Kuislingu Hashim Thaçi, përmes Asociacionit u hapi derën pretendimeve të rrezikshme serbe edhe në të ardhmen

Kuislingu Hashim Thaçi, përmes Asociacionit u hapi derën pretendimeve të rrezikshme serbe edhe në të ardhmen

Gani Qarri

  • 18 October 2020 - 09:15

Shkruan: Gani Qarri

Kosova, pikërisht shkaku i gafeve të trishta shumëvjeçare të kuislingut Hashim Thaçi sot mjerisht gjendet para rrezikut më serioz që përmes këtij asociacioni të rrëshqas në krijimin e modelit të një autonomie paralele territoriale administrative, të ngjashme me "Republikën Srpska" në Bosnje, kjo edhe për faktin se siç deklaroi Lajçak në Beograd, asnjëri nga udhëheqësit partiak dhe shtetëror kosovar, nuk ka refuzuar që të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës, për krijimin e këtij asociacioni, që pa asnjë dyshim, jo vetëm në të ardhmen e afërt, por që nga momenti i zyrtarizimit të tij, do të jetë kancer dhe bombë e kurdisur për shkatërrimin e shtetit të Kosovës.

Asociacioni është trashëgimia më e rrezikshme që fatkeqësisht po i mbetet si barra më e rëndë mbi shpinën e shtetit të brishtë të Kosovës nga një proces i dialogut të ashtuquajtur “teknik” të kryesuar nga kuislingu Hashim Thaçi i cili për produkt pati pranimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacionin, duke e kaluar atë në përgjegjësi politike të PDK-së dhe LDK-së, në dy mandatet e tyre të qeverisjes. Ardhja e Hashim Thaçit në politikë dhe kreun e udhëheqjes së shtetit, ishte fatkeqësia më e madhe që ka mundur ti ndodhte Kosovës dhe qytetarëve të këtij vendi, në këtë fillim shekulli, në të cilin po jetojmë. Në konferencën e përbashkët për shtyp të Emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak dhe Aleksandër Vuçiqit në Beograd, presidenti serb shfaqi një dokument prej gjashtë pikash të marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel,mbi krijimin e asociacionit, në të cilin sipas tij, vet Thaçi & CO, ishin akorduar menjëherë për ndryshimin e ligjeve dhe Kushtetutës së Vendit, për krijimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë. Por ishte presidentja e atëhershme zonja Jahjaga,e cila në vend të urdhrit për ndryshimin e Kushtetutës, dërgoi marrëveshjen për krijimin e asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, që megjithëse në princip, nuk u shpreh kundër formimit, në formën dhe përmbajtjen e nënshkruar më 19 prill të vitit 2013 nga Hashim Thaçi dhe më 25 gusht të vitit 2015 nga Isa Mustafa, për fatin e mirë të Kosovës, u shpall kundër kushtetuese.

