Kosova dhe Serbia në 'dioptrinë' e Donald Trump

Kosova dhe Serbia në 'dioptrinë' e Donald Trump
Kosova dhe Serbia në 'dioptrinë' e Donald Trump

Fadil Maloku

  • 21 June 2025 - 13:11

Shkruan: Prof.dr Fadil Maloku

(Deklarata e Donald Trumpit: “Meritoja çmimin Nobel për zgjidhjen e problemit Kosovë–Serbi”, përveç interpretimit politik dhe diplomatik, mund të lexohet edhe përmes metodologjisë sociologjike.)

1. Shikuar përmes “dioptrisë” apo “llupës” së Pierre Bourdieu-së, Donald Trumpi, përmes ripërsëritjes së temës Kosovë–Serbi pikërisht në një kohë kur bota është tronditur nga frika e një përplasjeje apokaliptike në Lindjen e Mesme, lë përshtypjen se ka për synim primar vetëm konsolidimin e kapitalit të tij simbolik. Them se është kështu, sepse të merresh në këtë “flakë” zhvillimesh dramatike me çështjen e Çmimit Nobel për Paqe nuk është thjesht një akt vetëlavdërimi ose vetëvlerësimi diplomatik, por në fakt përfaqëson një burim të mundshëm të mungesës së legjitimitetit më të gjerë moral ndërkombëtar. Kjo, për të ndikuar në një gjykim të arsyeshëm dhe vendimtar lidhur me luftën me përmasa globale, nuk është gjë tjetër veçse një luks absurd dhe i çuditshëm në kontekstin e tensioneve aktuale planetare.Sepse akti i “vetëlavdërimit politik” në kulturën e spektaklit – sipas teorisë së politikës si spektakël (Debord, Boorstin, Kellner) – nuk synon as pajtim dhe as zgjidhje reale të problemeve që sot e kërcënojnë botën, por ka për qëllim vetëm ndërtimin e një imazhi të suksesshëm të liderit.

2. Trump, i bindur nga “zëri i duartrokitjeve” në Zyrën Ovale (nga përvoja e Zelensky-t, e kancelarit Merz, apo e autokratëve të Lindjes), dhe i ndikuar nga heshtja mortore (që Ai i ka “shijuar” me “sytë” e tij) e bashkësisë ndërkombëtare dhe indiferencës (lexo: frikës nga hegjemonia ende aktive e SHBA-së) së tyre po përpiqet ta artikulojë veten përmes teorisë së retorikës së meritës dhe neglizhencës ndërkombëtare. Ai, si një lloj “Robin Hood” postmodern, nuk po ngurron të sfidoj e sulmojë as protagonistët e diplomacisë tradicionale të administratave të mëhershme (Clinton, Bush, Obama, Biden). Në anën tjetër, deklarata të tilla mund të interpretohen edhe si strategji populiste postmoderne, që synojnë sfidimin e legjitimitetit të elitave globale (si Kina, Rusia, Irani), përfshirë edhe institucione simbolike si Komiteti Nobel, përmes mesazheve sfiduese eufemiste, në stilin: “Nëse unë nuk u vlerësova, atëherë bota është e padrejtë dhe e kapur nga establishmenti…”

3. Kjo retorikë, padyshim, është edhe një mënyrë e sofistikuar për të mbajtur nën presion publikun dhe votuesin amerikan, të cilët, me fillimin e konfliktit izraelito–iranian, mund të kenë lëkundur qëndrimin dhe gjykimin ndaj (mos)veprimeve të tij në Lindjen e Mesme. Pra, thënë më thjesht: gjestikulacionet, frazat kontraverse dhe angazhimet e përzgjedhura (sigurisht të orkestruara nga këshilltarët e tij), nuk janë të rastësishme. Ato janë të dizajnuara për konsum të brendshëm, sepse në epokën ku jetojmë, “betejat online” të liderëve si Trump kërkojnë herë pas here “betonim” atraktiv të diskursit që përkasin pa asnjë dyshim me linjat e një populizmi post modern, që ai e ka ndërtuar me narrativat biznesore…

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".