Qeveria e ardhshme e Kosovës, nuk guxon t’i rrezikojë më raportet me aleatin kryesor SHBA-të

Qeveria e ardhshme e Kosovës, nuk guxon t’i rrezikojë më raportet me aleatin kryesor SHBA-të
Qeveria e ardhshme e Kosovës, nuk guxon t’i rrezikojë më raportet me aleatin kryesor SHBA-të

Gani Qarri

  • 16 April 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Në fakt, sa u takon marrëdhënieve të vendit tonë me SHBA-të, jo vetëm heqja e tarifave ekonomike, por edhe vendimet politike të shtetit tonë, në mënyrë që ato të kenë sukses, duhet të jenë në harmoni sa më të madhe me këshillat dhe sugjerimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Andaj, shihet qartë se qëndrimet aktuale qeveritare kanë nevojë për një kthesë urgjente dhe të prekshme, jo vetëm në deklarata, por edhe me veprime praktike për t’i dhënë mesazh Serbisë dhe BE-së, se Kosova vijon ta gëzojë mbështetjen dhe përkrahjen e palëkundur ekonomike, politike, si dhe atë ushtarake, edhe pas ndryshimeve më të reja të këtij shteti mik dhe shpëtimtar të Kosovës, në luftë dhe në paqe.

 

-Përndryshe, nëse Kosova, edhe në momentet kur marrëdhëniet me SHBA-të, dihet mirë se nuk janë më në nivelin që ishin dikur dhe që duhet të jenë edhe tani, vazhdon t’i mbajë në fuqi ligjet e UNMIK-ut dhe trajton Serbinë më mirë se SHBA-të në aspektin tregtar, kjo jo vetëm që mund të interpretohet, por faktikisht mund të konstatohet me argumente autentike si një rrëshqitje tepër e madhe nga prioritetet strategjike të shtetit të Kosovës në politikën e saj jetike, me tendencë për mbyllje të brendshme dhe sjellje e qëndrime kontradiktore në politikën e jashtme të vendit, e cila do ta dëmtonte, më së rëndi, jo Serbinë, as SHBA-të, por vetë Kosovën dhe atë në të gjitha drejtimet.

Përveç moszbatimit të projektit të gazit amerikan, që tani, kur po përballemi me rritje të çmimeve dhe krizë energjetike, po dëshmohet se ishte një nga gabimet më të rënda që ka bërë Qeveria Kurti, edhe refuzimi i heqjes së tarifave ekonomike ndaj SHBA-ve është një gabim i pafalshëm. Andaj, Qeveria e ardhshme e Kosovës, cilado qoftë ajo, e Kurtit apo ndonjë kompozicioni tjetër politik, nuk guxon t’i rrezikojë më, për asnjë arsye, raportet me aleatin kryesor dhe të gjithanshëm të vendit tonë, SHBA-të, madje për asgjë dhe asnjë çmim, se lëre më për të ashtuquajturin "neutralitet" ekonomik, i cili për fatin e keq të vendit tonë, ende vazhdon ta ruajë favorizimin e Serbisë fashiste.

Dhe derisa Presidentja e vendit, Dr. Vjosa Osmani, ka folur publikisht për heqjen e tarifës për prodhimet amerikane, nëse këto nuk janë qasje periodike të keqkuptimeve politike për shkak të pozitave dhe mandateve fragjile shtetërore ndërmjet Qeverisë dhe Presidencës, dhe nga ana e Qeverisë ka pasur vërtetë refuzim për heqjen e tarifave ndaj Amerikës, derisa, fatkeqësisht, Kosova edhe nën drejtimin e Qeverisë Kurti ligjërisht ka zero tarifa ndaj Serbisë hegjemoniste, e cila, edhe 26 vite pas përfundimit të luftës, shpreh pretendime të hapura territoriale ndaj vendit tonë, ndërsa mban në fuqi tarifat e UNMIK-ut ndaj SHBA-së, kjo, ashtu siç ka thënë edhe Presidentja, është jo vetëm turp i madh, por dhe akt konspirativ, që duhet shqyrtuar seriozisht nga elita e vendit dhe kundërshtuar edhe me protesta masive nga qytetarët e Kosovës!

Refuzimi i propozimit të Presidentes Osmani për heqjen e tarifave ndaj SHBA-ve, aleates tonë më të madhe në të gjitha kohët, nëse vërtetë ai propozim është refuzuar nga ana e Qeverisë në detyrë, përbën jo vetëm një damkë të thellë të përçarjes së brendshme politike, por është edhe një akt i paprecedent që dëmton rëndë interesin shtetëror dhe kombëtar të Republikës së Kosovës!

Dhe kjo, ashtu siç shprehet edhe Presidentja e vendit, nuk ka të bëjë më me arsyetimet banalizuese të të ashtuquajturave "çështje fiskale", por me dëmtimin e qëllimshëm të partneritetit me SHBA-të, aleaten kryesore të çlirimit, shtetndërtimit dhe të sigurisë së Republikës së Kosovës, që nënkupton dëmtimin e aleancës më strategjike për Kosovën. Përndryshe, në prill të vitit 2025, nëse Kosova mban zero tarifa ndaj Serbisë dhe vendos tarifa ndaj aleatit të saj ekzistencial, SHBA-ve, ky akt misterioz nuk është më turp vetëm për Qeverinë, por edhe mosmirënjohje publike, keqpërdorim fatal dhe tradhti e lartë ndaj aleatit tonë kryesor, pa të cilin nuk do të arrinim çlirimin e vendit, lirinë, pavarësinë, njohjet, as shtetin që gëzojmë sot!

Prandaj, në vend që të mirëpritet një propozim i tillë dashamirës dhe largpamës për vendin, nga Presidentja e Kosovës, propozim që në fakt edhe po të ishte shprehur nga qytetarët kur është në pyetje raporti me SHBA-të, partneriteti me të cilat nga i palëkundshëm, siç shpresohej, po kthehet në agoni të rrezikshme, do duhej të pranohej dhe zbatohej menjëherë nga Qeveria. E lëre më kur shfaqet publikisht nga Presidentja e vendit, e cila ka dëshmuar në vepër se mbron dhe përfaqëson në mënyrën më efektive dhe më të mirë të mundshme interesat e Kosovës, veçanërisht në ruajtjen e marrëdhënieve të mira me miqtë tanë jetik ndërkombëtar, si SHBA-të. Kjo është vërtet një enigmë, e cila kërkon shpjegim urgjent dhe orientim parimor nga njerëz profesionistë të ekonomisë dhe politikës, për të rehabilituar sa më parë marrëdhëniet me Amerikën, duke filluar me zbatimin e projektit për gazin amerikan, heqjen e tarifave dhe ndërmarrjen e çfarëdo mase tjetër të nevojshme që do të ndihmonte.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".