Lajçak, e bllokoi tërësisht dialogun Kosovë - Serbi

Lajçak, e bllokoi tërësisht dialogun Kosovë - Serbi
Lajçak, e bllokoi tërësisht dialogun Kosovë - Serbi

Gani Qarri

  • 09 January 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Nga përvoja tre vjeçare, me animet publike pro Serbisë dhe qasjet e vazhdueshme destruktive ndaj Kosovës, Mirosllav Lajçak përveçse u dëshmua publikisht si emisar me qëndrim të hapur pro-serb dhe shkaktoi mosbesim të madh për trajtim të barabartë te pala kosovare, ai bllokoi tërësisht edhe dialogun Kosovë - Serbi, pa treguar pothuajse asnjë sukses thelbësor për tri vjet ndërmjetësimi, ndaj përpos insistimit të mundshëm nga ana e Serbisë e Rusisë, si dhe moskonstituimit me kohë e përfundimtar të udhëheqjes së re të BE-së, nuk duhej të kishte ndonjë arsye tjetër se pse duhej ti vazhdohej mandati një diplomati të dështuar si Mirosllav Lajçak, edhe pse BE, e arsyetoi ndryshe këtë vendim të vetin.

 

-Por me rëndësi për Kosovën, është fakti se mandati i emisarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, sllovakut Mirosllav Lajçak, pas tre vitesh të qëndrimit në këtë post,mbyllet në fund të këtij muaji dhe pas largimit të ish presidentit slloven Bohut Pahor, megjithëse pasardhësi i diplomatit sllovak, ende nuk është emëruar zyrtarisht, dy emrat e diplomatëve të njohur evropian, si finlandezi Pekka Havisto dhe diplomati danez Peter Sorensen, që të dy këta me përvojë në politikën ndërkombëtare dhe të njohur me çështjet e Ballkanit Perëndimor, cilido që të emërohet ndërmjetësues i ri, edhe nëse nuk e mbanë anën e Kosovës, shpresojmë të mos e përkrah as Serbinë si Lajçak e Borell dhe do ta ruaj me konsekuencë, paanësinë diplomatike në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Sidoqoftë lajm i mirë për Kosovën është fakti se pas largimit të emisarit kubanezo-amerikan Gabriel Eskobar ekspozitat e bashkëshortes së të cilit, pas marrjes së mandatit të Eskobarit si emisar special i SHBA-ve në dialogun Kosovë-Serbi, i financonte MPJ e Serbisë, tanimë përfundimisht, do të largohet edhe ndërmjetësi pro-serb i BE-së Mirosllav Lajçak, ndaj shpresojë shumë, që ai të zëvendësohet me diplomatin e njohur finlandez z. Pekka Haavisto, i cili përveçse vjen nga shteti i Ahtisarit dhe një vendi që kufizohet me Rusinë, ai mbanë edhe qëndrim të vendosur ndaj elementit destruktiv rus dhe sllav, si dhe vlerësohet si kandidat i duhur dhe me përvojën më të madhe, për emisar të ri special të BE-së në Ballkan.

Prandaj duke pasur parasysh se emërimi i pasardhësit të Lajçak-ut për dialogun Kosovë-Serbi do të ketë rol të madh, për të mos thënë edhe preferencë vendimtare, për kahen e dialogut dhe përfundimin e tij, në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nga emrat e përmendur: Pekka Haavisto dhe Peter Sorensen, përkundër spekulimeve që zyrtarisht, akoma nuk dihet se kush mund të jetë pasardhësi i diplomatit sllovak, unë personalisht preferojë përzgjedhjen e diplomatit finlandez, Pekka Havisto për pozitën e Emisarit Special të Bashkimit Evropian në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Për faktin se kombinimi i udhëheqësve të lartë në politikën e jashtme të BE-së dhe përcaktimi që do të ndërmerrte rrjedha e ndërmjetësimit krejt ndryshe nga qëndrimet e Lajçakut dhe Josepp Borellit, të dialogut Kosovë-Serbi nga estonezja Kaja Kallas dhe diplomati finlandez Pekka Haavisto, besojë se do të ishte më i miri i mundshëm, duke pasur parasysh se nga dy udhëheqësit e deritanishëm që vinin nga dy vende mosnjohëse dhe me qëndrime jo miqësore ndaj Kosovës, tani do të kemi dy diplomat të mirënjohur, nga dy vende që kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, kufizohen me Rusinë dhe kanë përvojë të ngjashme me ekspansionizmin ruso-sllav, njëjtë si Kosova me ekspansionizmin hegjemonist dhe pretendimet e hapura territoriale të Serbisë fashiste të Millosheviqit dhe pasardhësit të tij, Aleksandër Vuçiq.

Në fakt, emrat e ish-ministrit të Jashtëm të Finlandës Pekka Haavisto dhe diplomatit nga Danimarka Sorensen kanë filluar të përmenden, që nga vera e vitit të kaluar, në kohën kur për Lajçakun ishte caktuar posti i ambasadorit të BE-së në Zvicër, por megjithatë Lajçakut iu vazhdua mandati deri në fund të janarit me arsyetimin nga BE, se emërimi i një të dërguari të ri special për dialogun do t’i lihej shefes së re të diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, e cila nuk ka dhënë shumë detaje rreth rolit të saj në këtë proces – nëse ajo do të emërojë një përfaqësues të ri të posaçëm, apo do ta udhëheqë vetë procesin.

Sa u takon pretendentëve për ndërmjetësues, derisa diplomati i njohur danez Peter Sørensen ishte ambasador i BE-së në Zyrën e Kombeve të Bashkuara e organizata të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, si dhe ka shërbyer si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë, përparësi në përcaktimin e përzgjedhjes së diplomatit finlandez, z. Pekka Haavisto, për ndërmjetësues të ri të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, mund të ketë fakti se diplomati 66 vjeçar Haavisto, një kohë drejtoi edhe Programin e OKB-së për Mjedisin (UNEP) në Kosovë si dhe nga viti 2016 deri në vitin 2019 ka qenë edhe President i Institutit Evropian të Paqes në Bruksel.

Dhe sado që të dy kandidatët janë diplomat të njohur e me përvojë në Ballkanin Perëndimor dhe asnjëri nuk e ka mohuar mundësinë e marrjes së detyrës së vështirë të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, ku gjithçka varet nga disponimi i përfaqësueses së re të lartë dhe Këshillit të BE-së në Bruksel, Pekka Haavisto është një diplomat i lartë finlandez dhe me përvojë të gjatë në karrierë, i cili më parë ka shërbyer edhe si përfaqësues special i BE-së për Sudanin, në negociatat për marrëveshjen e paqes në Darfur, pra një politikan ndërkombëtar, me përvojë dhe i njohur për ndërmjetësime edhe në negociata ndërmjet shteteve si dhe emisar që njeh mirë edhe gjendjen dhe zhvillimet politike në Ballkan, i cili siç u cek edhe më lartë, ka punuar për Programin e Mjedisit të Kombeve të Bashkuara, Unep edhe në Kosovë, andaj ndoshta ka sado pak përparësi për përzgjedhjen e tij edhe si ndërmjetësues i ri i BE-së, në dialogun Kosovë-Serbi.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".