PSE PO HESHT SHOQËRIA CIVILE NË KOSOVË?!..
Ismail Muçiqi
Shkruan gazetari Ismail Muçiqi.
Në të gjitha vendet e botës demokratike, Shoqëria Civile është krah i fortë i zhvillimit të demokracisë dhe i proceseve progresive të një shoqërie apo shteti. Pas çlirimit të Kosovës u formuan rreth 500 organizata të Shoqërisë Civile gjithandej Kosovës, dhe këto me iniciativën dhe mbështetjen e normave programore të shteteve mike të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. U themeluan organizata të ndryshme të cilat, në letër dhe në bazë të statutit, u profilizuan për aktivitetin programor që duhet ta zhvillonin në Kosovë. Në këtë drejtim u themeluan të ashtuquajtura institute, organizata mikrofinanciare, shoqata humanitare e shumë të tjera, të cilat në statut dhe në programin e aktivitetit i kishin të ndara sektorët e zhvillimit dhe monitorimit të shoqërisë në përgjithësi.
Shoqëria Civile, si mision prioritar, ka zhvillimin dhe avancimin e demokracisë, si dhe monitorimin e institucioneve të shtetit, duke i ndihmuar institucionet publike me ide dhe alternativa të ndryshme në të gjitha proceset zhvillimore të një shoqërie dhe shteti. Tani, kur Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme politike, kur partitë politike po krijojnë kaos duke e bllokuar themelimin e institucioneve të Kosovës, Shoqëria Civile po hesht, duke qëndruar indiferente ndaj këtyre proceseve tepër negative për shtetin e Kosovës. Është obligim moral, shoqëror dhe kombëtar që Shoqëria Civile ta luajë rolin e saj në tejkalimin e krizave politike që po i ndodhin Kosovës. Shoqëria Civile është dashur që moti të organizojë tryeza, takime e biseda me partitë politike dhe me institucionet e shtetit, në mënyrë që të tejkalohen mosmarrëveshjet dhe tendencat e ndryshme negative të cilat po e dërgojnë vendin në humnerë. Më thotë mendja se Shoqëria Civile nuk e ka luajtur rolin e saj as me rastin e zgjedhjes së Presidentit/es të Republikës së Kosovës. Derisa partitë politike e kanë bllokuar Parlamentin duke bojkotuar mbledhje të njëpasnjëshme, Shoqëria Civile është dashur të ndërhyjë duke dhënë mendime dhe ide për tejkalimin e ngërçit politik. Është e moralshme dhe njerëzore që Shoqëria Civile të propozojë një kandidat jashtëpartiak, i cili i plotëson kushtet dhe normat sistemore për t’u zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Është e pafalshme që në këto momente, kur Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme dhe kur vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, Shoqëria Civile nuk po e luan rolin e saj demokratik për të gjetur një kompromis në të mirë të qytetarëve dhe të shtetit. Nuk ka dilemë se jashtë partive politike Kosova ka kuadro të përgatitura dhe të dëshmuara për t’u nominuar për President të Republikës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
