Asociacioni do të jetë ‘top-tema’

Asociacioni do të jetë ‘top-tema’
Asociacioni do të jetë ‘top-tema’

Florim Zeqa

  • 23 January 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Pa dashur të komentoj në tërësi deklaratat e ambasadorit Hill, se dështimi në dialog është më shumë në anën e qeverisë së Kosovës, përveçse e njëanshme, është edhe tendencioze për sanksionim të mëtutjeshëm të Kosovës. Lidershipi i ri i dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit duhet që sa më parë ta demantojë këtë akuzë të Hillit dhe të tjerëve si ai. Kosova duhet të tregohet më bashkëpunuese dhe më kooperuese me bashkësinë ndërkombëtare për të përmirësuar situatën e disfavorshme politike.

 

-Përderisa Hill shpreh zhgënjim për mungesën e progresit në dialog, në vend të akuzave ndaj Kosovës, ai duhet të gjejë rrugën për rikthimin e palëve në dialog të barabartë dhe me reciprocitet të plotë për të drejtat e pakicave. Jo të privilegjohet minoriteti serb në Kosovë dhe në të njëjtën kohë të diskriminohen shqiptarët e Luginës me pasivizim të adresave dhe shpërngulje të detyrueshme nga vendlindja e tyre!

Vërtetë, BE-ja ka humbur ndikimin dhe besueshmërinë në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, andaj kërkohet angazhim i drejtpërdrejtë i SHBA-ve në përmbylljen e këtij procesi të stërgjatur.

Pa marrë parasysh kundërshtimet e shumta brenda Kosovës për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe për prolongimin e kësaj çështje për katër vjet rresht nga qeveria aktuale, në administratën e re amerikane, Asociacioni do të jetë ‘top-tema’ e dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Andaj, edhe optimizmi i ambasadorit Hill aty e ka pikënisjen për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Prandaj, ky është një hap i ri pas përpjekjeve të mëparshme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy popujve në armiqësi të gjatë dhe shekullore.

Dëshëm apo s’deshëm ta pranojmë, me Trumpin president, dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë aty ku kishte mbetur më 4 shtator të vitit 2020 në Washington.

Pa dashur të akuzojë kryeministrin aktual, Albin Kurti, edhe përkundër dëshirës dhe qëllimeve të mira që mund t’i ketë pasur, ia ka humbur Kosovës katër vjet në emër të shtrirjes së sovranitetit në veri me veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët.

Për katër vjet, kryeministri Albin Kurti ka mundur të bëjë shumë punë të mira për vendin pa pasur nevojë të koordinohet me ndërkombëtarët, por jo edhe në veriun e vendit, pasi marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe Asociacionin, janë obligime ndërkombëtare që i ka marrë Kosova me miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Nëse vërtetë Albin Kurti ka pasur dhe ka qëllim parandalimin e krijimit të Asociacionit, hapi i parë duhet të bëhet në Parlamentin e Kosovës, me shfuqizimin e marrëveshjes së 19 Prillit 2013, e jo t’i shkaktojë dëm të pariparueshëm vendit me gjuhën populiste dhe aspak diplomatike.

Shtimi i numrit të forcave të KFOR-it nga vendet aleate të NATO-s në veri, e demanton në plotni Albin Kurtin për “shtrirjen” e sovranitetit në veri.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".