

E bëra këtë parantezë, për të dëshmuar "ku flen lepuri", e keqja e gjithë kësaj drame, që po përjeton Kosova, në raportet me Serbinë agresore, pretenduese e zhvatjes të territorit të Kosovës tonë. Firma jonë "Etniku", bashkë me nipat Hasan dhe Ismet Rexhaj, kemi qenë të liçensuar për bartjen e armëve për Ushrinë e Kosovës, si dhe pritjen e akomodimin e refugjatëve, ikanakëve nga Kosova. Pra, kam qenë në Emergjencën e luftës, fillim e mbarim. Andaj, flas bazuar vetëm me fakte të pa kundërshtueshme.

Nga LPK-ja, përfshi edhe Jakup Krasniqin, akuzojnë Hashim Thaçin, Azem Sylën, Xhavit Halitin, Kadri Veselin, se sabotuan hyrjen në luftë të UÇK-së të LPK-së, në koordinim me Tiranën zyrtare dhe agjentin freng, Arnaud Danjean, i cili, i ishte "bërë pullë" Hashimit, për të mos nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë, pra, për ta dështuar atë. Dhe, megjithatë, kurrë nuk i kërkuan llogari Francës, pse zyrtari i lartë i saj, rekrutoi qytetarin Hashim Thaçi, agjent të Serbisë.

Tirana zyrtare, social-komuniste nuk pranonte dhënien e armëve për Ushtrinë e Kosovës. Edhe pas ndërhyrjes amerikane, me urdhërin "të furnizohet Ushtria e Kosovës falas", ata i jipnin përmes LPK-së, edhe pse Luftën në Koshare e drejtonin komandantët e FARK-ut! Për çudë, janë graduar gjeneral, disa profanë, pa bërë asnjë betejë, asnjë fitore nga LPK-ja, dhe janë "harruar" ushtarakët meritorë të Luftës fitimtare, si Kolonelët Rrustem Berisha, Anton Quni, Skënder Hasangjekaj ..., major Nazif Ramabaja, epror i Betejes së Loxhës!

Asnjëherë nuk duhet ngatërruar Zyrtarët e qeverisë social-komuniste të Tiranës, me popullin e Shqipërisë londineze, i cili është më zakonorë, më mikpritës, se sa shqiptarët e Kosovës dhe ka ndarë dhimbje, lotë dhe bukë, me ikanakët e Kosovës. Ka një përceptim të gabuar për jugun e Shqipërisë, sikur ata nuk merakosen shumë për Kosovën!? Por, e vërteta është se ata janë sakatour dhe përgjakur, nga sundimi komunist-fashizoid i bandës-shtet, të filo-sllavit Enver Hoxha, për gjysmë shekulli radhazi, vetëm pse në Luftën e Dytë Botërore, krahu nacionalist, ishin përkrah popullit të Kosovës.

Edhe pas shpalljes të Pavarësisë të Kosovës, të konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Serbia, me aleatët e saj, vazhdon të zhurmojë, me pretendime absurde territoriale, ndaj Kosovës. Çuditërisht, edhe BE-ja vazhdon të mbajë një qëndrim të dyshimtë, madje toleron dhe favorizon Serbinë agresore, në raport me Kosovën. Kjo padrejtësi zgjoi interesimin dhe reagimin e një grupi të madh intelektualësh, personalitete të shquara, Demokratë dhe Republikanë, shumë syrësh lobues të Presidentit Trump në mandatin e parë të tij, i dërguan një letër qortuese atij, duke i thënë se "nëse Amerika e çliroi Kosovën, pse duhet të diskutohet për këmbim territori apo ndarjen e saj, kur nga historiku i saj mësojmë se ajo është tkurrur mjaft, pikërisht, nga pushtuesit serbë.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, bir i ambasadorit amerikan në Beograd, kishte mbaruar shkollën fillore atje. "Jemi gadi të pranojmë çfarëdo marrëveshje, që arrijnë palët, Kosova dhe Serbia, qoftë edhe këmbimin e territoreve",- kishte thënë ai, me një dozë simpatie për Serbinë. Presidenti Trump e shkarkoi nga detyra e këshilltarit të tij, me akuzën se "donte ta ndante Kosovën fshehurazi, prapa shpinës time". Por, Bolton reagoi se "kjo ishte kërkesë e lidershipit të Kosovës dhe Serbisë, respektivisht, e Hashim Thaçit, Aleksandër Vuçiqit, me mbështetjen edhe të kryeministrit shqiptar, Edvin Rama!"

