Vizita e Sorensen nuk pritet të sjellë një qasje të re në dialog

Vizita e Sorensen nuk pritet të sjellë një qasje të re në dialog
Vizita e Sorensen nuk pritet të sjellë një qasje të re në dialog

Florim Zeqa

  • 18 March 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Kjo është vizita e parë e përfaqësuesit të veçantë të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, për dialog që prej se ai mori detyrën më 1 shkurt, kur e trashëgoi Miroslav Lajçakun. Si e tillë, për më tepër, duhet kuptuar si vizitë informuese sesa të karakterit operacional!

 

-Pasi ai duhet të presë formimin e qeverisë, për të vazhduar më pas përgatitjen e dialogut mes dy vendeve. Kur kësaj t’i shtojmë edhe situatën tensionuese dhe përshkallëzimin e protestave në Serbi, nuk premton rifillim të shpejtë të dialogut, atëherë pritjet e Sorensenit do të zgjasin më shumë se përtej formimit të Qeverisë së Kosovës.

Liderët shtetërorë dhe partiakë të Kosovës duhet të shfrytëzojnë rastin e vizitës së përfaqësuesit të veçantë të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, për t’i kërkuar atij heqjen e masave të padrejta sanksionuese të BE-së ndaj Kosovës, paraprakisht çdo kërkese eventuale.

Duke pasur parasysh tensionet e fundit në rajon, kjo vizitë mund të shfrytëzohet si një përpjekje e BE-së për të rritur presionin mbi palët për një marrëveshje të shpejtë për temat e hapura me Serbinë.

Mirëpo, pas dështimit të ndërmjetësit paraprak, sllovakut Miroslav Lajçak, Bashkimi Evropian nuk e ka autoritetin dhe ndikimin e duhur për të qenë ndërmjetës efektiv në dialog, pasi e ka humbur besueshmërinë në sytë e Kosovës.

Andaj, vizita e parë e Peter Sorensen në Kosovë nuk pritet të sjellë një qasje të re në dialogun Kosovë-Serbi pa ndryshimin e çasjes së BE-së ndaj Kosovës.

Që do të thotë, se BE-ja fillimisht duhet të bëjë presion te 5 shtetet mosnjohëse të Kosovës, që të kthehet besimi dhe shpresa për një qasje më unifikuese të Bashkimit Evropian me përfshirjen e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në gjirin e saj.

Thënë ndryshe, Sorensen nuk do ta ketë aspak të lehtë ta bindi lidershipin kosovar pa ndryshimin e plotë të çasjes ndaj dialogut, që do të thotë se presionin unilateral të Lajçakut duhet ta kthejë në presion bilateral dhe me trajtim të barabartë të palëve në dialog. Në të kundërtën, e pret fati i pararëndësit të tij dhe do ta përmbyllë mandatin politik pa asnjë rezultat në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Mbetet të shpresojmë që vizita dyditore dhe e parë e përfaqësuesit të veçantë të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, në Kosovë do t’i japë impulset e para pozitive të ndryshimit të çasjes së Bashkimit Evropian ndaj dialogut, për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme si kusht për normalizimin e përhershëm të raporteve ndërfqinjësore dhe ndër-etnike në Ballkan.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".