Hetimi i procesit të privatizimit nga deputetët, një lojë mashtruese e iniciuar nga PDK-ja për konsum politik

Hetimi i procesit të privatizimit nga deputetët, një lojë mashtruese e iniciuar nga PDK-ja për konsum politik

Gani Qarri

  • 25 September 2020 - 07:33

Shkruan: Gani Qarri

Kjo për vet faktin se edhe ky hetim,do të keqpërdoret nga politika, për ta pamundësuar veprimin e drejtësisë vendore në hetimin dhe zbulimin e krimit të organizuar që ka ndodhur nga mafio oligarkët e rangut të Devollëve të lidhur ngushtë me politikën dhe pushtetin, të cilët privatizuan dhe shkatërruan Amortizatorët, madje bënë edhe privatizimin dhe shkatërrimin e ndërmarrjeve tjera kryesore kapitale dhe industriale në vend, por kaluan gjatë gjithë këtyre viteve pa u ndjekur as hetuar, asnjëherë dhe nga askush.

-Megjithëse plani i punës së Komisioni Hetimor Parlamentar për privatizim është votuar dhe vendosur mbi listën e personave që do ftohen për intervistim, mospajtimet e thella ndërmjet PDK-së dhe të LVV-së për fushëveprimin e Komisionit Hetimor lidhur me Privatizimin në Kosovë, përderisa LVV, kërkon që në hetimet që do të zhvillohen të merren për bazë edhe faktet mbi shpronësimet, ndërsa PDK, vijon të këmbëngulë që të formohet një komision i veçantë hetimor vetëm për shpronësim, e gjithë kjo,pritet që sërish të rezultojë me dështim dhe më tepër ka për qëllim jo hetimin e vërtetë e serioz,por mbulimin e keqpërdorimeve dhe të krimit të organizuar në vend.

Duke pasur parasysh mospajtimet e thella ekzistuese, angazhimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për Privatizimin,i iniciuar nga PDK dhe i votuar nga të gjitha grupet parlamentare, komision i cili pas konstituimit në sesionin pranverorë, ka filluar përgatitjet për vazhdimin e punës në sesionin e vjeshtës dhe ka përcaktuar edhe listën e atyre që do të hetohen, me ç`rast para komisionit hetimor pritet të dëshmojnë edhe vet ish kryesuesi i AKP-së, përfaqësues të bordit, ish ministra dhe ish përfaqësues ndërkombëtar me qëndrim në Kosovë, duket se edhe ky do të jetë vetëm edhe një improvizim i kotë dhe veprim pa rezultate, i cili më tepër do të përdoret për kamuflim para publikut vendor dhe arsyetim para ndërkombëtarëve

Pra sipas të gjitha gjasave edhe ky hetim do ta ketë fatin e raporteve hetimore nga legjislaturat e kaluara të cilat u zbehën dhe u tretën në sirtarët e Kuvendit, por nuk shkuan asnjëherë dhe nuk ju adresuan kurrë Prokurorisë së shtetit, pasi që vet qëllimi i politikës së inkriminuar ishte të ndërhyj për të penguar zbardhjen e të vërtetës dhe jo për ta mbështetur dhe ndihmuar drejtësinë në hetim dhe ndjekje të pa varur e profesionale të krimit të organizuar, sikur që është aktualisht rasti më i freskët me Telekomin e Kosovës”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".