
Lexoni edhe:
Tridhjetë e tre tentime për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës kanë përfunduar me dështim
Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri
Gjatë administratës Biden nuk ka pasur konflikte të hapura në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën. Megjithatë, ka pasur tensione të rritura, sidomos në veri të Kosovës (incidentet me barrikada, zgjedhjet në komunat veriore, konflikti në Banjskë). Këto tensione realisht kanë rrënjë të thella historike dhe nuk janë rezultat i drejtpërdrejtë i ndërrimit të administratës amerikane, por më shumë i moszbatimit të marrëveshjeve nga Serbia dhe mungesës së besimit reciprok. Administrata Biden ka mbajtur një linjë të qëndrueshme transatlantike. SHBA nën Biden e ka koordinuar ngushtë politikën ndaj Ballkanit me BE-në, duke forcuar unitetin e kërkuar ndërkombëtar. Disa në rajon mund ta shohin këtë si më "të ngadalshme" ose më pak të drejtpërdrejtë, krahasuar me qasjen më "agresive" të Trump, por është më e qëndrueshme në plan afatgjatë.
-Qasja e Biden ka kërkuar më shumë përgjegjësi nga qeveritë vendore. SHBA ka mbështetur Kosovën fuqimisht, por ka qenë edhe kritike kur Prishtina ka vepruar, sipas tyre, njëanshmërisht, veçanërisht në veriun e vendit. Kjo është parë nga disa si "zbehje e mbështetjes", por në fakt është një qasje që nxit më shumë pjekuri institucionale dhe përmbushje obligimesh ndërkombëtare. Amerika vazhdimisht ka ofruar mbështetje për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, përfshirë aspiratat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Vazhdimi i ndihmës ushtarake dhe ekonomike, përfshirë prezencën e KFOR-it dhe projekte zhvillimore, po ashtu ka ripozicionuar rolin e saj si partner strategjik, duke qenë më e përfshirë në procesin e dialogut me Serbinë në mënyrë të bashkërenduar me BE-në.
Ndërsa sulmi terrorist në Veri, i mirë menduar nga Serbia fashiste, është vetëm një nga shumë elementet e saj destabilizuese për Kosovën, që realisht kanë gjenezë shekullore, dhe në përpjekje për ta destabilizuar stabilitetin e brendshëm, sidomos kur ka në dijeni se Kosova tashmë është shtet dhe ka hapur fuqishëm perspektivën e saj të brendshme dhe të jashtme dhe nuk mund të zaptohet edhe aq lehtë sa mendon. Vendi ka obligim kushtetues të ofrojë siguri për secilin qytetar e aspekt territorial dhe ta ruajë stabilitetin për të cilin edhe i kërkohet, dhe mbi këtë bazë, edhe shtrin autoritetin legjitim për t'iu përgjigjur çdo sulmi terrorist që mund të mendohet.
Ndërsa krahasimi i situatës sonë me Indinë–Pakistanin apo Izraelin–Iranin, është i tepruar dhe i pasaktë. Konflikti Kosovë–Serbi është rajonal, me dimension historik dhe juridik në Evropë, jo i krahasueshëm me përplasjet bërthamore ose fetare të përmasave globale. Këto krahasime rrezikojnë të banalizojnë kompleksitetin e çështjes së Kosovës. Në thelb, situata nuk ishte aq e rrezikshme sa paraqitet nga Trump, ndërhyrja ndihmoi në disa aspekte, por krahasimet që ai bën janë të ekzagjeruara dhe politikisht të motivuara.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".