
Lexoni edhe:
Nëse Kuvendi nuk arriti të konstituohej mbi 34 herë kemi të bëjmë me një dështim të thellë
Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari
Në një shtet të ri, por me plagë të vjetra, pritej që koha të sillte pjekuri politike, reflektim institucional dhe një ndjenjë më të thellë përgjegjësie ndaj qytetarëve. Por sot, për të 33-tën herë, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk arrin të formojë as një komision kandidues-verifikues, një hap procedural bazik për të funksionalizuar vetveten dhe për të zgjedhur kryeparlamentaren me votë të fshehtë. Dikujt mund t’i duket si një detaj teknik, por nuk është.
-Kjo është një simptomë. Dhe simptomat janë gjithmonë më të thella se ç’duken. Bllokimi i vazhdueshëm në Kuvend nuk është më thjesht çështje mosmarrëveshjeje ndërpartiake. Është një pasqyrë e krizës së përfaqësimit demokratik, mungesës së vullnetit politik dhe një papërgjegjshmërie që shkon përtej mandatit, sepse prek vetë besimin qytetar tek institucionet e shtetit.
Në një kohë kur njerëzit ndihen të lodhur, të pasigurt dhe të zhgënjyer nga klasa politike, Kuvendi, që duhet të ishte shtëpia e dialogut dhe funksionimit demokratik, është shndërruar në simbol të bllokimit, të mungesës së guximit për vendimmarrje dhe të një heshtjeje që rëndon çdo ditë e më shumë.
Ky vit, këto javë, do të shënohen si një nga momentet më të errëta në historinë institucionale të Kosovës. Jo për shkak të ndonjë fatkeqësie natyrore apo kërcënimi të jashtëm, por për shkak të mungesës së përgjegjësisë së brendshme. Kur përfaqësuesit e zgjedhur nuk arrijnë të bëjnë as minimumin për të siguruar funksionimin bazë të Kuvendit, lind një pyetje e thjeshtë dhe e dhimbshme: Kuj i shërben ky Kuvend?
Sepse nuk mund të pretendohet përfaqësim, nëse përfaqësuesit nuk përfaqësojnë më as shqetësimin, as shpresën, e as zërin e qytetarëve.
Nëse institucionet tona dështojnë të japin shembull, atëherë shpresa duhet të vijë nga qytetari i zakonshëm, nga shoqëria civile, nga mendimi i lirë dhe ndërgjegjja publike. Në kohë të pasigurta, nuk na mungon vetëm udhëheqja politike, na mungon edhe orientimi moral.
Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për më shumë sesa deklarata. Kanë nevojë për veprim. Për përkushtim. Për përgjegjësi të vërtetë. Dhe mbi të gjitha, për institucione që funksionojnë, jo që bllokohen nga brenda. Kosova nuk ka nevojë për më shumë zhurmë politike, por për më shumë dritë qytetare. Nëse ajo nuk ndizet në Kuvend, atëherë duhet të ndizet në ndërgjegjen tonë kolektive.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".