Isa Mustafa e dëshiron fundin e karrierës politike duke e pasuruar CV-në personale edhe me pozitën e Presidentit të Kosovës

Isa Mustafa e dëshiron fundin e karrierës politike duke e pasuruar  CV-në personale edhe me pozitën e Presidentit të Kosovës

Hajrullah Tërnava

  • 28 August 2020 - 07:33

Shkruan: Hajrullah Tërnava

“Paralajmërimi serioz i LDK-së, në pritje të shpenzimit të mandatit të Hashim Thaçit për ta marr edhe njëherë këtë pozitë, ose eventualisht nëse ky proces vjen si rrjedhojë e konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale kundër Hashim Thaçit, është e vërtetë një pritje joshëse për kryetarin e LDK-së Isa Mustafën, dhe opinioni e ka kuptua se ai po e dëshiron këtë, mbasi deri më tani i ka shijuar postet tjera, atë të kryetarit të LDK-së dhe të kryeministrit”.

-Këmbëngulja e dy partive në koalicion, si LDK dhe AAK, për pozitën e presidentit të ardhshëm të Kosovës, është një provokim serioz që do ta tronditë koalicionin qeverisës dhe do ta dërgon vendin në zgjedhje të reja të shpejta, të parakohshme, pa e përmbyllur mandatin e rregull kushtetues. Tani më ky provokim po shihet ashiqare. Është nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, i cili e ka lënë të kuptohet se LDK do të vepron njësoj, sikur për pozitën e Kryeministrit të tashëm, dhe për atë të Presidentit, i cili duhet të jetë sipas tij nga LDK-ja, pasi edhe kjo pozite varet kryekëput nga pozicionimi i LDK-s. Jo rastësisht ka thënë se zgjedhja e Presidentit kalon nëpër zyret e LDK-se, ashtu siç kaloi edhe zgjedhja e Kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit. Prandaj Haziri thotë e pretendon se mënyra e zgjedhjes duhet ta konfirmoj Presidentin si përfaqësues kinse i unitetit të popullit. Mirëpo deklaratat e PDK së se në këtë situatë të zhvillimeve politike nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e koalicionit me LDK dhe AAK nuk jep shpresa që ja mundësojnë LDK-së arritjen e qëllimit. Kjo deklaratë e PDK-së është edhe një taktikë politike, për të treguar indirekt se edhe mbas kësaj qeverisje në pushtet në prapa vi qëndron edhe PDK. Përndryshe një qeverisje nga këto tri parti LDK-AAK-NISMA me këta numra të deputetëve (60) është çdoherë i paqëndrueshëm dhe çdo ditë mund me u rrëzua, mu për shkak të problemeve që i kemi para vetit, si pandemia, bisedimet e rëndësishme mes Serbisë e Kosovës të ndërmjetësuara nga Amerika dhe nga BE, dhe një mal problemesh të tjera.

Edhe në mosmarrëveshjet mes LDK-së dhe AAK-së, rreth asaj se kujt duhet ti takoj Presidenti i vendit, nëse vjen te prishja e koalicionit, nuk përjashtohet mundësia që menjëherë, hiq pa hamendje PDK-ja të përafrohet me LDK dhe ta formojnë qeverinë e re. Mos të harrojmë se këto partitë që bënë bashkë dhe e rrëzuan LVV nga qeverisja, nga dyshimet që i kishin për të, se ajo donte ti shkonte deri ne fund luftimit të krimit dhe korrupsionit, prandaj për ti shpëtuar një beteje të tillë frontale ata u detyruan të bashkohen në bllok dhe ta rrëzojnë LVV-në. Prandaj PDK është ajo parti rezervë që do të tentoj edhe një kohë më të gjatë ti prolongon gjërat, ti prolongon zgjedhjet e reja duke u bërë eventualisht pjesë e koalicionit, së paku për të pritur deri në fund të mandatit kushtetues të Hashim Thaçit në vitin që vjen, dhe vetëm pastaj të shkohet komplet në zgjedhje të reja për Kuvendin dhe për Presidentin me mandat të rregullt kushtetues. Kjo matematikë mundë të realizohet nëse nuk dëshmohet dhe nuk konfirmohet aktakuza e Gjykatës Specialë, dhe nëse zhvillimi i bisedave mes Serbisë dhe Kosovës do të jetë në favorin tonë. Atëherë këtë sukses këto parti do të mundohen të ja përshkruajnë vetit dhe me këtë do të mundohen ta ndreq imazhin negative në përgjithësi që ekziston te populli. Ndryshe sikur PDK të ishte parti e vërtetë opozitare, ajo do të vepronte në harmoni me LVV, por këtë rrol ajo nuk është duke e luajtur sepse po udhëhiqet nga kalkulimet për blerje të sa më shumë kohës deri në zgjedhje të reja dhe për sigurim të votave, prandaj nuk e jep tani votën për mocionin e rrëzimit të Qeverisë Hoti.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".