Të veprohet tani, në tavolinë të dialogut me Serbinë të shpalosen krimet dhe dëmet e luftës

Të veprohet tani, në tavolinë të dialogut me Serbinë të shpalosen krimet dhe dëmet e luftës

Gani Qarri

  • 19 October 2020 - 07:30

Shkruan: Gani Qarri

Askush në Kosovë nga përbërja e ushtrisë dhe policisë nuk ka shtënë si njeri i lirë, por sepse kjo ishte e lejuar dhe e përhapur që të vritet një shqiptar. Ky është momenti i fundit që gjykimet të fillojnë sepse dëshmitarët po zhduken ngase edhe mosha i ka mbuluar ata që do të mund të flisnin me bindje në gjykatë. Tash është momenti i fundit, për ndërmarrjen e hapave të duhur ndaj gjykimeve në Hagë, me ç ‘rast Serbia duhet të përgjigjet me gjykime në vend sepse normalizim të raporteve ndryshe nuk mund të ketë mes dy vendeve.

Gabimi më i pafalshëm që pa fije turpi, përgjegjësie institucionale, as ndjesie njerëzore, tash e mese 10 vite, bëjnë qëllimshëm përfaqësuesit e Kosovës në bisedime me Serbinë, është pikërisht fakti se ata edhe mbi 21 vite pas çlirimit nga ky shtet okupator, lejojnë që Serbia të futë hundët edhe në rregullimet e brendshme shtetërore të Kosovës, në vend që siç thotë me plot të dejtë edhe aktivistja e lartë serbe, për të drejtat e njeriut, zonja Natasha Kandiq, pikë kryesore në dialog të vendosej tema e krimeve të luftës dhe gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë.

Madje zbardhja e krimeve të luftës nga ana e Serbisë, gjykimi dhe kompensimi i faturës së dëmeve, medoemos duhet të jetë çështja kyçe pa të cilën në finale të bisedimeve, nuk do të mundë të arrihet pajtim mes dy vendeve, derisa në Gjykatën Speciale po ftohen, intervistohen dhe ngritën aktakuzat e para ndaj shqiptarëve të dyshuar për pjesën e vetë të përgjegjësive eventuale të shkeljes së ligjeve të luftës, sipas denoncimit nga autoritetet serbe dhe Dick Marti.

Për aq më tepër, nisur nga përvoja e saj e gjatë, edhe vet Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiç është shprehur e bindur se nuk mund të ketë normalizim të raporteve me Kosovën nëse edhe Serbia nuk i gjykon kriminelët, si dhe gjykimet e Speciales, të shkojnë paralelisht me ato në Serbi dhe jo në mënyrë të njëanshme.

Gjykimet në Hagë dhe gjykimet në Serbi duhet të shkojnë bashkë. Kosova duhet të ballafaqohet me përgjegjësinë e vet por edhe Serbia me të sajat, sepse nuk përfundoi me faktin që Tribunali i Hagës dënoi gjeneralët. Serbia ka kuadër të madh të ushtarëve e policëve që janë përgjegjës e assesi kjo çështje të përfundojë vetëm me dënimin e urdhëruesve të vrasjeve, por jo edhe të autorëve.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".