Zeqa: Dështim i planifikuar i partisë fituese!

Zeqa: Dështim i planifikuar i partisë fituese!
Zeqa: Dështim i planifikuar i partisë fituese!

Florim Zeqa

  • 21 April 2025 - 16:53

Shkruan: Florim Zeqa

Për dallim nga seanca e kaluar e Kuvendit të 19 Prillit, kur u votua për kandidaten e partisë fituese, znj. Albulena Haxhiu për Kryetare të Kuvendit, sot ndodhi veprimi i njëanshëm dhe skandaloz i LVV-së, e cila përmes kryesuesit të përkohshëm të Seancës e pamundësoj votimin e deputetëve në Kuvend!

Situatë e paprecedent në Kuvendin e Kosovës!

LVV-ja duke qenë e bindur se nuk i ka votat e mjaftueshme për mandatarin e Qeverisë, e zgjodhi dështimin e planifikuar të zgjedhjes eventuale të Kryeparlamentares, për të përfituar në kohë derisa t’i kryej pazaret politike me partitë minoritare për votimin e Qeverisë!

Përderisa në seancën e 19 prillit, me votën kundër, por edhe me abstenim, partitë rivale u bën përgjegjëse të drejtëpërdrejta duke e ndihmuar agjendën e Albin Kurtit për vazhdimin e ngërçit politik, sot nuk e patën atë mundësi, pasi ua hoqi Albin Kurti nga frika e votimit eventual të Albulena Haxhiut apo të ndonjë kandidature tjetër më konsensuale për zhbllokimin e punës së Kuvendit!

Mirëpo, Albin Kurti duke qenë i bindur se nuk i ka votat dhe as mbështetjen e shumicës parlamentare për formimin e Qeverisë, po e përdor postin e Kryeparlamentarit për të fituar kohë të pacaktuar, me shpresën e peshkimit të ndonjë deputeti nga partitë rivale!

Albin Kurti e di mirë, që nga momenti i zgjedhjes së Kryeparlamentarit, akrepat e orës fillojnë të numërohen mbrapsht kundër tij!

Andaj, Albin Kurti është i interesuar që t’a shtyjë sa më gjatë zgjedhjen e Kryeparlamentarit, për të mos filluar afati kushtetues prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë!

Pra, problemi nuk qëndron tek emri i kryeparlamentarit, por të sigurimi i votave të nevojshme për formimin e Qeverisë, vota të cilat aktualisht i mungojnë edhe kundërshtarëve të Albin Kurtit, të cilët nuk e kemi të drejtën as t’i quajmë Opozitarë pa konstituimin e Kuvendit!

Kjo edhe është arsyeja e ngërçit politik në Kuvend, i cili, pa marrëveshje politike do ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme! Në këtë rast, kërkohet ndihma e Gjykatës Kushtetuese, për ta evituar ngërçin politik apo edhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, e cila mund t’na sjellë në një paradoks të ri, me propozimin e një ‘qeverie të re teknike’ përmes “Zarfit” famoz, i cili na kishte sjellur për Presidente një police të thjeshtë të Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".