Shtetet e Quint-it i dinë mirë qëllimet e Serbisë e cila përmes draft-statutit për Asociacionin synon ta ndajë Kosovën

Shtetet e Quint-it i dinë mirë qëllimet e Serbisë e cila përmes draft-statutit për Asociacionin synon ta ndajë Kosovën
Shtetet e Quint-it i dinë mirë qëllimet e Serbisë e cila përmes draft-statutit për Asociacionin synon ta ndajë Kosovën

Idriz Zeqiraj

  • 05 February 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Daniel Server, profesor në Universitetin John Hopkins dhe mik i madh i Kosovës, shpreh rezerva për “Bordin e Paqes”, të nismuar nga presidenti Trump, si dhe për aderimin e Kosovës në këtë projekt. Ai e quan “Bordin e Paqes” “një dhomë për të dëgjuar Trumpin” dhe pyet se çfarë përfitimi pritet nga nënshkrimi i presidentes Osmani.

 

-Profesori Daniel Server është personalitet dhe mbështetës i përhershëm i Kosovës. Ai ka qenë dhe mbetet kritik ndaj politikave të presidentit Trump, edhe për shkak se i përket kampit demokrat. Megjithatë, ai pohon se “e kupton pozicionin e Kosovës, hallet e saj në ruajtjen e sovranitetit dhe konsolidimin e shtetit më të ri e më të brishtë në Evropë”.

Vendet e Ballkanit, në përgjithësi, si Kosova, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, janë njësoj të rrezikuara nga Serbia, ashtu siç është Evropa nga Rusia. Qoftë Ballkani apo Evropa, nuk kanë aleat tjetër për t’i mbrojtur, përveç Amerikës. Prandaj Kosova duhet ta ruajë, si sytë e ballit – siç thotë populli – miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shtetet e Quint-it i dinë mirë qëllimet e Serbisë, e cila, përmes draft-statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, synon ta ndajë Kosovën. Këtë ua kishte premtuar agjenti i tyre, Hashim Thaçi. Megjithatë, forcat e errëta, bashkëmendimtarë të atyre që koketuan dhe u dakorduan me fqinjen armike Serbi për pazare me tokën e Kosovës, bëjnë çmos për rehabilitimin dhe faljen e krimeve.

Ndryshe nga profesori Server, i cili ka mirëkuptim për nënshkrimin dhe mbështetjen e “Bordit të Paqes”, opozita PAN-iste dhe bashkëmendimtarët e tyre e akuzojnë dhe e sulmojnë presidenten e shtetit, Vjosa Osmani, në mënyrë të turpshme dhe të padrejtë. Performanca e shkëlqyer diplomatike e presidentes, e cila ka fituar zemrat e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, si dhe respektin e diplomatëve dhe shtetarëve të Evropës e botës – madje edhe të presidentit Trump dhe ekipit të tij – është dëshmi e suksesit të saj.

Çdo nismë të mirë në favor të Kosovës nga presidenca Osmani, kundërshtarët e saj politikë e përpiqen ta njollosin. Përgatitja e saj e lartë intelektuale, guximi, dinjiteti dhe integriteti i plotë i saj i tmerron inferiorët profanë, të cilët shpesh janë në shërbim të interesave të huaja armiqësore ndaj Kosovës.

Presidentja luftarake, Vjosa Osmani, me guxim dhe publikisht, i ka demantuar shpifësit mercenarë, si individualisht ashtu edhe në grup, me fakte dhe bindshëm. Në këtë grup bën pjesë edhe një ish-president-agjent me kartelë, i cili, nga foltorja e Parlamentit, shpifi për babain e Presidentes, ndonëse ai kishte qenë njëri nga ushtarët e parë të FARK-ut të Dr. Ibrahim Rugovës, i arrestuar dhe dënuar me burg politik për pjesëmarrje të armatosur kundër ushtrisë serbo-sllave. Këtë shpifje vazhdojnë ta përhapin edhe këlyshët e këshilltarit të trefishtë, Baton Haxhiut, të cilët tashmë janë të penalizuar për një sërë shpifjesh monstruoze të porositura.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".