Kosova të njihet shtet i pa varur dhe sovran nga Serbia vetëm në kufijtë e pranuar ndërkombëtarisht edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Kosova të njihet shtet i pa varur dhe sovran nga Serbia vetëm në kufijtë e pranuar ndërkombëtarisht edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Gani Qarri

  • 23 August 2020 - 08:22

Shkruan: Gani Qarri

“Për aq më tepër, përderisa vet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ka vulosur pavarësinë e Kosovës në kufijtë e saj aktual dhe ekspertët më të mirë të vendit si Florim Isufi e Shpejtim Bulliqi, me argumente, skica, harta e fotografi profesionale të përgatitura enkas nga ekspertët më të mirë të vendit, dëshmojnë bindshëm, se në çdo variant të këmbimit të territoreve, Kosova do të dalë e humbur dhe rrezikon edhe ekzistencën e mëtejme të saj si shtet, nuk di se çka ka të lehë këtu një biolog i dëshpëruar (ndoshta edhe aty i padiplomuar, apo i diplomuar me njohësi) si Lutfi Haziri, i cili përveçse nuk njihet për ndonjë dije të veçantë, as njohuri të madhe, kurrë nuk ka qenë më shumë se sa një deputet i heshtur dhe kryetar dembel, gati i përhershëm i një komune të vogël e të prapambetur në vend”.

Pas vendimit pozitiv të 22 korrikut të vitit 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë, për legjitimimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në bazë të po këtij vendimi, më 9 shtator të vitit 2010, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian dhe i hapi rrugën fillimit të dialogut Kosovë - Serbi, jo për të ri diskutuar sërish statusin e Kosovës, ndryshuar kufijtë, as ndarë e copëtuar tokat e saj, por për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, dhe njohjen reciproke, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ndaj nisur nga ky vendim i artë me fuqi supreme ndërkombëtare dhe përvoja e hidhur që kemi me një shtet ish okupator e me qëndrim kaq të egër e armiqësor si Serbia, e cila na mbajti me dhunë mese një shekull nënokupim, kur është në pyetje e ardhmja e fëmijëve tanë, fati i vendit dhe ekzistenca e shtetit të Kosovës, në dialog nuk mund të shkohet gjysmë i zhveshur si Lutfi Haziri në xhami, për të falur edhe mbi 20 vite pas çlirimit, serish territore.

Megjithatë që nga ardhja e jugo-komunistit Isa Mustafa në krye të LDK-s, fatkeqësisht kjo ish parti e madhe, është kthyer plotësisht në eskortë të vogël të Hashim Thaçit dhe i gjithë llumi i mbledhur ndër vite, ka dalë në krye të saj, njëjtë siç del bërlloku i mbledhur nga vërshimet dhe qëndron mbi turbullirë, deri sa të bije uji në shtratin e vet,po që edhe pas qetësimit të gjendjes, kërkon kohë për tu pastruar, ndaj sot sulmohet pa kursim dhe shkarkohet nga të gjitha pozitat partiake, krye parlamentarja Vjosa Osmani, pse kritikon Thaçin, por jo edhe Lutfi Haziri që propagandon si tellall idetë e Thaçit për ndarjen e Kosovës.

Pra tanimë është plotësisht e qartë për të gjithë se sidomos nënkryetari noshalant i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, është bërë avokati më i zëshëm, brenda LDK-s, i ideve tradhtare të kuislingut Hashim Thaçi, për ndarjen e vendit dhe shuarjen e shtetësisë së Kosovës, në emër të të ashtuquajturave këmbime territoriale.

Madje megjithëse Haziri nuk është i vetmi në partinë e tij, që përfaqëson 100% linjën e Thaçit, ai mbetet më i zëshmi nga e gjithë LDK-ja, i cili tash e sa kohë mbështet publikisht aventurat e Hashim Thaçit, ndaj dhe habit shumë fakti se si, jo vetëm që nuk e kundërshton , por as nuk reagon askush kundër tij, nga kjo parti, ish Rugoviste, e kthyer nga njerëz si Lutfi Haziri e Isa Mustafa, në shërbëtore të Thaçit dhe bisht të PDK-s.

