Mjeshtëria mashtruese e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive: Kosovë-Shqipëri

Mjeshtëria mashtruese e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive: Kosovë-Shqipëri
Mjeshtëria mashtruese e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive: Kosovë-Shqipëri

Skender Kapiti

  • 06 October 2020 - 07:53

Shkruan: Skënder Kapiti

Mezi presin të gjithë pushtetarët e Kosovës që të dalin në fotografi në tavolinën e mbledhjeve të përbashkëta të qeverive në Tiranë, dhe për t’ua paraqitur ato në Kosovë publikut si patriotizëm fotografik e mediatik pasi vetëm kaq janë rezultatet dështake të mbledhjeve të përbashkëta të qeverive të dy shteteve shqiptare.

-Mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive shqiptare, të Shqipërisë e të Kosovës janë vetëm fasada dhe mashtrime të mëdha kombëtare. Ato janë thjesht vetëm simbolika që tashmë janë bërë bajate deri atje sa realisht duken si vizita reciproke sa për Week-End, për darka e dreka ndërqeveritare por që i serviren popullit si patriotizëm dhe atdhetari politike e pushteti. Këto mbledhje nuk janë madje as dëshira dhe as ëndrra të qeverive shqiptare, por janë thjesht mashtrime e gënjeshtra kombëtare e publike, sa për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe për të justifikuar e maskuar mosinteresimin dhe papërgjegjshmërinë kombëtare të kryeministrave shqiptarë dhe të qeverive të tyre të korruptuara dhe zullumqare me dukje e reklama patriotike. Po ta shikosh me vëmendje këto mbledhje të “përbashkëta” bëhet në periudhat kohore në të cilat kulmojnë dështimet e të dyja qeverive, pra ato mbahen pasi nuk kanë se me çfarë të merren qeveritë shqiptare, si dhe në përpjekje për t’ia larguar vëmendjen publikut nga problematikat e mëdha që kanë sot dy shtetet shqiptare; bëhen edhe sa për të kaluar dhe shtyrë kohë.

Mjeshtri i këtyre mashtrimeve është Edi Rama , pas të cilit u rreshtuan e binden edhe kryeministrat e Kosovës, të cilët pa përjashtim mezi presin që të vijnë në Shqipëri e të takohen me qeveritarët e Tiranës , por edhe me drejtorët e Shqipërisë me qëllim për t’i shitur ato në publikun kosovar si patriotizma, ashtu sikurse edhe që kanë mbushur thasët edhe me fleta lavdërimi e dekorata të “fituara” e të akorduara për ta nga shtetarët, qeveritarët, kryebashkiakët e krye komunarët e Shqipërisë. Të dy qeveritë shqiptare i quajnë për trofe të arritjeve të tyre vizitorët dhe pushuesit kosovarë që vijnë e kalojnë pushimet verore në Shqipëri, në plazhet shqiptare dhe kjo është “arritje “e sukses i qeverive shqiptare. Arritjet “më të mëdha” të këtyre takimeve janë taksa e Rrugës së Kombit, dështimi i të dy shteteve shqiptare për njohje të reja të Kosovës, madje disa shtete edhe i kanë tërhequr njohjet. "Rezultat" tjetër i bashkëpunimit ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë janë mospranimi i Kosovës në INTERPOL dhe as në UNESKO, është aprovimi nga KiE i amendamenteve anti-Kosovë të Serbisë , dhe tani ndoshta edhe Mini-Shengeni i drejtuar nga Serbia dhe dalja e Serbisë në Adriatik përmes Shqipërisë. Këto janë disa nga "arritjet" e mbledhjeve të dy qeverive shqiptare , të ideuara e të imponuara nga Edi Rama.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".