
9 shkurti në Kosovë dhe 11 maji 2025 në Shqipëri të jenë ditët e gjykimit demokratik për politikën dhe korrupsionin


Skender Kapiti
Shkruan: Skender Sadri Kapiti
Është edhe detyrë por edhe kusht që nuk ka nevojë për vertetim, është detyrë demokratike dhe kombëtare që me 9 Shkurt 2025 në Kosovë dhe me 11 Maj 2025 në Shqipëri, në këto dy ditët e referendumeve kombëtare të zgjedhjeve parlamentare, shqiptarët duhet t’i bëjnë gjyqin demokratik të gjithë politikës së tranzicionit. Dhe rezultati i këtij gjyqi demokratik me votë është mosvotimi i kandidatëve për deputetë të atyre kandidatëve të diskredituar, të injorantëve dhe sidomos të atyre me rekorde krimi, hajdutërie dhe korrupsioni.
Pra, me 11 Maj 2025 sidomos në Shqipëri duhet të nxirret e të shpallet “non grata” politika e vjetër e tranzicionit.
Demokracia dhe vota qytetare duhet t’i bëjë Veting-un politikës në ditën e zgjedhjeve, sepse për 4 vite bëhet vonë dhe është e pajustifikueshme pastaj ankesa e opinionit për ata deputetë që vetë qytetarët i votojnë.Për gabimin gjithmonë vuajnë me meritë ata që gabojnë,dhe nëse gabon demokracia në përzgjedhjen dhe në votimin e përfaqëfasuesve të popullit atëhere faji është i zgjedhësve dhe votuesve dhe jo i atyre që “fitojnë”, zgjidhen e votohen.
Një kujtesë për publikun, nga shkrimi im i datës 25 Prill 2018 me titull: “Shqipëria dhe Kosova do të çlirohen nga diktatura e krimit dhe e korrupsionit”:
“… SHBA –të, si aleati më i madh i shqiptarëve gjithnjë dhe pandërprerë i kerkojnë si Shqipërisë ashtu edhe Kosovës që të realizojnë të njëjtat “detyra shtëpie”: luftë kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit; kërkojnë dhe urdhërojnë : ndërtoni shtetin ligjor, dekriminalizoni politikën dhe drejtësinë! Porosisin politikën dhe politikanët shqiptarë : interesohuni për interesin kombëtar dhe atë publik, për zhvillimin e demokracisë dhe për integrimin dhe jo vetëm për interesa personale e klanore pushteti e paraje”!
Pra, si votuesit në Kosovë ashtu edhe ata në Shqipëri duhet t’i kenë parasysh edhe ato se cfarë porosisin dhe këshillojnë aleati strategjik i shqiptarëve, SHBA-të, për demokracinë dhe për cilësinë e kandidatëve për deputetë që duhet të shkojnë në parlamentet e dy shteteve shqiptare
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".