Kjo kundërshti e prerë e Presidentit Trump, e Kancelarës Angela Merkel, e Anglisë dhe të disa shteteve të BE-së, por edhe të Ballkanit, sikur mbylli kapitullin e zi të shkëmbimit të territoreve, respektivisht, të ndarjes së Kosovës. Nëse, vërtet, do të ishte e pranueshme shkëmbimi i territoreve, duhet filluar nga -Molla e Kuqe-, kufi i Etnikumit shqiptar dhe assesi brenda kufijve aktual të Kosovës, skajshëm të tkurrur. Kjo nuk do të ishte kurrfarë zgjidhje, madje do të prodhonte tensione e konflikte të vazhdueshme, me rrjedhoja fatale për të sotmen dhe të nesërmen e brezave të dy shteteve fqinj, Kosovës dhe të Serbisë.

Image

A është ndikimi i Donald Trump në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë i mjaftueshëm për të tejkaluar problemet e thella politike dhe ndërkombëtare që ekzistojnë mes dy vendeve?

Idriz Zeqiraj: Partizanë të shkëmbimit të territoreve, më saktë, të ndarjes të Kosovës janë argatët e Hashim Thaçit, pra, shumësia e eksponentëve të PAN-it, nga PDK-ja, AAK-ja, NISMA, me bishtrat e tyre pacollër, molliqër, valonër, me njëfarë Lëvizje për Bashkim dhe horrakër të tjerë, të shantazhuar nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare, për krimet e tyre vrastare, të shqiptarëve të pafajshëm. "Qeni i keq, ta sjell ujkun në torishtë",- thotë një urtësi shqiptare. Dhe, kjo po i ndodhë Kosovës, popullit të saj, edhe pas shumë vuajtjesh e travajash ndër shekuj.

Për mundësinë e kthimit në tavolinën e bisedimeve të idesë "për shkëmbimin e mundshëm të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, e ka komentuar edhe profesori Charles Kupchan, ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë. Dhe shton se "Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, do të angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë". Kjo do të thotë se ideja e hedhur nga banditërit Thaçi, Vuçiq, Rama, për shkëmbimin e territoreve, nuk ka vdekur, "sepse është gjithmonë një opsion", edhe pse shkaku që përmend Kupchan, "problemet e shumta në veri", janë stisje artificiale, të qëllimshme të Serbisë, për të fituatr territor nga Kosova dhe tolerimin e turpshëm që bëjnë BE-ja dhe ndërkombëtarët asaj.

Profesori amerikan Kupchan e laboron më tej qasjen e kreut të Amerikës, për çështjen e pazgjidhura në Ballkan, konkretisht, në Kosovë: "Presidenti i zgjedhur Trump do të vazhdojë përpjekjet që ai filloi gjatë mandatit të tij të parë, për ta çuar topin përpara mes Serbisë dhe Kosovës. Atij i interesojnë vetëm marrëveshjet që i sjellin fitore."

Mendoj se ndikimi i Donald Trump, si përfaqësues i supërfuqisë botërore, Amerikës, për çështjet e mbetura të pazgjidhura, do të ishte i mjaftueshëm, nëse tejkalon burokracinë e BE-së, më saktë, ndikimet e disa shteteve aleate të Serbisë. SHBA duhet ta marrë primatin e dialogut dhe, mbi të gjitha, ta këtë në konsideratë Pavarësinë e Kosovës, në kufijtë ekzistues të saj.

"Emrimi i Richard Grenell si të dërguar për misione të veçanta, nënkupton që ai mund të pëfshihet serish në çështjet mes Kosovës dhe Serbisë", nuk është ogur i mirë për Kosovën, duke ditur flirtet bashkëpunuese të Grenell me Serbinë, madje edhe si këshilltar personal i presidentit serb Vuçiq, ai nuk do të arrijë ta tejkalojë veten për paanësi, në ndarjen e drejtësisë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, Kosova duhet të këtë vëmendje të shtuar, duke mos harruar të kaluaren e afërt.

