Shansi i fundit për deputetët, ta lajnë turpin e madh me bllokimin e Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike- tërheqjen e 10% të kursimeve nga TRUST-i

Shansi i fundit për deputetët, ta lajnë turpin e madh me bllokimin e Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike- tërheqjen e 10% të kursimeve nga TRUST-i
Shansi i fundit për deputetët, ta lajnë turpin e madh me bllokimin e Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike- tërheqjen e 10% të kursimeve nga TRUST-i

Ali Hertica

  • 02 October 2020 - 07:32

Shkruan: Ali Hertica

Pushtetarëve u duhet ndaluar abuzimi me paranë publike kurse qytetarëve duhet mundësuar që sado pak ta zbusin gjendjen e rënduar ekonomike e sociale në këto kushte krize, sepse tek e fundit janë paratë e tyre të kursyera për ditë të vështira. Votuesi është me sy drejtuar nga të zgjedhurit, duke pritur që të mos ndodhë edhe njëherë ai turp i shumëfishuar nga deputetët e Kuvendit Kosovës sepse secili prej nesh po i jep të drejtë vetes të pyes : Për kënd jeni aty, për paga të juaja të majme apo për interes të qytetarit. Turpi çoftë me ata që nuk do ta ngritin dorën në seancën e radhës për kalimin e Ligjit për rimëkëmbjen ekomomike, dhe nëse ndodhë ajo votë e turpshme kundër, le të pajtohet secili nga deputetët me vdekjen e tij të përjetshme politike.

Deputetët e kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, të rreshtuar kundër interesave me peshë për qytetarët, dhe të pozicionuar vetëm në mbrojtje të interesave të tyre politike dhe me qëllime të përfitimeve personale, mbase edhe në të ardhmen elektorale, po bëhen turpi i këtij shteti dhe njollë e zezë e Kuvendit të Kosovës, për aq kohë sa po mendojnë vetëm për pagën e tyre dhe aspak për qytetarin. Këtë distancim kaq të madh nga baza që i ka votuar, nga hallet e qytetarit, më së miri e dëshmoi votimi kundër Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike, një ligj i cili parasheh edhe krijimin e bazës ligjore për qytetarët që të tërheqin një sasi të kursimeve të tyre pensionale, atë 10% që e parasheh ligji, për të zbutur sado pak situatën e krizës të krijuar me pandeminë e koronavirusit. Këta deputet me sjelljen e tyre të pa përgjegjshme, që nuk po i vënë gishtin kokës për të menduar dhe zgjidhur sado pak një problem të qytetarit të Kosovës, nuk po mbeten gjë tjetër veç se po bëhen turpi i madh i shtetit të varfër të Kosovës.

Shumica e ligjvënësve të këtij mandati, me sjelljen e tyre të pa përgjegjshme, po dështojnë ta kryejnë obligimin ndaj votuesit në kohën kur qytetarët kanë nevojë më së shumti ta ndiejnë dorën e shtetit, kanë nevojë më shumë se kurrë. Të rreshtuara pas interesave puro politike i gjejnë 101 arsye për të mos u dalë në ndihmë qytetarëve, për të mos e votuar një ligj i cili ka dështuar për të pestën herë, edhe në seancën e kaluar, për shkak të mos koordinimit politik dhe mungesës së guximit individual të deputetëve që të tregohen vetvetja, por kanë mbetur rob dhe servil të nënshtruar të liderëve politik. Mos miratimi i këtij ligji është papërgjegjësi dhe një marrëzi e madhe . Këtë turp të madh, deputetët nëse janë të vetëdijshëm sado pak mundë ta lajnë në seancën e radhës duke lënë anash gjithçka nga e kaluara dhe ta votojnë këtë ligj, ta fusin në procedurë të përshpejtuar për ta kaluar leximin e dytë dhe të fillon zbatimi i tija sepse jo vetëm qytetarët përfitojnë por është një ligj nga i cili përfitojnë edhe bizneset, një infuzion për zhvillimin ekonomik në këtë kohë krize të imponuar nga pandemia globale. Të mos harrojmë se qytetarët tani më po i shohin çdo ditë raportimet për shpenzime të paarsyeshme që po bëhen nga njerëzit e politikës, e që të gjitha peshojnë në mbi kurrizin e taksapaguesve, shumica e të cilëve mezi po mbijetojnë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".