Si mund të pretendojmë të ndërtojmë shoqëri ku sundon drejtësia me këtë nivel të paragjykimeve histerike?

Si mund të pretendojmë të ndërtojmë shoqëri ku sundon drejtësia me këtë nivel të paragjykimeve histerike?
Si mund të pretendojmë të ndërtojmë shoqëri ku sundon drejtësia me këtë nivel të paragjykimeve histerike?

Xhevat Meha

  • 12 February 2026 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Xhevat Meha

Në Hagë Prokuroria filloi me fjalën përfundimtare, ku kërkoi dënim prej 45 viteve për 4 të akuzuarit. Pas Prokurorisë, fjalën përfundimtare do ta paraqesë edhe mbrojtja me kërkesat e veta. Kjo është diçka normale për një proces gjyqësor. Ajo çka është shqetësuese është gjykimi që po i bëhet këtij procesi gjyqësor nga pjesë të gjera të shoqërisë, gjykim që në fakt është paragjykim.

 

-Ky paragjykim ka kohë që ka kaluar në histeri të gjerë. Si mund të pretendojmë të ndërtojmë shoqëri ku sundon drejtësia me këtë nivel të paragjykimeve histerike? Janë dy elemente tepër shqetësuese: i) Injorimi i fakteve dhe dëshmive në gjyq - Nuk janë bërë publike shumica e dëshmive për shkak të mbrojtjes së dëshmitarëve, nuk janë bërë publike, dhe nuk i di arsyet se çka ka deklaruar p.sh. Hashimi për Kadrinë e Kadria për Hashimin, Rexha për Hashimin e Hashimi për Rexhën, e kështu me radhë. Dhe kemi juristë të të gjitha profileve, kemi hartues të Kushtetutës, kemi themelues të Gjykatës Kushtetuese, kemi Kryetar e Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese që, pa dëshmi të mjaftueshme, nxjerrin përfundime rreth procesit gjyqësor.

Ku po mbetet shpresa për ndërtimin e shoqërisë që në themel e ka ligjin dhe drejtësinë? ii) Drejtësia për viktimat - Të gjithë e dimë se gjatë luftës ka pasur viktima, dhe atë shumë bile, që është themeli për krijimin e kësaj gjykate. Po viktimizuesit kush janë? Qysh mund të ketë viktima e të mos ketë viktimizues? Kush janë viktimizuesit e këtyre viktimave? Dhe kemi veprimtarë politikë e aktivistë politikë, kemi atdhetarë e kombëtarë e patriotë e atdhedashës që deri në nivel histerik flasin e bërtasin për këtë proces gjyqësor e nuk e thonë njëherë të vetme një fjalë për viktimat, për drejtësinë për viktimat. E tmerrshme për një shoqëri që pretendon që në themelet e ndërtimit të ketë drejtësinë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".