Vlerësimet sempliste, të panjohura sa duhet, si "ambasadorin Grenell e përzuri Gjermania, për përzierje në punët e saj", janë paushalle. Njerëzit që pretendojnë të merren me politikë, duhet të lexojnë dhe studjojnë me shumë. Grenell është komunikues, natyrë e hapur, i qeshur dhe i dashur, ashtu siç janë njerëzit e sojit të tij. Por, zënkat dhe kundërshtitë me krerët shtetërorë gjermanë, kanë qenë serioze dhe tërësisht parimore. Grenell ishte i drejtëpërdrejtë dhe i tërhoqi vërejtjen palës gjermane, për fajin e madh të hapjes të linjes të -Gaz Promit 2- nga Rusia, duke forcuar ekonominë e saj, me miliardat e eurove të paguara. Gjithashtu ishte edhe kundër tregëtisë të privilegjuar dhe të pakontrolluar të Kinës, që bartnin anijet gjigande prodhimet kineze, për tregun evropian, respektivisht, edhe për Gjermaninë. Ai ishte në plotni dakord me politikën amerikane dhe me kërkesën ngulmuese, që Gjermania të mos favorizojë Rusinë, marrjen e Gazit të saj.

Të njëjtën vërejtje kishte edhe ish-Kancelari historik Helmut Kohl, i cili, vendosmërisht dhe mençurisht, arriti bashkimin e dy Gjermanive, të Atdheut krenar të kombit gjerman. Ishte hera e parë, që ai shfryu kundër krijesës së tij politike, Kancelarës Merkel, me bashkëpunëtorë, për mendjemadhësi e mosmirënjohje ndaj SHBA, pra, mosdëgjim për raportet liberale me Rusinë. Ai bëri deklaratën e madhe, sa reale, aq edhe të famshme, se "pa ndihmën direkte të Amerikës, kurrë nuk do të bëhej bashkimi i shtetit, të Gjermanisë Federale të sotme".

Kosova humbi shansin e artë, kur nuk bëri reagimin e prerë ndaj përfaqësuesëve të BE-së, Borell dhe Lajçak, me ndërprerjen e dialogut me ndërmjetësimin e njëanshëm dhe tërësisht pro serb të tyre. Ndodhi sulmi në Banjskë, u shkel sovraniteti i Kosovës, u krye akti i terrorist, u vra rreshteri i popicisë Afrim Bunjaku. Reagimi fillestar ndërkombëtar, edhe i BE-së, ishte korrekt, në dënimin e aktit supërkriminal. "Të arrestohen dhe ndëshkohen, dënohen kriminelët",- deklaroi Borell.

U kapen, në luftim e sipër, tre kriminelë, u arrestuan për hetime. Policia e Kosovës, e shokuar nga armatimi modern luftarak, filloi kontrollet në lokacionet e dyshuara, që, realisht, rezultonin me gjetje të armatimit faktik. Borell reagoi, ashpër e rrugaçërisht, "Qeveria Kurti po provokon serbët e veriut, me praninë e Policisë të Kosovës", duke bërë edhe kërkesën Parlamentit Evropian, "për vënie të sanksioneve Kosovës, për mos koordinim dhe padëshueshmëri ndaj BE-së!?" Ishte një shpifje e rëndë dhe një padrejtësi proverbiale, sepse, pikërisht, në atë kohë "sanksionet i meritonte Serbia, për agresionin e saj ndaj një shteti sovran, siç është shteti i Kosovës! Këtu, Kosova duhej të ishte e prerë dhe t`i jipte fund dialogut, me ndërmjetësimin e Borrelit.

Ofërta e Qeverisë së Kosovës, për hartimin e një Draft-Statuti për Asociacionin u refuzua. Thanë se u takon serbëve, u krijua edhe Komisioni përkatës, i cili punonte me pagesë të shtetit të Kosovës. Kryetarja e Komisionit, Danjela Vuçiq, deputete në Parlamentin e Serbisë, e dorëzoi Draft-Statutin e Asociacionit në Bruksel. U dëgjua leximi i tij, një Draft skandaloz, i cili e bënte Serbinë hisedare në Kosovë. Kryeministri Kurti, të nesërmen shkarkoi atë "biçim Komisioni", duke ua ndërprerë edhe rrogat. Reagimi i BE-së dhe disa ndërkombëtarëve, ishte hipokrit dhe i poshtër, pa asnjë bazë arsyetimi.

