Oroshi: Presidentja është përgjegjëse për sukseset dhe dështimet e Qeverisë

Oroshi: Presidentja është përgjegjëse për sukseset dhe dështimet e Qeverisë
Oroshi: Presidentja është përgjegjëse për sukseset dhe dështimet e Qeverisë

Nue Oroshi

  • 16 April 2025 - 23:33

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Fillimisht, dua të theksoj se Presidentja Vjosa Osmani nuk mund të pastronte duar nga veprimet që bën Qeveria Kurti. Si në aspektin pozitiv ashtu edhe në atë negativ, Presidentja Osmani është përgjegjëse e barabartë për sukseset dhe dështimet e Qeverisë Kurti. Ishte pikërisht Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që e bëri Albin Kurtin Kryeministër, dhe ishte Albin Kurti që e bëri Vjosa Osmanin Presidente. Kjo dyshe politike erdhi me parullën e ndryshimit qeverisës. Por si duket, të dy kanë harruar ta bëjnë një marrëveshje politike parazgjedhore ku do të fokusoheshin në veprimin e përbashkët qeverisës katërvjeçar.

 

-Vjosa ka bërë gabim që, kur ka bërë marrëveshjen për të dalë në zgjedhje në listën e VV-së, nuk ka qartësuar asgjë se si do të qeveriset në katër vitet e ardhshme dhe si do të jenë marrëdhëniet me miqtë tanë. Ajo është dashur ta bëjë këtë në mënyrë të shkruar, përmes një marrëveshjeje të veçantë. Tash, që po shihet qartë se raportet mes Presidentes dhe Kryeministrit janë të prishura, ata nuk duhet ta sulmojnë njëri-tjetrin për shkak të marrëdhënieve me Amerikën. Por problemet e brendshme duhet të mbesin probleme personale të politikanëve; ato nuk duhet ta dëmtojnë reputacionin e Republikës së Kosovës në aspektin ndërkombëtar.

Me një fjalë, dua të them se, si për sukseset ashtu edhe për dështimet që kanë institucionet e Republikës së Kosovës në këtë katërvjeçar, përgjegjës janë dy persona: Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, të cilët e sollën njëri-tjetrin në pushtet — njëra Presidente dhe tjetri Kryeministër. Presidentja nuk ka përgjegjësi për Qeverinë e re që do të themelohet, për faktin se në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ajo nuk ishte pjesë e koalicioneve politike, por ishte në rolin e Presidentes.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".