Madje siç dihet tanimë publikisht nga i gjithë opinioni i brendshëm dhe ai i jashtëm, Thaçi nuk hezitoi të shkoi aq larg sa që përveç damkosjeve tjera të rënda, të të gjitha formave të mundshme të shtetit të Kosovës,vetëm dy-tri vite pas shpalljes së pavarësisë dhe rreth një viti të konfirmimit të saj, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, si organi më i lartë juridikë i OKB-së, qysh në fillim të bisedimeve "teknike"me Serbinë,zhvlerësoi kokë më vete edhe shtetësinë e Kosovës duke i vënë përmbi Fusnotën, për ti dhënë kuptim neutral statusit të saj-juridik, para Serbisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Vetëm brenda pak kohësh u dëshmua se ky nuk do të ishte lëshimi i parë as i fundit, i këtij kuislingu para përfaqësuesve të shtetit okupator serb,i cili përveç pranimit për krijimin e një entiteti të paqenë kurrë më parë në historinë e truallit të Kosovës, si "Zajednica " u kujdes personalisht që edhe në titullin e të ashtuquajturës "Bashkësi e komunave serbe", të mos figurojë askund emri i Kosovës. Kështu që, sipas kërkesave të Serbisë, në çdo dokument u shënua vetëm si "Asociacion i komunave me shumicë serbe, pa u cekur askund emri i shtetit ku do të ngritët dhe gravitojë ky asociacion, megjithëse është rregull obligativ ndërkombëtar, për çdo vend të botës, të figurojë emri i shtetit bartës, jo vetëm të entiteteve të tilla e të ngjashme, por edhe të institucioneve më të larta e më të fuqishme se sa një asociacion. Akti i pranimit dhe nënshkrimit të marrëveshjes për krijimin e kësaj ngrehine makabre nga Thaçi, me rrezik permanent për Kosovën, si "Zajednica" e detyroi Emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak, të vizitoi për dy-tre ditë me radhë Kosovën, ku pas bisedimeve me të gjithë spektrin politik në vend, në mbarim të vizitës deklaroi se nuk do të ketë një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa implementimin e asociacionit të komunave serbe. Ajo që mbjellë frikë të pafund me këtë rast, është fakti që Lajçak, para gazetarëve në Beograd deklaroi, se asnjë parti, udhëheqës as politikan kosovar nuk ishte deklaruar kundër ndryshimeve kushtetuese për krijimin e asociacionit! Ndaj, pas vizitës së përfaqësuesit të lartë të BE-së, në vendin tonë, është momenti i fundit që para cilitdo hap për çfarëdo implementimi që do të duhet, apo do të detyrohet Kosova ti bëjë këtij asociacioni, pikësëpari, asociacioni medoemos duhet të shtetëzohet si entitet, ti ndryshohet emërtimi dhe të quhet “Asociacioni i komunave serbe të Kosovës”, apo “Asociacioni i komunave me shumicë serbe të Kosovës”. Dhe nuk duhet të guxojë më, të hiqet në mënyrë kaq barbare emri i shtetit nga emërtimi i këtij "Kali të Trojës" të imponuar nga Hashim Thaçi, si dhurata më makabre e këtij kuislingu me nam, për rrezikimin e përjetshëm të Republikës së Kosovës, me shpifjen e ngrehinave të tilla dubioze e antishtetërorë,si "Zajednica" të paqena kurrë më parë, në truallin e vendit tonë. Diplomati sllovak u rikujtojë faktorëve politik në Prishtinë se marrëveshja për themelimin e asociacionit është nënshkruar qysh në vitin 2013 nga Hashim Thaçi, e ai duhet të implementohet dhe tani ka mbetur të diskutohet vetëm statuti i tij. Kështu po dëshmohet edhe njëherë më tepër, se me nënshkrimet e tij antikushtetuese dhe antishtetërore, si krijimi kundër-kushtetues i asociacionit, kuislingu Hashim Thaçi me qëllim u hapi derën "hap e krah" pretendimeve serbe edhe në të ardhmen, në mënyrë që me tu zyrtarizuar ky asociacion, tokat në të cilat ai shtrihet, ti takojnë apriori Serbisë dhe të mos kenë më, të bëjnë asgjë me Kosovën. Madje, ky matrapaz, bënte pandërprerë propagandë noshalante pa fije turpi, nëpër emisione publike televizive, duke i quajtur ato edhe toka të "falura nga Rankoviqi", akt që po të kishte ligj dhe gjyqësi të pavarur në Kosovë, ai qysh moti do të duhej të ishte prapa grilave dhe jo të pritej, që së pari, ti ngritën akuza nga Gjykata Speciale.

Bazuar në marrëveshjet e Thaçit, ndërmjetësuesi Lajçak detyrohet të shpjegojë si i dërguar i BE-së, se nëse nuk ka vullnet për implementimin e marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel për asociacionin, nuk do të ketë as normalizim, megjithëse ne (në BE) nuk kërkojmë ta rihapni tekstin por vetëm të implementoni atë çka është nënshkruar dhe gjithçka çka është dakorduar, duhet të implementohet. Kështu që për fatkeqësinë e madhe të shqiptarëve dhe gjithë shtetit të Kosovës, asociacioni i nënshkruar nga kuislingu më fanatik i vendit, Hashim Thaçi është trashëgimia më e rrezikshme që po i mbetet, si barrë e përjetshme mbi kurriz shtetit të brishtë të Kosovës, që Hashim Thaçi, tash e përgjithmonë ia la "kopil në derë" Republikës së Kosovës, formimi i të cilit, mjerisht do të jetë edhe një kurth i ri, që përbën rrezikun më të madh për tërësinë territoriale të vendit dhe të ardhmen e ekzistencës së shtetit të Kosovës, nga i cili qysh tash ka filluar ti vuaj pasojat makabre të nënshkrimeve kuislinge të Hashim Thaçit. Ndaj jo vetëm se është e domosdoshme, por edhe obligim i patejkalueshëm për z. Hoti apo cilindo person i cili caktohet të udhëheqë bisedimet me Serbinë në emër të Kosovës,që në çdo dokument ku flitet për asociacionin në fjalë, të bëhet shtetëzimi zyrtar i këtij entiteti dhe ndryshohet urgjentisht emri nga;" I komunave me shumicë serbe", në “Asociacion të komunave serbe në Kosovë”, apo “Asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë”, e jo të mungojë emri i shtetit dhe lejohen dykuptimësi në emërtimin e asociacionit, që mund të jenë me konotacione të formës së rrezikut të lartë për vendin, pas të cilave, që në rastin e parë, mund të kapet përsëri Serbia dhe shpreh kërkesa të reja territoriale, edhe në të ardhmen ndaj tokave të Kosovës.

Ndaj siç dihet tanimë botërisht asociacioni është trashëgimia më e rrezikshme që fatkeqësisht po i mbetet si barra më e rëndë mbi shpinë, shtetit të brishtë të Kosovës nga një proces i dialogut të ashtuquajtur “teknik” të kryesuar nga kuislingu Hashim Thaçi i cili për produkt pati pranimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes për asociacionin, duke e kaluar atë në përgjegjësi politike të PDK-së dhe LDK-së, në dy mandatet e tyre të qeverisjes.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".