Ajo që bëri përshtypje, me shijen e hidhur helm, ishte vlerësimi që i bëri Mirosllav Lajçak Draft-Statutit, i paraqitur nga deputetja e Vuçiqit, Danjela Vuçiq: "Ky Draft-Statut është një pikënisje e mirë, për dialogun e mëtejmë, për krijimin e Asociacionit",- shkretoi Laiçak!? Bajga e radhës e lëshuar nga Lajçak, kundërmonte tmerrshëm dhe nuk linte asnjë hapësirë, për të vazhduar tutje dialogun me pro-serbin të neveritshëm. Megjithatë, Qeveria e Kosovës e rënë në hall të madh, sepse edhe Opozita destruktive e Kosovës, me ankthin e largimit të Kurtit nga qeverisja, u bë krah i Borrelit, Lajçakut dhe ishte tërësisht në një linjë me Serbinë, e kapërdiu fyerjen cinike, që bëri Lajçaku, me pranimin e Draft-Statutit të Komisionit serb. Lajçaku bëri një Draft të tij për Asociacionin, por herë ia faturonte Scholc-Makron dhe herë e personalizonte. Sidoqoftë, edhe kjo krijesë monstrume, ishte beter e gjëmë për Kosovën.

Mendoj se refuzimi kategorik, i dy ndërmjetësuesëve të BE-së, të zënë në flagrancë, si pro-serb e kundër-shqiptar, në dy rastet e përmendura, për secilin, do të ishte një profilaksi për të tashmen, konkretisht: Presidenti Trump do ta studjonte seriozisht, nëse duhet apo jo të angazhohet serish, Richard Grenell, ne misionin e veçantë, për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Image

A po përdor Vuçiqi çështjen e Kosovës si një mjet për të larguar vëmendjen nga protestat dhe krizën politike në Serbi?

Idriz Zeqiraj: Protestat masive, të rinisë studentore, të qytetarëve të kryeqytetit serb, por edhe të ardhurve nga rajone tjera të Serbisë, në Beograd, dyshohet se Vuçiq, po e përdorë çështjen e Kosovës, për ta anashkaluar dhe shpërfillur krizën politike në Serbi. Qëllimshëm, krizën e brendshme, provon ta spostojë me çështje të jashtme, duke përmendur se pritën çnjohje të pavarësisë të Kosovës nga Afrika dhe Azia. "Kjo është shkelje e marrëvehjes së Brukselit, shkelje e aneksit të Ohrit, kjo është shkelje e zotimeve që palët kanë marrë, në procesin negocius",- thotë profesori Dorajet Imeri.

Një manovër të ngjashme Vuçiq e ka bërë edhe më parë me marrëveshjen e Washingtonit. Analisti Afrim Kasolli porisitë diplomacinë kosovare "t`i përshtatet mendësisë të Presidentit Trump, i cili preferon raportet bilaterale, e jo ato transatlantike, të cilat ishin strategji e Presidentit Joe Biden".

Image

A është e mundur që Lëvizja Vetvendosje të ruajë këtë përparësi të theksuar deri në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, apo mund të ketë një ndryshim të papritur në balancën politike të Kosovës?

Idriz Zeqiraj: Lëvizja Vetëvendosje ka ruajtur një parësi në të gjitha sondazhet, me diferencë të madhe ndaj partive tjera në konkurencë me përqindje votash. Sulmet kundër saj, qysh në nismë të qeverisjes, kanë qenë subjektive, sepse humbësit e mëdhenj, të poshtruar keqas, për qeverisjen kriminale e hajnore, këtu është fjala për PAN-in, me komandantët e saj mujsharë e kriminelë, të cilët me vrasjet numerike të kundërshtarëve politikë shqiptarë, i lënë shumë mijëra familje në gjëmën e përjetshme dhe shtuan jetimët e Kosovës.

Veç kësaj, në përpjekjet e dështuara, për ta rrëzuar qeverinë Kurti, opozita u bë palë me Serbinë, duke e akuzuar atë për "sjellje kriminale", ndaj serbëve në veriun e Kosovës, edhe pse të gjitha masat ishin për shtrirjen e sovranitetit, tërësisht të munguar, madje plotësisht ligjore. Sanksionet e vëna Kosovës, janë rrjedhojë e ankesave të opozitës, ashtu siç u zunë "me pelë për dore", kuadrot partiak të PDK-së, duke e lutur BE-në "të mos hiqen sanksionet, sepse e favorizojnë LVV në zgjedhjet e pritshme!" Të shantazhuarit, me dosje të gatshme, shkonin njëri pas tjetrit, përtej Oqeanit, për t`u lutur tek lubuesit e dikurshëm për Kosovën, tani, të lutën pranë zyrtarëve të lartë amerikanë, për zhbërjen e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë! Kur kthehen, gënjejnë shqiptarët naivë, se lobuan për pranimin në NATO dhe beoçkulla të ngjashme.

