Angazhimi në një iniciativë të mbështetur nga SHBA-të e mban Kosovën të pozicionuar në orbitën amerikane

Angazhimi në një iniciativë të mbështetur nga SHBA-të e mban Kosovën të pozicionuar në orbitën amerikane
Angazhimi në një iniciativë të mbështetur nga SHBA-të e mban Kosovën të pozicionuar në orbitën amerikane

Arsim Haziri

  • 27 January 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Arsim Haziri

Pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes, si iniciativë e presidentit amerikan Donald Trump, duhet vlerësuar në kontekstin e realpolitikës ndërkombëtare dhe marrëdhënies strategjike me Shtetet e Bashkuara. Edhe pse Bordi mbetet një mekanizëm i ri dhe ende i paprovuar, për Kosovën përfitimet potenciale tejkalojnë rreziqet.

 

-Së pari, angazhimi në një iniciativë të mbështetur nga SHBA-të e mban Kosovën të pozicionuar qartë në orbitën amerikane, në një kohë kur mbështetja e Uashingtonit vazhdon të jetë faktori më vendimtar për sigurinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të saj. Në diplomaci, prania në tryezë ka vlerë në vetvete, sidomos për një shtet të vogël.

Së dyti, pjesëmarrja e Kosovës në një strukturë që synon ndërtimin e paqes dhe qeverisjes në zona konflikti e ndihmon vendin të projektojë imazh konstruktiv dhe përgjegjës ndërkombëtarisht. Kosova nuk shfaqet vetëm si përfituese e ndërhyrjes ndërkombëtare, por si aktore që kontribuon në diskutimet globale mbi paqen dhe stabilitetin.

Së treti, rreziqet praktike janë të kufizuara. Angazhimi nuk shoqërohet me detyrime të detyrueshme financiare, nuk cenon pozicionet ekzistuese të Kosovës në organizata të tjera dhe lejon tërheqje vullnetare. Kjo e bën pjesëmarrjen një investim politik me kosto të ulët, por me hapësirë për përfitime diplomatike afatmesme.

Edhe pse Bordi i Paqes është i personalizuar dhe ndikimi i tij real mbetet për t’u parë, për Kosovën mospjesëmarrja do të kishte qenë më e dëmshme sesa pjesëmarrja. Në një rend ndërkombëtar gjithnjë e më të fragmentuar, ruajtja e lidhjeve të drejtpërdrejta me SHBA-të dhe pozicionimi në nisma të tyre mbetet interes strategjik.

Në përfundim, Kosova nuk rrezikon shumë, por fiton hapësirë politike, dukshmëri dhe akses diplomatik. Këto elemente, edhe kur nuk prodhojnë rezultate të menjëhershme, janë shpesh vendimtare për shtetet e vogla që operojnë në një sistem global të dominuar nga fuqitë e mëdha.

Ama kritikat nga qarqe të ndryshe, janë të mirëseardhura dhe i shërbejnë proceseve pozitivisht, por bashkërendimi i Kosovës me Amerikën, është obligativ në kontekstin e real politikës ndërkombëtare. Përspektiva amerikane dëshmon pragmatizëm, prandaj këtë veprim të presidentes sonë Vjosa Osmani e shoh si pozitiv për t’i shërbyer edhe më shumë thellimit të bashkëpunimit.

Miqësia është e përhershme anipse presidentin aktual të Amerikës e paraqesin jotradicional si paraprakët.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".