Hashim Thaçit po i dridhen këmbët, skenari i fundit për ti shpëtuar Gjykatës Speciale

Hashim Thaçit po i dridhen këmbët, skenari i fundit për ti shpëtuar Gjykatës Speciale

Gani Qarri

  • 23 October 2020 - 07:43

Shkruan: Gani Qarri

Vet fakti se ndryshimet e propozohen nga një President i cili është vet objekt i një aktakuze të paraqitur nga SPO në lidhje me krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit duke i vlerësuar ato me vëzhgim të veçantë, pre supozojnë se Z. THAÇI, nuk është palë e pa interesuar dhe ekzistojnë arsye të forta, për të besuar që propozimet e tij, për ndryshime janë pjesë e një strategjie më të gjerë për ta zhbërë apo dëmtuar Gjykatën Speciale.

Siç dihet tanimë publikisht,Gjykata Speciale u themelua më 1 shtator të vitit 2016, bazuar në një ligj të veçantë dhe Amendament të posaçëm Kushtetues enkas për Dhomat e Specializuara të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, që më 3 gusht 2015,ndaj qysh atëherë Dhomat e Specializuara kanë epërsi mbi të gjitha gjykatat vendore në Kosovë dhe mund të urdhërojnë transferimin e procedurave penale prej çdo prokurori apo gjykate brenda territorit të Kosovës në juridiksionin e Gjykatës Speciale në Hagë. Kështu që nga data e formimit të saj, Prokuroria e Dhomave të Specializuara, nuk është më eksplicit organ i Kosovës por një prokurori e ndërkombëtarizuar e vendosur jo në Prishtinë, por në Hagë, e cila u ngrit për hetimin dhe ndjekjen penale të individëve të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ku në radhët e para me aktakuza të propozuara nga Specialja, janë pikërisht Hashim Thaçi e Kadri Veseli, së bashku me shokë. Ndaj dhe është tejet serioz dhe mjaft alarmant shqetësimi i ngritur rishtas nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë lidhur me vazhdimin e tentativës së Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit, për ta shuar mandatin e Gjykatës Speciale akoma pa filluar gjykimet e vërteta dhe ende pa përfunduar asnjë nga proceset gjyqësore, për aktakuzat e ngritura, në mesin e të cilave siç u cek edhe më parë, dihet se gjenden edhe aktakuzat kundër vet Hashim Thaçit dhe pasuesit të tij në PDK, Kadri Veselit.

Madje prokurori i Specializuar në Hagë ka hedhur sërish akuza të ashpra në drejtim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit duke e akuzuar rëndë ish-drejtorin politik të UÇK-së se po tenton ta zhbëjë Gjykatën Speciale nëpërmes ndryshimeve të propozuara me amendamentet Kushtetuese nga të cilat nuk po heq dorë ende Hashim Thaçi. Për aq më tepër, Prokuroria e Specializuar, pretendon se Thaçi si subjekt i një aktakuze të përpiluar nga ajo, po tenton ta zhbëjë me çfarëdo forme dhe mënyre këtë organ ndjekës penal, kur dihet mirëfilli se ndryshimet e propozuara synojnë ta riformulojnë mandatin e Gjykatës Speciale, ani pse dihet që koha e parashtrimit të aktakuzave nga ajo, nuk ka histori zyrtare fikse të hartimit. Në të vërtetë, konteksti thelbësor për të kuptuar dhe interpretuar ndryshimet e propozuara sigurohet nga deklaratat publike të vetë z. THAÇI më 24 gusht 2020, dita në të cilën ai vendosi të përcjellë "Ndryshimet e Propozuara”, thuhet tutje në reagimin e fundit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Kështu që shihet qartë se kjo lojë e Hashim Thaçit, bëhet për qëllim shantazhi ndaj Speciales për ti shpëtuar përndjekjes dhe si Pazar kompromisi, të bëjë formimin e Asociacionit të komunave me Shumicë serbe, marrëveshje të cilën ai e ka firmosur vetë në vitin 2013, që edhe sot po konsiderohet dokumenti bazë në të cilin këmbëngulë edhe Qeveria e Serbisë, për jetësimin e Zajednicës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".