Në ditët më të vështira për Kosovën kanë qenë SHBA-të në krahun tonë prandaj nuk duhet të jemi bukëpërmbysës

Në ditët më të vështira për Kosovën kanë qenë SHBA-të në krahun tonë prandaj nuk duhet të jemi bukëpërmbysës
Në ditët më të vështira për Kosovën kanë qenë SHBA-të në krahun tonë prandaj nuk duhet të jemi bukëpërmbysës

Xhevat Meha

  • 31 January 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Xhevat Meha

Pak ditë më parë, Kosova solemnisht nënshkroi pjesëmarrjen në Bordin e Paqes si anëtare themeluese. Kjo është një nismë e re nga Presidenti Trump. Si çdo fillim i ri, ka mëdyshje për të ardhmen. Ky mekanizëm ende ka shumëçka të padefinuar; dihet vetëm se u kryen procedurat fillestare të themelimit dhe se u themelua si subjekt. Një pjesë janë skeptikë rreth rolit dhe funksionimit, ka disa edhe në Kosovë, dhe me këtë edhe diskutimi për pjesëmarrjen e Kosovës.

 

Dilema rreth pjesëmarrjes së Kosovës në Bordin e Paqes nuk ka arsye të ketë. Kjo është një nismë e Presidentit Trump, ku roli dhe funksioni i këtij Bordi është përgjegjësi e Trumpit dhe jo e Kosovës. Është shumë e dobishme për Kosovën pjesëmarrja, por shumë më e rëndësishme është afërsia e Kosovës me SHBA-të. Në ditët më të vështira për Kosovën kanë qenë SHBA-të në krahun tonë. Nuk duhet të jemi bukëpërmbysës.

Është nder dhe privilegj të marrësh respektin nga një President amerikan, siç mori përfaqësuesja e Kosovës, sepse me këtë u demonstrua para kamerave të pjesës më të madhe të globit respekti i SHBA-ve për Kosovën. Disa e ngrenë si çështje pagesën e një miliard eurove. Së pari, kjo ende nuk është e definuar. Pastaj, duhet rikujtuar se Rusia vazhdimisht e përdor ndërhyrjen në Kosovë si arsye për okupimin e rreth 20% të territorit të Ukrainës. Cila është shuma financiare që Kosova do të paguante si kundërvlerë ndaj SHBA-ve dhe shteteve tjera perëndimore që ndërhynë për lirinë e Kosovës? Nuk duhet të jemi bukëpërmbysës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".