Republika e Kosovës hyn në epokën e pjekurisë shtetërore
Leke Miraj
Shkruan: Lekë Mrijaj
Historia e Kosovës dardane nuk është thjesht një varg datash dhe ngjarjesh të renditura në libra historie dhe kronikash të tjera. Ajo është një rrëfim i gjatë qëndrese, më konkretisht një udhëtim i vështirë nëpër shekuj, ku sakrifica dhe shpresa kanë ecur gjithmonë krah për krah me njëra-tjetrën. Është historia e një toke që ka përjetuar pushtime, përplasje civilizimesh, padrejtësi e dhunë, por që kurrë nuk e humbi thelbin e vet – identitetin kombëtar, gjuhën shqipe, kujtesën historike dhe aspiratën për liri.
Për më shumë se pesë shekuj, Kosova ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane. Ishte një periudhë e gjatë dhe e ndërlikuar, që solli ndryshime të thella shoqërore, ekonomike, fetare dhe kombëtare. Megjithatë, në ndërgjegjen e popullit shqiptar u ruajt vazhdimësia e identitetit. Në odat e burrave, në këngët epike, në lahutë e në çifteli, në besën si institucion moral, mbijetoi fryma e lirisë. Kosova mësoi të jetojë nën sundim, por kurrë të pajtohet me robërinë shpirtërore.
Në tetor të vitit 1912 shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike. Ushtria serbe hyri në Kosovë dhe pushtoi qytetet kryesore: Prishtinën, Prizrenin, Pejën, Gjakovën dhe shumë qendra të tjera. Ndërkohë, më 28 Nëntor 1912, në Vlorë, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Por në atë moment historik për kombin shqiptar, Kosova padrejtësisht ndodhej nën pushtim ushtarak serb. Ndërsa në Vlorë ngrihej flamuri i lirisë, Kosova mbeti jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar.
Në vitin 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër vulosi këtë ndarje. Kufijtë e Shqipërisë u përcaktuan pa përfshirë Kosovën, e cila mbeti nën administrimin e Serbisë. Ky vendim i Fuqive të Mëdha ndikoi thellë në fatin historik të Kosovës gjatë gjithë shekullit XX, duke e vendosur atë në një pozitë të vështirë politike dhe kombëtare.
Pas vitit 1918, me krijimin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, Kosova hyri në një periudhë të re represioni. U zbatuan politika kolonizimi, konfiskimi pronash dhe përpjekje të tjera për ndryshime demografike. Identiteti shqiptar u vu në shënjestër dhe e drejta për vetëvendosje u mohua.
Kosova, gjatë Luftës së Dytë Botërore, përjetoi një periudhë dramatike ndryshimesh politike, ushtarake dhe shoqërore. Lufta shpërtheu në shtator të vitit 1939, ndërsa ndikimi i saj në Kosovë u ndie drejtpërdrejt pas prillit 1941, kur Mbretëria Jugosllave u pushtua nga Fuqitë e Boshtit. Pas kapitullimit të Jugosllavisë, territoret e saj u copëtuan midis shteteve fqinje dhe aleatëve administrues të Gjermanisë së asaj kohe. Kjo periudhë ishte tejet dramatike, pasi rryma të ndryshme politike dhe ushtarake përplaseshin në Kosovë, duke sjellë tensione të vazhdueshme. Konfliktet ideologjike, interesat kombëtare dhe përplasjet ndërmjet forcave të ndryshme krijuan një realitet të ndërlikuar e të paqëndrueshëm.
Luftën Nacionalçlirimtare në Kosovë e udhëhoqën partizanët shqipfolës dhe jugosllavë, të cilët luftuan kundër Gjermanisë dhe aleatëve të saj.
Pas vitit 1945, Kosova u përfshi në Federatën Jugosllave të udhëhequr nga Josip Broz Tito dhe klika e tij komuniste. Fillimisht u vendos administrim ushtarak, më pas Kosova u shpall krahinë autonome brenda Serbisë. Megjithëse autonomia u zgjerua në vitin 1974, ajo mbeti e brishtë. Në fund të viteve ’80, autonomia u suprimua me forcë, duke sjellë përjashtime nga puna, mbyllje shkollash, segregacion dhe represion institucional.
Lufta e Kosovës ishte një konflikt i armatosur në Kosovë (atëherë pjesë e federatës jugosllave), ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Ushtrisë së Jugosllavisë, të mbështetur nga Policia e Serbisë (MUP). Ajo filloi më 28 shkurt 1998, pas sulmeve në fshatrat Likoshan, Qirez dhe Prekaz të rajonit të Drenicës, si dhe në zona të tjera të Kosovës, dhe përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës më 11 qershor 1999.
Lufta mori fund pas ndërhyrjes së Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), e cila nisi sulmet ajrore kundër forcave serbe më 24 mars 1999, duke çuar në tërheqjen e tyre nga Kosova.
Vitet 1998–1999 shënuan kulmin e përballjes historike. Lufta çlirimtare e Kosovës ishte një nga sakrificat më të mëdha të kohës moderne. Qytete dhe fshatra të djegura, mijëra të vrarë e të zhdukur dhe qindra mijëra të dëbuar – kjo ishte kostoja e lirisë.
Ndërhyrja ndërkombëtare i dha fund luftës dhe hapi rrugën drejt një kapitulli të ri: administrimit ndërkombëtar dhe procesit të shtetformimit.
Më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Kosovës, u shpall Pavarësia e Republikës së Kosovës. Ishte një moment historik – kulmi i një sakrifice të gjatë shekullore. Kosova u bë shtet sovran dhe subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Mbi njëqind shtete të botës e kanë njohur Republikën e Kosovës, duke forcuar pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.
Sot, në 18-vjetorin e Pavarësisë, nuk mjafton një urim ceremonial. Tetëmbëdhjetë vite për një shtet janë si tetëmbëdhjetë vite për një njeri: fundi i adoleshencës dhe fillimi i pjekurisë. Gjatë këtyre viteve, Republika e Kosovës është përballur me sfida të shumta – kriza politike, vështirësi ekonomike dhe procese të ndërlikuara diplomatike.
Megjithatë, ajo qëndroi. Qëndroi sepse ishte ndërtuar mbi sakrificë. Qëndroi sepse kishte një popull që besonte në shtetin e vet.
Tashmë, nga sot, fillon një fazë e re – epoka e pjekurisë shtetërore. Kjo pjekuri kërkon institucione të forta, drejtësi të paanshme dhe ekonomi të qëndrueshme. Kërkon arsim cilësor që nxit dijen dhe inovacionin. Kërkon administratë të ndershme dhe kulturë demokratike të konsoliduar. Kërkon që liria politike të shndërrohet në mirëqenie për çdo qytetar.
Prandaj, në vend të një urimi të zakonshëm, sot e themi me vetëdije të plotë historike dhe me përgjegjësi qytetare: Republika e Kosovës tashmë e ka kaluar moshën e adoleshencës. Ajo hyn në epokën e pjekurisë së saj shtetërore. Me histori në themel, me sakrificë në kujtesë dhe me të ardhmen në horizont, Kosova ecën dhe do të ecë përpara drejt integrimit euroatlantik.
Lavdi veprës së të gjithë atyre që dhanë jetën për Republikën e Kosovës.
Rroftë Republika e Kosovës!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
