Ndërtimi i shtetit të së drejtës në Kosovë vetëm me dekriminalizim të politikës dhe Vetting urgjent në drejtësi

Ndërtimi i shtetit të së drejtës në Kosovë vetëm me dekriminalizim të politikës dhe Vetting urgjent në drejtësi
Ndërtimi i shtetit të së drejtës në Kosovë vetëm me dekriminalizim të politikës dhe Vetting urgjent në drejtësi

Skender Kapiti

  • 22 October 2020 - 07:53

Shkruan: Skënder Kapiti

Populli i Kosovës edhe me protesta edhe me votë e ka ndëshkuar politikën e keqe, por ama vota popullore nuk është në gjendje që populli me anë të saj t’i pastrojë listat e deputeteve dhe as t’i dekriminalizojë partitë politike, të cilat janë aktorët kryesorë në demokraci. Pra fillimisht janë partitë politike ato që janë kapur nga korrupsioni dhe krimi. Dhe vetëm VETING-u i Drejtësisë do të bëjë të mundur që të mos kenë mundësi që në listat partiake për deputet të jenë individë me rekorde krimi, hajnie e korrupsioni pasi ata e kanë vendin në hetim, për llogaridhënie dhe për ndëshkim penal. Pra në Kosovë duhet ajo që ka filluar të realizohet në Shqipëri,VETING-u.

-Në Kosovë drejtësia është drejtësi politike, që do të thotë se atë e zgjedh, e emëron dhe e drejton politika dhe që drejtësia i shërben politikës, dhe jo Ligjit, as shtetit, as shoqërisë dhe rrjedhimisht as qytetarit; por shteti, drejtësia e ligji janë instrumente sundimi të politikës, të pushtetit qendror, të atij lokal, të Presidentit. Pra drejtësia kosovare është e kapur dhe është pronë e burokracisë dhe e aparatcikëve të institucioneve shtetërore dhe të mafio-oligarkisë.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, që nga kupola e tij KGJK e KPK është mbushur dhe kaparuar nga politika me elementë të paaftë, servilë, të korruptuar, me “profesionistë” amoralë dhe me matrapazë e trafikantë të ligjit, sistem i cili është zgjatim simbiotik i politikës prej nga merr urdhëratë për të shpallur vendimet. Në këmbim të këtij shërbimi që drejtësia kosovare i bën politikës, drejtësia në Kosovë merr dhe siguron “licencën” antiligj , krim e korrupsion pasi tashmë ajo ka siguruar edhe mbështetjen dhe mbrojtjen politike prej pushtetit politik.

Pra, drejtësia mbron krimin, hajninë dhe korrupsionin e politikës, dhe po kështu edhe politika mbron, mbështet dhe avokaton krimin, korrupsionin dhe hajninë juridike të sistemit të drejtësisë, dhe kjo pra është simbioza kriminale drejtësi-politikë. Në këtë mënyrë bashkëveprimi e koordinimi korruptivo-kriminal politikë-drejtësi ka asfiksuar shtetin dhe funksionimin e ligjit dhe të shtetit demokratiko-ligjor,pra. Kjo gjendje e ka kthyer Kosovën, institucionet e saj në agjenci pazaresh,ankandesh,vjedhjesh e grabitjesh pasurish, pronash, tokash dhe të parasë publike. Kjo ndodh në një vend ku ligjin e bën lirisht mafio-oligarkia shtetërore, kjo ndodh atëherë kur paraja, politika e drejtësia bëhen një e të lidhura bashkë. Kjo gjendje, ky realitet e ka çuar në falimentim shtetin, shoqërinë dhe ligjin pasi falimentimi vjen nga keqfunksionimi i tyre, pra kur shteti e drejtësia kapen nga krimi e korrupsioni. Në këtë gjendje dalja dhe shpëtimi prej saj është shumë e vështirë dhe pothuajse e pamundur. Dhe duke e parë këtë gjendje ku ka rënë drejtësia dhe sistemi në Kosovë unë para ca ditësh dërgove një shkrim te Gazeta “KOSOVA SOT”me Titull “Amerikë, ruaji dhe mbroji Shqipërinë dhe Kosovën prej politikanëve shqiptarë zullumqarë!”, dhe them se e vetmja rrugë për ta çmontuar këtë sistem kriminal korrupsioni është ndërhyrja vendimtare e SHBA-ve dhe reformimi tërësor i sistemit të drejtësisë, një VETING-radikal, i cili më pastaj pastron dhe dekriminalizon edhe politikën në Kosovë. Populli i Kosovës edhe me protesta edhe me votë e ka ndëshkuar politikën e keqe, por ama vota popullore nuk është në gjendje që populli me anë të saj t’i pastrojë listat e deputeteve dhe as t’i dekriminalizojë partitë politike, të cilat janë aktorët kryesorë në demokraci. Pra fillimisht janë partitë politike ato që janë kapur nga korrupsioni dhe krimi. Dhe vetëm VETING-u i Drejtësisë do të bëjë të mundur që të mos kenë mundësi që në listat partiake për deputet të jenë individë me rekorde krimi, hajnie e korrupsioni pasi ata e kanë vendin në hetim, për llogaridhënie dhe për ndëshkim penal. Pra në Kosovë duhet ajo që ka filluar të realizohet në Shqipëri,VETING-u.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".