Duhet ta pastrojnë politikën nga individët me rekorde të tradhtisë kombëtare

Duhet ta pastrojnë politikën nga individët me rekorde të tradhtisë kombëtare
Duhet ta pastrojnë politikën nga individët me rekorde të tradhtisë kombëtare

Skender Kapiti

  • 05 September 2020 - 13:06

Shkruan: Skënder Kapiti

“Cilësia e parë e një politikani duhet të jetë patriotizmi. Por, pikërisht patriotizmi është mungesa kryesore te politikanët shqiptarë. Kjo duket në cilësinë e qeveritarëve shqiptarë, në atë se si sillen dhe se çfarë punojnë politikanët, ministrat, drejtësia, administrata dhe kryeministrat e Shqipërisë e të Kosovës. Tradhtia e interesave kombëtare për interesa personale është burimi prej nga burojnë e rrjedhin lirshëm të gjitha krimet e tjera si ai ordiner, korrupsioni, hajnia, kontrabandimi dhe trafikimi i interesave kombëtare, ato të territorit etj”.

-Aleati madh i shqiptarëve SHBA gjithmonë ka porositur politikën shqiptare që të mos kandidojnë prej saj për deputetë , as për kryetar bashkish dhe as për kuvendarë lokalë ata që kanë rekorde kriminale, si dhe po ashtu politika amerikane u ka bërë thirrje shqiptarëve që të mos i votojnë të tillët. Por mjerisht, as politika dhe as votuesit shqiptarë nuk e kanë bërë një gjë të tillë, dhe prandaj parlamenti dhe qeverisja qendrore e lokale kanë me shumicë të tillë të kriminalizuarish. Shqiptarët gjithmonë e kanë pësuar rëndë nga politika e tradhtisë dhe nga tradhtarët e kombit. P. sh. A duhet të jenë e të zgjidhen deputetë ata të cilët kanë nënshkruar marrëveshjen antikombëtare të detit me Greqinë. Këtë e dinë partitë politike, anëtarësitë e tyre, e dinë opinion publik e mediatik por e di mjaft mirë edhe SHBA, ndërhyrja e së cilës bëri të munduar prishjen e kësaj marrëveshje antikombëtare. Nuk duhet të votohen as ata të cilët janë sot pro kësaj marrëveshje. Nuk duhet të votohen ata politikanë nga Shqipëria e Kosova të cilët ishin për copëtimin dhe ndarjen e Kosovës, dhe as ata të cilët janë mbështetësit për minishengenin neo jugosllav.

Nuk duhet të votohen por duhet të dëbohen nga politika ata që nënshkruan demarkacionin kufitar me Maqedoninë dhe me Malin e Zi që i falën atyre troje shqiptare për interesa personale pushteti. Nuk duhet më që të votohen as nënshkruesit e Marrëveshjes për Bashkësinë e Komunave serbe. Këto janë disa akte tradhtie të cilat nuk duhet që t’i falë votuesi shqiptar i cili ndjehet shpirtërisht shqiptar. Shqiptarët duhet ta pastrojnë politikën edhe prej atyre politikanëve të cilët kanë të hipotekuar tradhtinë publike dhe që janë ata të cilët kanë vjedhur, zhvatur e përvetësuar me krim, me abuzim, me hajni dhe me korrupsion pasuritë e Shqipërisë, të Kosovës e të shqiptarëve si dhe sidomos krimin që ata kanë bërë me paranë publike. Duhet të pastrohet politika shqiptarëve edhe prej të gjithë atyre politikanëve që kanë edhe rekorde mashtrimesh e gënjeshtrash, sepse edhe gënjeshtra e mashtrimi janë tradhti.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".