
TURPI I PAFUND I DEPUTETËVE TË PARLAMENTIT TË KOSOVËS!


Ismail Muçiqi
Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi
Se me të vërtetë vlera e njeriut, kontributi dhe veprimtaria nuk çmohen e nuk respektohen, e dëshmon më së miri anashkalimi i lajmit për vdekjen e zonjës Kaqusha Jashari, ish-deputete e Parlamentit të Republikës së Kosovës. Ditën kur ndërroi jetë zonja Jashari, deputetët e Parlamentit të Kosovës ishin në mbledhje për zgjedhjen e Kryetarit të Parlamentit dhe të Institucioneve të reja të Kosovës.
Është e dhimbshme për kohën në të cilën jetojmë dhe e pajustifikueshme që askujt nuk i ra ndër mend që ta nderojë me një minutë heshtje figurën, kontributin dhe veprën e zonjës Kaqusha Jashari, e cila ishte njëra ndër gratë e para në politikën e Kosovës dhe la gjurmë të thella në jetën shoqërore, politike e publike të vendit. Ky moment flet qartë se deputetët e këtij Parlamenti, të cilët tashmë janë bërë horë duke e bllokuar formimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, janë të përkushtuar vetëm për interesat e tyre karrieriste, për të rrëmbyer pozita në pushtet, e jo për të treguar ndonjë ndjenjë humane e njerëzore ndaj ish-deputetëve dhe gjeneratave të kaluara, të cilët kanë punuar me përkushtim për interesin e popullit dhe të Shtetit të Kosovës. Një gjeneratë që ka marrë përgjegjësinë të jetë pjesë e politikës dhe e Institucioneve të Shtetit, e cila nuk çmon gjeneratat e mëhershme që udhëhoqën Kosovën dhe sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e saj, vështirë se mund të sjellë ndonjë të mirë për të ardhmen e ketij vendi.
Edhe më parë kemi shkruar se shoqëria Kosovare po përballet me probleme serioze në ndërtimin e identitetit dhe kulturës së kësaj gjenerate, e cila asesi nuk po arrin të dëshmojë se është në rrugën e duhur për të ndërtuar vlera humane dhe njerëzore, e as që është e përgatitur për sfidat e kohës. Prandaj, defektet e shoqërisë kosovare burojnë nga familja, shkolla, rrethi shoqëror dhe vetë rendi shoqëror i një shteti që pretendon të jetë demokratik. Të gjitha këto reflektohen edhe në gjendjen aktuale të politikës në Kosovë – nga pushteti lokal e deri në piramidën e Parlamentit – i cili është shndërruar në një tragjikomedi që luan me ndjenjat dhe me votën e popullit. Kjo është gjendja aktuale që kërkon shërim, nga familja e deri në majat e politikës së shtetit.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".