Me deklaratat e tij diletante, të lëshuara paushall pa zgjedhur kohë as vend, mu si lo... bajgat, për të cilat në ndonjë shtet me prokurori dhe ligje të njëmendta, për kohë bukur të gjatë do të merrej në pyetje dhe përgjegjësi penale, për shkak të rrezikimit të interesave shtetërore, nënkryetari shakllaban i LDK-s, është duke ja bërë një argat të fuqishëm Hashim Thaçit, në aventurat e tij të rrezikshme, për ndarjen e Kosovës. Madje përderisa vet Thaçi dhe PDK-heshtin tërësisht, Lutfi Haziri jo vetëm që fletë kuturu, por ka marrë mbi vete edhe rolin e zëdhënësit të parë të Hashim Thaçit për jetësimin e ideve të tij kuislingë në dëm të shtetit dhe territorit të Kosovës.

Shkaku i deklarimeve të tij, e ndonjë shakllabani tjetër si ai, edhe ideja e rrezikshme për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, është rikthyer serish si temë diskutimi, sidomos pas deklaratave budallaqe të kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i cili nuk bazohet në asgjë reale dhe deklarohet vetëm me "tahmin-et" e tij, se kinse kufiri me Serbinë do të vendoset në fshatin Ristovcë, Kosova Lindore do t’i bashkohej Republikës së Kosovës, ndërsa në këmbim të saj, duhet të jepet Leposaviqi me 17 fshatra, si shkëmbim territorial për të arritur ujdinë me Serbinë. Mirëpo Luta, sa herë pinë shumë raki, harron se Serbia jo vetëm që ka plane krejt tjera, por Vuçiq ka arritur me kohë, marrëveshje të veçanta me të adhuruarin e Lutfija Hazirit, Hashim Thaçin, që Serbisë ti falet i gjithë Veriu i vendit tonë dhe pjesët më vitale të Kosovës, ndërsa Kosova të marrë në këmbim, vetëm 6-7 fshatra të zbrazura kodrinoro-malore me 12-13 xhami, pa Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin. Ndaj, medoemos lind pyetja, ku do të ishte interesi i Kosovës Lindore, shqiptarëve dhe Republikës së Kosovës në këtë mes, nëse ata që aktualisht udhëheqin bisedimet, pa e pyetur fare Lutën, se ky as që është anëtar i delegacionit, pranojnë dhënien e Veriut dhe pjesëve më vitale të Kosovës, Serbisë, të dakorduar mes Vuçiqit e Hashim Thaçit, në mënyrë që Thaçi ti shpëtoi dënimit të Speciales, i cili që nga shpallja e aktakuzës dhe marrjes katër ditore në pyetje, gjykimin kundër tij, është duke e pritur me një këmbë në Hagë. E se sa vërtetë janë të rrezikshme dhe paralajmëruese për ekzekutimin e skenarit të një marrëveshje të parapërgatitur me këtë opsion, tani në prag të takimit të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Uashington e dëshmon më së miri ish-anëtari i Komisionit qeveritar dhe specialisti për shënjimin e kufirit shtetëror, Dr. Florim Isufi. Ai si gjeograf profesionist dhe ekspert i lart i çështjeve territoriale, përmes sqarimeve bindëse, vizatimeve eksplicite, skicave dhe hartave specifike të përgatitura në mënyrën më profesionale, nga specialistët më të mirë që ka vendi aktualisht, deklaron publikisht se , për të gjitha idetë që janë diskutuar deri më tani, nëpër qarqe të ndryshme diplomatike, në cilin do version të shkëmbimeve territoriale, asnjëra nga ato, nuk shkojnë në favor të Kosovës, dhe Kosova do të humbiste shumë territor në këmbimet me Serbinë. Kështu që porosia më dashamirëse edhe e njerëzve më të ditur profesionist, gjeografëve dhe ekspertëve më të shquar që ka shteti i Kosovës, është se aktualisht, në gjendjen që ndodhet vendi, çdo këmbim territoresh me Serbinë, do të ishte humbje e parikuperueshme për Kosovën. Ndaj para se Republika e Kosovës të njihet nga Serbia dhe anëtarësohet si shtet me të drejta të plota në OKB, më mirë të mos u hapet fare, dera këtyre aventurave, megjithëse shakllabani Lutfija Haziri, edhe pa e ditur se si mund tu vije fundi këtyre punëve, dëshmon gjithnjë e më shpesh se i ka fort në qejf aventurat, sidomos kur merr porosi nga shefi i tij Hashim Thaçi, për ti përsëritur ato sa më shpesh, në kohë dhe mënyrë të detyrueshme, pa llogaritur dëmin, që mund ti shkaktojë vendit në fazën më kritike të bisedimeve me Serbinë, si takimi me 2 shtator në Uashington, i cili po pritet me interesim të madh nga opinioni publik e politik, vendor dhe ndërkombëtar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".