Seriali i 19 episodeve të amoralitetit politik!

Seriali i 19 episodeve të amoralitetit politik!
Seriali i 19 episodeve të amoralitetit politik!

Ismail Muçiqi

  • 22 May 2025 - 14:54

Shkruan gazetari Ismail Muçiqi

Të thirresh në emër të popullit, e në anën tjetër të veprosh kundër interesit të tij, është hipokrizi. Parlamenti i Republikës së Kosovës po hyn në librin e “Guinness”-it me 18 seanca të dështuara për ta zgjedhur Kryetarin e Parlamentit. Gjatë historisë së ndërtimit të rendit shoqëror në shtete të ndryshme të botës, me sisteme të ndryshme politike, nuk mbahet mend që deputetët e një parlamenti të dështojnë 19 herë për t’i konstituuar institucionet e vendit. Kjo, për herë të parë, po ndodh në Republikën e Kosovës, ku të ashtuquajturit deputetë të partive politike, me vetëdije të plotë, po e bllokojnë shtetin dhe po veprojnë kundër interesit të qytetarëve.

Ky soj njerëzish të papërgjegjshëm dhe pa dinjitet nuk skuqet fare nga turpi që po bën para qytetarëve —të shqetësuar dhe të brengosur për sjelljet dhe veprimet e tyre, që po turpërojnë edhe vetë shtetin e Kosovës. Këtë sjellje, këtë kaos, nuk e ka pritur askush nga votuesit, të cilët më 9 shkurt e dhanë votën me shpresë se deputetët do të punonin për interesin e Kosovës, per ti përfaqësuar qytetarët që gjithmonë janë sakrifikuar dhe kanë treguar gatishmëri për ta ndërtuar një shtet ligjor. Akuza dhe kundërakuza, inate e hile, prapaskena dhe plane konspirative — përmes të cilave po taktizojnë partitë politike dhe liderët e tyre — tregojnë fytyrën e vërtetë të kësaj klase politike, e cila si qëllim e ka interesin personal, material dhe karrierist, duke dëmtuar të ardhmen e vendit. Turpi nuk ka fund. Këta deputetë që e kanë marrë peng shtetin, e që janë bërë të neveritshëm për publikun, janë shndërruar në analistë të sistemit të drejtësisë, të ligjeve dhe rregulloreve parlamentare, e deri te komentuesit e Kushtetutës, të cilën e interpretojnë sa herë që përballen me interesat e tyre personale. Sido që të rrjedhë ky serial i amoralitetit politik, deputetët e këtij parlamenti nuk e meritojnë të jenë përfaqësues të këtij populli të shumëvuajtur, mundin dhe djersën e të cilit po e keqpërdorin në mënyrë të pashembullt. Nuk ka dilemë se kjo bllokadë, që po i kushton shtrenjtë Kosovës, është e lidhur ngushtë me interesat e ish-liderëve dhe grupeve të interesit brenda partive politike, të cilët, përmes formave më abuzive, janë pasuruar në kurriz të qytetarëve.

Prandaj, frika se Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme do të funksionalizohet për të sekuestruar pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme është një ndër shtytësit kryesorë të kësaj bllokade. Është i pafalshëm pasiviteti dhe mungesa e reagimit qytetar për të protestuar kundër kësaj gjendjeje, të krijuar nga të ashtuquajturit deputetë të Parlamentit të Kosovës, të cilët po e turpërojnë flamurin dhe simbolin e shtetit. Përqarjet që po ndodhin në mes partive politike Shqiptare kanë filluar ti shfrytëzojn dhe ti keqpërdorin deputetët e Minoriteteve siq ndodhi me Duda Balen dhe dhe me deputetin Veton Berisha i cili po luan rolin e degjallit, person ky i cili nuk meriton as të jetë pjesë e Parlamentit të Kosovës. Nëse ky serial vazhdon me episode të tjera, e vetmja zgjidhje mbetet organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për një parlament të ri me deputetë të rinj — të propozuar dhe të votuar nga populli, e jo nga partitë politike.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".