Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar të bëjnë hajgare me elektoratin dhe të tallen me popullatën

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar të bëjnë hajgare me elektoratin dhe të tallen me popullatën
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar të bëjnë hajgare me elektoratin dhe të tallen me popullatën

Florim Zeqa

  • 10 June 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Deputetët e legjislaturës së IX-të të Kuvendit të Kosovës tashmë kanë filluar të bëjnë hajgare me elektoratin dhe të tallen me popullatën, pasi po vjen seanca e 30-të dhe Kuvendi ende nuk është konstituar! Opozita është duke sabotuar funksionimin demokratik të shtetit me bojkotin e votimit në Kuvend, kurse partia fituese po e përdor situatën për t’ia hedhur fajin politikisht opozitës!

 

-Ndryshe nuk ka si shpjegohet bllokada e gjatë dhe e pajustifikueshme e një momenti ceremonial të konstituimit të Kuvendit! Loja e dyfishtë mes partisë fituese, në këtë rast LVV-së, me partitë opozitare ka marrë shije të keqe për shkak të mosvotimit të partive opozitare në Kuvend.

Siç dihet, konstituimi i Kuvendit është thjesht një procedurë e zakonshme që duhej tejkaluar që në fillim të seancës së parë konstituive, e jo të arrihet në seancën e 30-të me të njëjtin avaz të bllokimit politik!

Konstituimi i Kuvendit është obligim kushtetues i të gjithë deputetëve të zgjedhur, e jo vetëm i partisë fituese, ndërsa formimi i qeverisë mbetet obligim i partisë fituese deri në konsumim të afatit ligjor, pas të cilit përgjegjësia do të binte mbi partinë e dytë që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Vazhdimi i seancave të kota pa marrëveshje politike, jo vetëm që është i neveritshëm për qytetarët, por është bërë ofendues për popullatën dhe gllabërues për buxhetin e shtetit të Kosovës. Nuk ka më asnjë lloj logjike të vazhdohet me këtë retorikë të seancave me dështim të paralajmëruar, nga të cilat po përfitojnë materilisht deputetët, kurse politikisht përfitojnë liderët e partive përmes kalkulimeve të pushtetit në shtetin pa institucione, pa parlament dhe pa qeveri!

Presidentja është strukur në lëvozhgën e saj, duke vëzhguar situatën bllokuese, por gjithnjë duke kalkuluar të ardhmen e saj politike në dëm të shtetit të Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".