Këshilla e Challandesit: Zhvilloni akademitë, mos shpresoni vetëm tek lojtarët e rritur jashtë

  • S.A /
  • 15 October 2021 - 12:31
Këshilla e Challandesit: Zhvilloni akademitë, mos shpresoni vetëm tek lojtarët e rritur jashtë

Bernard Challandes i dha fund eksperiencës me Kosovën, pas afro tri vjetësh udhëheqjeje të ekipit kombëtar. Megjithatë, trajneri zviceran la prapa vetes këshilla domethënëse për zhvillimin e futbollit kosovar.

Në një intervistë të dhënë për mediumin zviceran “Le Matin”, 70 vjeçari sugjeron që të punohet më shumë për zhvillimin e akademive të futbollit në Kosovë e jo të pritet dhe të shpresohet që lojtarët e lindur dhe rritur në vendet evropiane, t’i bashkohen Kosovës.

Sipas tij, më e udhës do të ishte që Kosova të prodhojë vetë futbollistë, sesa të shpresojë në lojtarët që zhvillohen në vendet tjera dhe t’i marrë të gatshëm prej tyre.

“Hapi i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë që t’i zhvillojë akademitë e futbollit në vend për të punuar me të rinjtë. Nuk duhet të pritet më që të formohen vetëm lojtarë kosovarë me dy nënshtetësi (të merren lojtarët e gatshëm nga jashtë) nga e tërë Evropa, sepse ka gjithmonë rrezik që lojtarët më të mirë t’i zgjedhin Kombëtaret e vendeve ku janë lindur e rritur”, ka thënë Challandes.

Zakonisht, lojtarët e rritur në shtetet evropiane i kanë prioritet ato vende.

Në rast se nuk marrin ftesë në Kombëtaret A të këtyre shteteve, atëherë e marrin në konsideratë Kosovën.

Janë të rralla rastet dhe mund të numërohen në gishta që lojtarët ta zgjedhin Kosovën pa e pritur Kombëtaren e vendit ku janë rritur.

Futbollistët si Kemal Ademi, Andi Zeqiri, Albian Ajeti e të tjerë kanë vendosur t’i zgjedhin Kombëtaret e shteteve ku janë zhvilluar.

Ndërsa, të njëjtën gjë po e presin edhe Mërgim Berisha, Bastien Toma, Elvis Rexhbeqaj e të tjerë, të cilët Kosovën e kanë opsion rezervë dhe po hezitojnë t’i thonë asaj “PO” pa u sqaruar fillimisht situata me Kombëtaret që i kanë si prioritet.

Edhe në të kaluarën ka pasur raste kur futbollistët e kanë lënë Kosovën në pritje dhe në fund kanë preferuar destinacione të tjera, siç ishte rasti i Adnan Januzajt.

E për të mos ndodhur kjo, duhet reaguar menjëherë, sa s’është bërë vonë.

Edhe njohësit e futbollit kosovar vazhdimisht kanë këshilluar që të punohet më shumë në zhvillimin e futbollit, por që gjithmonë ka munguar një strategji adekuate nga ana e Federatës së Futbollit.

Gjithashtu, as klubet s’kanë bërë asgjë në këtë drejtim pasi po hasin në vështirësi për të mbijetuar me ekipet A, e lëre më të punojnë seriozisht me të rinjtë.

Këta të fundit, “ngushëllimin” e kanë gjetur në shkollat e futbollit, të cilat janë hapur si “kërpudhat” në Kosovë, e efekti i tyre nuk është parë asgjëkund deri tash.

Madje, ato shihen më shumë si shkolla me prapavi përfituese, e jo si “fabrika” për nxjerrjen e talenteve.

Kosova duhet ta marrë shembull Kroacinë, e cila prodhon lojtarë brenda territorit të saj.

Përpos që përfitojnë klubet kroate, duke i shitur lojtarët me miliona euro, përfiton edhe Kombëtarja e këtij vendi, e cila llogarit në këta lojtarë, e jo si Kosova, e cila kryekëput varet nga lojtarët e rritur në mërgim.

Për momentin, futbollistët që luajnë në Kosovë nuk kanë kurrfarë gjase të luajnë apo të jenë faktorë në ekipin kombëtar pasi niveli i tyre nuk përkon me atë të lojtarëve të zhvilluar në perëndim. 

(Kosova Sot Online )