Në traditën shtetformuese të Kosovës republika është konceptuar si kulturë përgjegjësie dhe jo arenë konfliktesh
Isuf Bajraktari
Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari
Kosova po hyn sërish në një cikël tensioni politik që nuk mund të shihet si episod i zakonshëm mes pozitës dhe opozitës. Kur përplasjet bëhen rutinë, ndërsa bllokadat shndërrohen në metodë politike, atëherë nuk kemi vetëm krizë, kemi sinjal shqetësues për kulturën e shtetit.
-Demokracia nuk rrezikohet nga dallimet politike. Ajo dobësohet kur mungon vullneti për dialog dhe kur antagonizmi merr vendin e përgjegjësisë institucionale.
Shqetësimi sot nuk është kush po fiton një përballje më shumë, por sa po humbet vetë fryma republikane mbi të cilën duhet të qëndrojë shteti.
Një republikë nuk mbahet me nervozizëm të përhershëm politik. Nuk mbahet me mosbesim të prodhuar çdo ditë. Nuk mbahet me logjikën e bllokimit.Ajo mbahet me ekuilibër.
Historia politike na mëson se shtetet nuk dëmtohen vetëm nga kërcënimet e jashtme; ato mund të lodhen edhe nga krizat e brendshme që përsëriten pa fund. Pikërisht këtu metafora e Sizifit merr kuptim politik: shtyrja e përhershme e gurit të shtetndërtimit, që rikthehet poshtë sa herë mungon stabiliteti.Ky nuk është fat që duhet pranuar. Është paralajmërim që duhet kuptuar.
Në traditën shtetformuese të Kosovës, sidomos në frymën e Ibrahim Rugovës, republika është konceptuar si kulturë përgjegjësie, maturie dhe konsensusi. Jo si arenë konfliktesh të pafundme.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