Lukunia lehaqene e analistëve, më saktë, banalistëve, vazhdojnë ta zbatojnë porosinë e Baton Haxhiut, bashkimin e opozitës në sulmin frontal kundër Albin Kurtit dhe partisë së tij. Tashmë, nuk bëjnë pushim as në fund-jave, si më parë, për të vjellur, pa cenzurë fare, çfarë t`iu vie në mendjen e tyre të çoroditur. Të, paktën, padronët i paguajnë majmë, për sharjet e tyre, larg çdo etike mediale.

Megjithatë, kjo fushatë-maskaradë elektorale, e filluar e pazakoshme dhe e paligjshme, tre muaj para kohës së caktuar ligjërisht, mohuese e çdo gjëje të pozitës, rrezikon t`u kthehet bumerang opozitës, sidomos, asaj PAN-iste, sinonim i krimit, hajnisë industriale zyrtare dhe rrënimit skandaloz të shtetit të Kosovës. LVV edhe nëse nuk arrinë ta mbajë kuotën e përqindjes aktuale, e parë do të dalë, gjithsesi.

Image

A mund të zgjidhet me sukses problemi i furnizimit me energji elektrike nëpërmjet angazhimit të KOSTT dhe KEDS, apo është ky një problem struktural që kërkon një reformë më të thellë në sektorin energjetik?

Idriz Zeqiraj: Mungesa e energjisë elektrike është një shqetësim i madh për qytetarët. Privatizimi i termocentraleve prodhuese të energjisë, është një faj, që nuk mjafton vajtimi, por duhet bërë korrigjimi, duke i kthyer në pronësi të shtetit. Planifikimi shtetëror, rinovimet dhe shtimi i kapaciteteve prodhuese, është mundësi reale e shtetit dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve. Zyrtarët profesionalë kanë llogaritur se 30 % e energjisë elektrike vidhet. Shtrirja e rrjetit mbitokësor, jep mundësi abuzuese, lidhje-vjedhëse në rrjetë. Krejt ndryshe do të ishte futja e kabllove nëntokësor dhe kjo nuk ka ndonjë kosto të pa përballueshme financiare. Milionat që shpenzohen për 42.000 veteranët e rremë dhe shumësinë e avoketërve matrapazë, në mbrojtjen e të akuzuarëve në Hagë, për kaq vite radhazi, do të ishin të mjaftueshme, për ta bërë këtë shërbim në sigurimin e rrjetit elektrik.

Vënia masive, kohëve të fundit, të aparateve të klimës për ngrohje, ka ngakuar skajshëm rrjetin energjetik. Traf-stacionet ekzistuese, nuk arrijnë të përballojnë shtimin e bizneseve dhe të aparaturave të shumëzuara. Shpenzimi i pakontrolluar i rrymës, sidomos e asaj të papaguar, e vjedhur, është problematike. Në Shqipëri, edhe pse nuk ka për çka lakmohet, për vjedhjen e rrymës, përveç dëmshpërblimit, është aplikuar edhe ndëshkimi me burg. Kjo masë dha koxha efekt.

Qeveria, duke mos pasur qasje direkte në disa sektor prodhues, për arsye të privatizimit nga qeveritë e shkuara, veçsa përcolli shqetësimet tek operatorët KOSTT dhe KEDS, me porosinë për përkushtim të shtuar në terren dhe rregullim të përshpejtuar të prishjeve. Ferizajasit në protestë, përshkak të mos finalizimit të punëve në nënstacionin e ri. Kryeministri Kurti apelon qytetarët të racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike, sidomos nga ora 18.oo deri në mesnatë. Në sistemin energjetik kërkohet një reformë e thellë dhe nuk duhet lënë në vartësi të KOSTT dhe KEDS. Kandidatet për kryeministër të PAN-it, duhet të premtonin shtimin e prodhimit të energjisë elektrike, në vend të premtimit të turpshëm e kriminal, për trefishimin e pagave, për shumë mijëra veteranë të rrejshëm. Pra, thirrje e hapur për vazhdimin e vjedhjes të buxhetit të shtetit! "Kurbani nuk majmet në natën e Bajramit",- porositë populli.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".