Diferenca mes LVV-së dhe partive opozitare, dëshmon se prapë ka një opozitë të dobët

Diferenca mes LVV-së dhe partive opozitare, dëshmon se prapë ka një opozitë të dobët
Diferenca mes LVV-së dhe partive opozitare, dëshmon se prapë ka një opozitë të dobët

Gani Qarri

  • 19 March 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Çlirimi, pavarësia dhe krijimi i Shtetit të Kosovës ishte e arritura më e madhe e shekullit për shqiptarët e Kosovës dhe jo vetëm. Megjithatë, rrugëtimi ynë historik për të arritur deri te kjo që kemi sot, falë gjakut, mundit dhe të gjitha përpjekjeve të disa gjeneratave shqiptare, që tash e disa vite po e gëzojmë, na ka kushtuar kaq shumë. Veprimet e disa politikanëve dhe partive të inkriminuara, të cilat po mashtrojnë edhe votuesit, kanë filluar të zbehin dhe të humbin kuptimin e vërtetë, veçanërisht përmes aventurave të partive të inkriminuara opozitare, duke shitur tokat e Kosovës në të gjitha anët dhe duke përpjekur, madje edhe paguar firma të huaja me paratë e taksapaguesve të vendit, për ndarjen dhe ricopëtimin e Kosovës. Kjo nënkupton se nga politika e kriminalizuar në vend, është e rrezikuar edhe garancia e votës së lirë!

 

-Kjo dukuri shqetësuese, nga një aventurë e rrezikshme, u shndërrua në agjendë publike të PDK-së, pa votën as vullnetin e qytetarëve, veçanërisht nga forumi i vendeve të Ballkanit Perëndimor më 25 korrik 2018 në Alpbach të Austrisë, kur Hashim Thaçi kërkoi publikisht ndarjen e Kosovës. Po ashtu, me aventurën e Thaçit, prapa shpinës së qytetarëve të Kosovës, këshilltarja e tij dhe e Kadri Veselit, Dhurata Hoxha, në emër të ministres për "Integrim Evropian" në qeverinë e PAN-it të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, paguante firmën franceze Majorelle PR & Events, me parat e taksapaguesve tanë, për propagandimin e ndarjes së Kosovës në kryeqytetet botërore, për çfarë dhe ishte akuzuar nga Prokuroria e Kosovës.

Për më keq, përveç faljes së 2500 hektarëve tokë të Kosovës në rajonin e Debelldesë nga partitë e inkriminuara të FYROM-it, Ramush Haradinaj ia fali edhe Kullën e Çakorrin me 8300 hektarë të tjera tokë autoktone të Kosovës në Malin e Zi, duke manipuluar një popull të sapoçliruar edhe në liri, pa pyetur për votën as vullnetin e qytetarëve të Kosovës, që kanë kaluar nëpër vuajtje dhe sprova të rënda e sfiduese, si pjesë e një etnie të shumëvuajtur dhe të ndarë e copëtuar në disa shtete, siç jemi ne shqiptarët.

Andaj, me këtë rast, vërtet është me rëndësi jetike të përmendet edhe keqpërdorimi i fundit industrial i votave të diasporës, kryekëput nga LDK, e cila edhe në vitin 2021, sipas analistit Mushkolaj, kishte vjedhur adresat e mërgimtarëve dhe manipuluar me shumëfishimin e formularëve, duke votuar nga Peja në emër të tyre, futur në zarfa formularët e plotësuar në Pejë dhe dërguar me autobusë nga Peja në Austri, prej nga dikush i LDK-së i kishte pranuar dhe dorëzuar në postën austriake, për t’i dërguar ato "si vota të diasporës nga Austria në Kosovë". Ky akt ishte akuzuar nga Prokuroria e Kosovës.

Përkundër të gjitha manipulimeve, diferenca e konsiderueshme mes LVV-së dhe partive opozitare, dëshmon se Kosova, prapë ka një opozitë të dobët, e cila nuk mund ta sfidojë qeverinë në mënyrë efektive. Andaj, duke pasur parasysh historinë e tensioneve zgjedhore në Kosovë, garancitë e KQZ-së për integritetin e procesit zgjedhor nuk duket të jenë të mjaftueshme, bindëse as të besueshme për të shmangur kontestimet politike. Po ashtu, duke pasur parasysh se vetëm në një kuti të rinumëruar votimi në Vushtrri janë gjetur hiq më pak se 248 fletëvotime të manipuluara, do të ishte e udhës që të gjitha votat e dërguara për postë të anulohen dhe të votohet vetëm në përfaqësitë e Kosovës, ku janë të pranishëm vëzhguesit e të gjitha partive dhe mundësitë për manipulime janë të kufizuara apo të paktën minimale.

Sipas KQZ-së, më 9 shkurt kanë votuar gjithsej 966 mijë e 283 votues, apo 46.54%. Nga këto vota, LVV me Albin Kurtin ka marrë 396 mijë e 387 vota, apo 42.30%. PDK me kandidat për kryeministër Bedri Hamzën ka marrë 196 mijë e 474 vota, apo 20.95%. LDK me Lumir Abdixhikun ka marrë gjithsejtë 171 mijë e 357 vota, apo 18.27%. AAK-NISMA ka marrë 66 mijë e 256 vota, apo 7.06%, dhe Lista Serbe ka marrë 39 mijë e 915 vota, apo 4.26%.

Derisa ekzistojnë prova publike për manipulime, përkundër shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit nga KQZ, të miratuara me 10 vota për, shpjegimet e Radoniqit se shpallja e rezultateve është bërë pas marrjes së dritës së gjelbër nga PZAP e Gjykata Supreme dhe se pavarësisht problemeve e vonesave, në asnjë mënyrë nuk është cenuar integriteti i zgjedhjeve, deklarata e tij bie poshtë dhe nuk është e besueshme. Andaj, do të ishte mirë që votimi me postë të ri-organizohej në përfaqësitë e shtetit jashtë vendit, ose të paktën të përsëritej, me një mbikëqyrje dhe kontrollë më serioze e profesionale, për përjashtimin e mundësisë së manipulimeve masive dhe garantimin e qytetarëve se vota e tyre është e paprekur dhe e sigurt në autenticitetin e saj.

Vetëm në këtë mënyrë, përveç lirisë që gëzojmë dhe shtetndërtimit tonë të suksesshëm, të gjitha arritjet tona shembullore që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe vulosja e saj me vendimin e datës 22 korrik 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila si instanca më e lartë gjyqësore dhe juridike e OKB-së, konfirmoi botërisht se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, do të kishin njëmend kuptim dhe do të garantonin se në vendin tonë, përveç zhvillimit shembullor të demokracisë si demokracia më e arritur në rajon, respektohet plotësisht edhe vullneti i qytetarëve dhe paprekshmëria e votës së lirë!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".