
Kosova nuk ka asnjë arsye të paguajë çmim për një marrëveshje finale me Serbinë


Florim Zeqa
Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa
Shqetësimet e ngritura nga profesori amerikan dhe njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, lidhur me qëndrimet e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, mbi luftën në Ukrainë dhe integritetin territorial të këtij shteti, përkatësisht mundësinë e ndarjes territoriale të Ukrainës dhe ndikimin dramatik që kjo mund të ketë në Ballkan, janë të arsyeshme dhe duhet të merren seriozisht nga spektri politik i vendit tonë.
-Siç e parasheh Serwer, mundësia që Serbia të përpiqet të marrë territor nga Bosnja dhe Kosova në rast të ndarjes së Ukrainës, siç ka propozuar Pete Hegseth, paraqet një rrezikshmëri të lartë për vendin tonë.
Kur kësaj t’i shtohen edhe aspektet e ndarjes së sferave të interesit në Ballkan mes fuqive botërore, në këtë rast mes SHBA-ve dhe Rusisë, mundësia e përdorimit të Kosovës si 'monedhë për kusuritje' territoriale dhe politike duhet të jetë një çështje shqetësuese dhe mbase jetike për të ardhmen e shtetit të Kosovës.
Andaj, qëndrimi i Hegseth lidhur me Ukrainën dhe stabilitetin e Kosovës duhet të trajtohet me seriozitet të madh dhe kujdes maksimal nga liderët tanë shtetërorë.
Në rast se realizohen ndarjet territoriale në Ukrainë, siç janë propozuar nga Hegseth, atëherë mund të sfidohet seriozisht siguria e brishtë e Kosovës dhe e forcave ndërkombëtare të dislokuara në vendin tonë.
Kjo klasë politike në pushtet dhe opozitë pas procesit zgjedhor ka mundësinë historike për të krijuar rrethanat e favorshme për Kosovën, duke përmbyllur një kapitull të vështirë me Serbinë.
Kjo është e mundur duke lënë mënjanë inatet personale dhe interesat partiake për të krijuar një konsensus kombëtar në ndërtimin e një qeverie të qëndrueshme dhe të përgjegjshme, konform rezultateve zgjedhore. Kjo do të thotë që partia fituese e zgjedhjeve ka primatin për të formuar Qeverinë e re, e jo anasjelltas.
Kjo duhet të ndodhë brenda afateve të rregullta kohore të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pasi jemi në prag të një procesi të rëndësishëm historik të vendimmarrjes në dialogun me Serbinë, me ndërmjetësim dhe garanci të fuqishme ndërkombëtare për moscenueshmërinë e territorit dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës.
Kosova nuk ka asnjë arsye të paguajë çmim për një marrëveshje finale me Serbinë. Përkundrazi, duhet të kërkojë dëmshpërblim nga Serbia për dëmet e luftës, për plaçkitjen dhe shkatërrimin masiv të pronave publike dhe ndërmarrjeve private të shqiptarëve gjatë viteve 1998-1999.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".