Qeveria të përcaktojnë të paktën dy herë në vit ‘tavanin’ e artikujve ushqimorë

Qeveria të përcaktojnë të paktën dy herë në vit ‘tavanin’ e artikujve ushqimorë
Qeveria të përcaktojnë të paktën dy herë në vit ‘tavanin’ e artikujve ushqimorë

Florim Zeqa

  • 04 February 2025 - 07:05

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Bojkotet e produkteve ushqimore nga konsumatorët nuk janë një mjet efikas për të nxitur ndryshime në çmimet e produkteve dhe as një zgjidhje për problemin e rritjes së pakontrolluar të çmimeve. Përkundrazi, ato mund të kenë pasoja negative për konsumatorët dhe punonjësit e sektorit përkatës.

 

-Arsyeja kryesore pse çmimet e produkteve bazë në Kosovë janë rritur kaq shumë në krahasim me pagat është mungesa e inspektorëve financiarë. Ky vakum është shfrytëzuar nga bizneset për të abuzuar me ngritjen drastike të çmimeve!

Në këtë aspekt ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si importimi i produkteve ushqimore nga jashtë dhe krijimi i krizave artificiale, duke pretenduar mungesë të artikujve të caktuar që përdoren në jetën e përditshme të popullatës në Kosovë.

Mund të jetë e kuptueshme rritja e çmimeve të derivateve, por jo edhe ajo e miellit, bukës, qumështit dhe produkteve të tij.

Duhet të jetë shteti, përkatësisht qeveria dhe ministria e ushqimit, që të përcaktojnë të paktën dy herë në vit ‘tavanin’ e çmimeve të artikujve ushqimorë.

Siç dihet, iniciativës për bojkot të dyqaneve të mëdha, për shkak të abuzimit me çmime, do t’i bashkohen edhe përfaqësues të konsumatorëve në Kosovë. Ata theksojnë se masat duhet të merren me urgjencë, ndërsa qytetarët shprehin shqetësimin për pagat e ulëta dhe çmimet e larta, të cilat, sipas tyre, kanë varfëruar shumë familje.

Çmimet e larta janë bërë një problem serioz për ekonomitë familjare në Kosovë. Qytetarët me të drejtë i adresojnë shqetësimet e tyre për shporta të varfëruara, pasi pagat aktuale jo vetëm që nuk i mbulojnë shpenzimet familjare, por i vënë në vështirësi kryefamiljarët për sigurimin e kushteve elementare për familjet e tyre.

Nëse e krahasojmë pagën e sotme me atë të para katër apo pesë vjetësh, e shohim sa ka rënë fuqia blerëse në Kosovë. Artikujt kryesorë bazë, që përdoren në jetën e përditshme, janë rritur 100 për qind. Për shembull, një burek në furrë para tre vitesh ka kushtuar 70 cent, ndërsa tani është 1 euro e 40 cent, që do të thotë një rritje prej 100 për qind. Po ashtu, edhe çmimi i një kafeje në lokal është dyfishuar krahasuar me katër vite më parë.

Duke qëndruar te krahasimi me kafenë, në Itali bizneset e vogla kishin paralajmëruar rritjen e çmimit të kafesë me 100 për qind, por falë ndërhyrjes së shtetit, çmimi mbeti i pandryshuar, madje edhe sot mbetet më i liri në vendet e Bashkimit Evropian (1.30-1.40 euro).

Zgjidhjen e këtij problemi nuk e shoh tek bojkoti, por tek masat institucionale, përmes vendosjes së një kontrolli të plotë mbi çmimet e bizneseve vendore.

Ndërhyrja e qeverisë duhet të jetë e menjëhershme, që të dalë në mbrojtje të konsumatorëve dhe të mos lejojë rritjen e pakontrolluar të çmimeve. Është detyrë e shtetit të subvencionojë bizneset e vogla, në mënyrë që edhe ato të jenë konkurruese në treg, e jo të mbisundojnë bizneset e mëdha me çmimet e larta.

Sërish duke iu kthyer çështjes së kafesë, në Itali, në çdo lokal, qoftë ai një bar i vogël apo një restorant i madh, çmimi i kafesë është i njëjtë. I tillë duhet të jetë edhe në Kosovë.

Tavani i çmimeve të artikujve të përditshëm duhet të jetë i njëjtë si në marketet e vogla, ashtu edhe në ato të mëdha. Në të kundërtën, nëse qeveria nuk ndërhyn, bizneset e vogla do të shuhen dhe do të mbeten vetëm bizneset e mëdha të oligarkëve ekonomikë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".