Zeqa: Vetëvendosje nuk mund ta formojë Qeverinë e re vetëm me pakicat

Zeqa: Vetëvendosje nuk mund ta formojë Qeverinë e re vetëm me pakicat
Zeqa: Vetëvendosje nuk mund ta formojë Qeverinë e re vetëm me pakicat

Florim Zeqa

  • 11 February 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Rezultatet preliminare të ‘Demokracia në Veprim’ për zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë të njëjta dhe identike me ato që unë i parashikova një muaj më parë. Kjo më bën të ndjehem mirë për saktësinë e barometrit tim politik, i bazuar në situatën reale dhe jo në dëshirat e partive politike.

 

-Bazuar në rezultatin preliminar të DnV, ku e para që e prin listën është Lëvizja Vetëvendosje, e dyta PDK, e treta LDK dhe e katërta AAK, rezultat i cili nuk pritet të pësojë ndryshime të mëdha edhe pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të diasporës, atëherë Lëvizja Vetëvendosje duhet me patjetër të mendojë për një koalicion më të gjerë paszgjedhor.

Duke iu referuar rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, edhe pse partia e parë, nuk do të mund ta formojë Qeverinë e re vetëm me pakicat, duke përjashtuar Listën Serbe, për shkak se do t'i nevojitet edhe një partner nga tre partitë opozitare.

Janë rezultatet e zgjedhjeve që e imponojnë ndryshimin e qasjes së Lëvizjes Vetëvendosje ndaj partive opozitare për të evituar ngërçin politik në formimin e institucioneve të reja shtetërore në përputhje me vullnetin e qytetarëve.

Në anën tjetër, edhe tre partitë opozitare së bashku, pa Listën Serbe, vetëm me minoritetet, nuk mund të formojnë qeveri dhe as institucione kredibile.

Dita e mirë e zgjedhjeve duhet të pasohet me një epilog të mirë paszgjedhor, i cili, jo vetëm që krijon imazh të mirë për vendin, por krijon premisa të një qeverisje stabile edhe për katër vitet e ardhshme.

Problemet teknike në “Softwarin” e KQZ-së i vënë hije të zezë një procesi të bukur zgjedhor, të lirë dhe demokratik, ndër më të mirët në Kosovën e pasluftës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".