Komandantët që i falën toka edhe kishës serbë, Manastirit të Deqanit me ligjet e Millosheviqit

Komandantët që i falën toka edhe kishës serbë, Manastirit të Deqanit me ligjet e Millosheviqit

Gani Qarri

  • 19 August 2020 - 07:37

Shkruan:Gani Qarri

“Sot, njëri nga shembujt më tragjik i mosdijes totale dhe veprimeve renegate të kësaj parie të gërditshme matrapazësh, është rasti i komunës së Deçanit, në konfliktin që kanë jo vetëm banorët e zonës por gjithë vendi me shefat serb të Manastirit, të cilët përveç kundërshtimit për pronat, nuk lejojnë as ndërtimin e rrugës që lidhë Kosovën me Plavën, qoftë edhe në afërsi të tokave të cilat kjo garniturë tradhtarësh, në bazë të vendimeve të Millosheviqit, ia fali Manastirit përfshi edhe objektet hoteliere dhe pushimoret e fëmijëve në malet e Deçanit.

Ky është vetëm një nga mali me shembuj tragjik të vendimeve arbitrare të komandirave aktual dhe një mesazh shumë i qartë se si, nuk duhet të sillen dhe të mos gabojnë, edhe përfaqësuesit momental, për të mos e marrë serish në qafë si në të kaluarën popullin e Kosovës në bisedimet me Serbinë, ngase vetëm tash po shihen dhe po ndihen në tërë përmasën tragjike të tyre, pasojat serioze, madje edhe bllokuese për interesin e zhvillimit të vendit, nga zonat e ashtuquajtura të mbrojtura të shpallura në bazë të aktvendimeve dhe matjeve serbomëdha të Millosheviqit edhe me Ligje të Kosovës, për kishat dhe manastiret serbe, në hapësira dhe sipërfaqe marramendëse, nga vet komandantët”.

-Për rreth një shekull të okupimit serbosllav, përfshi edhe 50 vitet e fundit nën ish federatën jugosllave, Serbia kurrë nuk arriti ti bënte, popullit dhe vendit tonë, atë që i bënë për vetëm 12-13 vite sundim barbar, udhëheqja e degjeneruar kuislinge dhe gjysmë analfabete e të ashtuquajturve komandantë, të cilët kanë kapur çdo pore të shtetit dhe ngulfatur gjithë Kosovën.

Ata sipas asaj që sot e përditë shohim dhe dëgjojmë, jo vetëm luftën që nuk ditën ta bënin luftë, përveç luftimeve ndërmjet veti dhe vrasjes së shqiptarëve që nga Ahmet Krasniqi në Tiranë e deri te Enver Maloku e Xhemajl Mustafa në Prishtinë, por edhe paqen e shkatërruan dhe keqpërdorën mizorisht sundimin e tyre, për shitjen e tokave të Kosovës, vjedhjen dhe përvetësimin e çdo gjëje të vlershme, shkatërrimin total të ekonomisë dhe të gjitha atyre fabrikave që ishin anë e kënd qyteteve tona, deri te copëtimi, ndarja dhe sakatimi më barbar i Republikës së Kosovës.

Madje i mësuar që edhe nën sundimin e kryekomandirave si Thaçi, Vuçiqi nga Beogradi të vendos për Kosovën, presioni serb edhe sot shkon deri atje, sa që vet kryetari i Serbisë ka paralajmëruar dërgimin e kësaj çështje, për temë diskutimi deri në Bruksel në takimin e ardhshëm, duke deklaruar në mënyrë urdhëruese, sikur të ishte ai personalisht pronar i këtyre tokave, se mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë është një prioritet i politikës shtetërore të Serbisë dhe se ata janë të gatshëm të formojnë edhe një ekip të veçantë së bashku me Kishën Ortodokse për "trashëgiminë" në Kosovë.

Për aq më tepër, Vuçiq kërkon edhe nga BE që të bëjë presion sa më të fortë ndaj Kosovës dhe atë, për të ndaluar punimet në rrugën Deçan Plavë, të cilën ai pa fije turpi e quan edhe fushatë të rrezikimit të faltoreve serbe në Kosovë,të cilat gjenden me kilometra larg kësaj rruge, ndaj domosdo lind pyetja e patejkalueshme se edhe çka më tepër do ti ndodhë Kosovës së kapur nga komandirat e këtij lloji, si Thaçi & CO?!

Edhe çka do të ndodhë me shtetin e Kosovës, nëse vërtetë krahas këtyre zonave të mbrojtura, komandirat e Rognerit, për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale, por dhe të mësuar të mos i trazoj as kundërshtoj askush për asgjë, në vazhdim të negociatave do të bëjnë në dëm të Kosovës, kompromisin e radhës me Serbinë edhe për çështjen e Asociacionit, një temë kjo tejet e rrezikshme, e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, por jo edhe nga komandirat dhe e mbetur pezull qysh nga mandati i fundit i kryekuislingut Hashim Thaçi në pozitë të kryeministrit dhe ish ministrit të jashtëm, i cili është strumbullari i të gjitha të këqijave që, atëherë e sot, po vazhdojnë ti ndodhin Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".